Pas 8 muajve në parking, autobusët filluan të qarkullojnë nëpër Tetovë: 10 ditët e para falas për qytetarët (VIDEO)

Edhe pse kanë kaluar 8 muaj nga koha kur pesë autobusë për transport publik arritën në Tetovë, këta mjete transportuese sot kanë filluar të lëvizin nëpër qytetin e Tetovës, konkretisht dy muaj përpara zgjedhjeve lokale. Dhjetë ditët e para të funksionimit të autobusëve do të jenë periudhë promovuese ku qytetarët do mund t’i përdorin shërbimet e kompanisë publike falas. Kryetari i Këshillit Komunal të Tetovës tha se shkaku se përse tani lëshohen është se kanë përfunduar komplet procedurat për nisjen e kësaj ndërmarrje dhe se nuk e përdorin këtë për pikë politike. Ndërmarrja është themeluar por disa punë vazhdojnë të jenë të papërfunduara, shembull konkret është mos-ekzistimi i ueb-faqes së ndërmarrjes, për të cilën drejtori Darko Spirovski tha se do të bëhet shumë shpejtë, shkruan Portalb.mk.

Sot në orët e mëngjesit kanë filluar me punë autobusët e Ndërmarrjes Publike Komunale “Tetova Transport”. Autobusët filluan me lëvizje nga stacioni i autobusëve, pasi kryetari i këshillit të Komunës së Tetovës, Bekim Memeti dhe drejtori i NP “Tetova Transport”, Darko Spirovski mbajtën një konferencë për shtyp.

“Jemi këtu sot për të përuruar autobusët e ri të qytetit të Tetovës, mu këtu nga stacioni i autobusëve. Definitivisht përfundon edhe një proces shumë i rëndësishëm për qytetin tone”, tha Bekim Memeti.

Memeti theksoi se një rol të rëndësishëm dhe domethënës ka dhënë edhe këshilli i Komunës së Tetovës, me sjelljen e vendimeve të cilat kanë kontribuar njëkohësisht që sot të jemi këtu. ⁠

Drejtori i NP “Tetova Transport” tha se më në fund erdhi dita për të filluar me autobusët e qytetit ku ne mund të shënojmë fillimin e punës.

“Në periudhën e kaluar ne kishim shumë sfida shumë më tepër sesa natyra administrative, operacionale, teknike, linjat, rrugët, etj. Një nga mbikëqyrjet ishte bashkëpunimi me organet e punëve të brendshme, sesi me ndihmën e tyre të siguroheshin kushte reale, që autobusët të mund të lëvizin rregullisht, që kohë të caktuara të mbërrijnë nga stacioni në stacion, dhe unë mendoj se gjithçka është e organizuar”, tha Darko Spirovski.

Rikujtojmë që Spirovski në një intervistë për Portalb.mk tha se pa u krijuar kushtet  infrastrukturore në mënyrë që autobusët të mund të qarkullojnë pa probleme shtesë në Tetovë, ai tha se me kushtet aktuale do të pamundësohej respektimi i orarit të përpiluar paraprakisht.

LEXO: Tetovë, s’ka kushte, Spirovski tha se autobusët mund të mos qarkullojnë as verës

Gjithashtu, deklaratat nga kryetarja e Komunës së Tetovës, Tetuta Arifi nuk përputheshin me deklaratat e drejtorit të ndërmarrjes Tetova Transport, Darko Spirovski.

LEXO: Tetovë, përderisa autobusët “flejnë” 6 muaj në parking, institucionet nuk merren vesh në qoftë se (nuk) ka kushte për funksionimin e tyre

Autobusët tani e tetë muaj kanë arritur në qytetin e Tetovës, dhe të njëjtit kanë qëndruar të parkuar për gjithë këtë kohë. I pyetur për atë se përse pikërisht tani përpara zgjedhjeve lokale lëshohen në përdorim autobusët, Memeti tha se shkaku se përse tani lëshohen tani është se kanë përfunduar komplet procedurat për nisjen e kësaj ndërmarrje.

“Sigurisht tani e dimë se komunikacioni është një ndër ato pikat të cilin e kemi vlerësuar se është më i lehtë për tu lëvizur. Nuk e përdorim për pikë politike për arsye që tani është momenti, dhe siç e shihni mbrapa meje janë një pjesë e këshilltarëve nga të gjitha partitë politike, me këtë duam të tregojmë se kjo është vetëm një punë e zakontë të cilën e bën komuna e Tetovës, në kuadër të agjendës të saj”, tha Bekim Memeti.

Ndërmarrja sipas Memetit është themeluar komplet.

“Tani më ka drejtor, ajo ka administratën e vetë. ka edhe njerëz të cilët punojnë. Sigurisht ndërmarrja ka pesë autobusë dhe 12 shoferë dhe sigurisht administratën e vetë”, shtoi Memeti.

Memeti apeloi deri te qytetarët e Tetovës ti shhfrytëzojnë autobusat, për transport dhe njëkohësisht ti ruajnë që ti kemi për më gjatë në transportin publik.

Dhjetë ditët e ardhshme do të jenë periudhë prove, ku do të përcaktohet qëndrimi i ndërmarrjes ndaj qytetarëve, si dhe I qytetarëve ndaj lëvizjes së autobusëve dhe përdorimit të tyre.

“Dhjetë ditët e para të lëvizjes së autobusëve do të jenë një periudhë promovuese ku qytetarët do të mund të përdorin shërbimet e kompanisë publike falas. Dhe në këtë periudhë do të vendosen, tabelat e informuese në çdo stacion, rrjedha e lëvizjes së autobusëve ku do të dihet saktësisht se në cilën orë do të arrijë autobusi për stacionet përkatëse dhe sa herë gjatë ditës”, tha drejtori i “Tetova Transport”.

Ai theksoi se është planifikuar të ketë tabelë elektronike të informacionit, e cila do të vendoset në çdo stacion autobusi.

Për sa i përket biletave, fillimisht do të jenë nga letra qytetarët do mund t’i blejnë në dyqane në të gjithë qytetin. Ai tha se janë duke punuar që biletat të jenë edhe në formë elektronike nëpërmjet telefonit.

Transporti publik dhe masat anti-Covid

Fakti që autobusët fillojnë me punë në këtë periudhë kur Tetova ka numrin më të madh të të infektuarve rrit shanset që qytetarët mos të përdorin transportin publik, por drejtori i kësaj ndërmarrjeje tha se i ndjekin protokollet, ku udhëtarët që do udhëtojnë në këtë periudhë duhet të mbajnë maska, të mbajnë distancën e tyre dhe autobusët duhet të funksionojnë me gjysmën e kapacitetit.

“Kjo është disi e relativizuar, sepse autobusët tanë kanë praktikisht një kapacitet për rreth njëqind persona që mund të hyjnë, pasi autobusët e qytetit nuk kanë vetëm vend për tu ulur, por kanë  edhe vend për të qëndruar në këmbë”, tha drejtori I Tetova Transport.

Ai gjithashtu shtoi se do të përpiqen që përveç shoferit, të kenë një person tjetër i cili do të kontrollojë numrin e udhëtarëve dhe masat në autobus. Ai tha se kjo mund të mos jetë ideale por do të japin më të mirën për të kontrolluar atë që mund të kontrollohet.

Si do të funksionojnë linjat?

Do të jenë pesë linja të cilat do të lëvizin nëpër qytet por nuk do të lëshohen të gjitha përnjëherë.

“Ne nuk mund t’i lëshojmë të gjitha menjëherë, do të fillojmë me një linjë, E para do të jetë nga Stacioni i Autobusëve që do të shkojë nga Vero, pastaj në qendër, dhe më pas në Universitetin e Evropës Juglindore dhe anasjelltas. Ndoshta në këtë periudhë mund të bëjmë edhe kombinime për të parë nëse linjat do të ngarkohen. Tani është periudha kur ne testojmë terrenin sepse e gjithë kjo është në plan dhe praktika do të na tregojë se cilat linja duhet të lëshohen dhe në cilën pjesë të ditës”, tha Darko Spirovski, duke shtuar se duhet ta shohim këtë si një fillim ku në periudhën e ardhshme do të shohim se çfarë kërkohet në të vërtetë nga qyteti që autobusët të funksionojnë.

Nga Ndërmarrja Publike “Tetova Transport” është planifikuar që të funksionojnë tre linja të cilat mbulojnë pjesën më të madhe të qytetit të Tetovës, edhe atë:

  • Linja e  parë – është nga stacioni i autobusëve në rrugën Boris Kidriç për në Universitetin e Evropës Juglindore.
  • Linja e dytë – kalon përgjatë rrugëve Boris Kidriç, Ivo Lola Ribar, Strasho Pindzur, t.c. Merdzan, Ilindenska, pranë Universitetit UEJL, Ljuboten, rrugët Kiro Ristoski Drnc, Gjorce Petrov, Braka Miladinovi, Bulevardi Vidoe Smilevski Bato, 29 Nëntor, Blagoja Toska, Marshalli Tito, Bulevardi Vidoe Smilevski-Bato dhe përfundon përsëri në stacionin e autobusëve në rrugën Boris Kidriç.
  • Linja e tretë – në rrugët Boris Kidriç, Bulevar Vidoe Smilevski Bato, Marshalli Tito, Blagoja Toska, 29 nëntor, Bulevardi Vidoe Smilevski Bato, Braka Miladinovi, Gjorce Petrov, Kiro Ristoski Drnc, Ljuboten, Ilindenska, UEJL dhe kthehet përgjatë Ilindenskës në t.c. Merjan, Rruga Strasho Pindzur, Ivo Lola Ribar, Blagoja Toska dhe përfundon në stacionin e autobusëve në rrugën Boris Kidric.

    LEXO: Tetovë, këto janë çmimet dhe linjat e transportit publik (INFOGRAFIK)

Ndërmarrja ende nuk ka ueb-faqe ku qytetarët mund të marrin të gjitha informacionin e nevojshëm.

I pyetur për këtë nga Portalb.mk, drejtori i Tetova Transport tha se është e parashikuar të bëhet së shpejti.

“E kemi në plan. Në periudhën më të shpejtë ne do të punojmë në faqen e internetit sepse faqja do të jetë tërheqëse të udhëtarët tanë më potencial tanë që janë studentët. Kemi disa probleme të natyrës operacionale që duhet të zgjidhen, e kështu me radhë do të bëhet edhe ueb faqja. Gjithashtu edhe biletat parashihen të jenë në formë elektronike”, tha Spirovksi.

Gazetari i Portalb.mk ishte në xhiron me autobus në linjën nga stacioni I autobusëve për në Universitetin e Evropës Juglindore, ku gjatë rrugës vërejti se kushtet e lëvizjes së lirshme të autobusëve ende nuk janë përmbushur, sepse veturat ende parkohen keq në mes të rrugës, dhe në disa pjesë edhe e bllokojnë pjesën e stacioneve dhe autobusëve ju pamundësohet të ndalen në këto pika. Kjo mund më mirë të vërtetohet në videon e mëposhtme.

Drejtori i Tetova Transport tha se javën e kaluar kanë pasur takim edhe kryeshefin e policies dhe janë  dakorduar që  policia  të merr masat e nevojshme për të rregulluar trafikun dhe sipas tij ata punojnë në këtë drejtim.

“Në periudhën e ardhshme do të shohim më tepër kontrolle nga policët në rrugë”, tha Darko Spirovski për Portalb.mk.

Për këtë kontaktuam edhe Sektorin për Punë të Brendshme Tetovë, dhe të njëjtit na thane janë të angazhuar në sigurimin e trafikut normal dhe të rrjedhshëm.

“Stacioni për sigurinë në komunikacionin rrugor, në bashkëpunim me vetëqeverisjen lokale nga Komuna e Tetovës, janë të angazhuar në sigurimin e trafikut normal dhe të rrjedhshëm. Përveç aktiviteteve të rregullta, pastrimi i zonave të trafikut, gjegjësisht vend-ndalesave të autobusëve, është gjithashtu një prioritet për pjesëtarët e policisë nga ky sektor, si dhe shërbimi komunal i merimangës do të ketë aktivitete të zgjeruara, të cilat do të ngrenë automjetet që do të parkohen në ato vende, për të mundësuar autobusët në transportin publik lokal të lëvizë pa pengesa dhe  probleme”, tha Fatmir Rexhepi nga SPB Tetovë për Portalb.mk.

Nga SPB Tetovë apelojnë që vozitësit që gravitojnë në pjesën qendrore të qytetit të Tetovës, veturat e tyre ti parkojnë në vend-parkime të caktuara dhe shenjëzuara për parkim.

“Çdo shkelje e konstatuar do të sanksionohet me parashtresa adekuate, duke përmendur se gjoba për këto lloje të shkeljeve është prej 45 deri më 180 euro në kundërvlerë të denarit”, thanë nga SPB Tetovë.

Rikujtojmë që autobusët janë blerë me kredi

Krediti prej 1.2 milion eurove të cilën e ka marrë Komuna e Tetovës do të filloje të paguhet pas tre vitesh, me normë interesi prej 3%, të cilën e ka konfirmuar ministri i Financave, Fatmir Besimi. Sipas kësaj, kryetari i ardhshëm i Komunës së Tetovës përveç pagesës së autobusëve, do të duhet të përballet edhe me borxhin prej 9,4 milion eurosh.

LEXO: Tetovë, pesë autobusët arritën sot ndërsa do të duhet 13 vite për t’i paguar (VIDEO)

Ndryshe, premtimin për transportin publik në Tetovë, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi e dha në mandatin e saj të parë në Programin për zgjedhje lokale të vitit 2013 “Ndërtojmë së bashku“,  ndërsa të njëjtën e përsëriti dhe në debatin e organizuar nga “BIRN Kosovë” dhe “Portalb.mk” në tetor të vitit 2017.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button