Kovid-19, vaksinat nuk janë eksperimentale ndërsa fëmijët janë të rrezikuar nga “Delta”, 6029 fëmijë të vaksinuar në RMV

Kemi verifikuar çdo pohim të pavërtetë në një video virale në Fejsbuk në të cilën flet një person i panjohur dhe shpërndan informacione të pasakta. Edhe pse ky person thotë se vaksinat janë eksperimentale, kjo sipas hulumtimit të Portalb.mk. rezulton të jetë e pavërtetë, gjithashtu, i njëjti thotë se të rinjtë nuk duhet vaksinuar kundër Kovid-19 për shkak se ata nuk janë të rrezikuar, edhe kjo rezulton të jetë dezinformatë. Deri tani, në RMV janë vaksinuar 6029 fëmijë.

E para, në videon e publikuar nga Adnan Smaili, një person i panjohur në gjuhën shqipe sugjeron shtetit shqiptar që të mos vazhdohet vaksinimi, për shkak se sipas tij, vaksina është eksperimentale.

“Pse vazhdoni me këtë gjilpërë eksperimentale, kur ka kaq shumë evidencë në mbarë botën” thotë ky person.

Kjo nuk është e vërtetë, vaksinat kundër Kovid-19 nuk janë eksperimentale ndërsa për krijimin e tyre, ata kanë kaluar në disa faza rigoroze për sigurinë dhe efikasitetin e tyre me çka është dëshmuar se janë efektive kundër virusit korona.

Pas marrjes së miratimit nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh) si dhe rregullatorëve nacional, të gjithë vaksinat duhet të kalojnë tre faza klinike të testuarit. Testimet klinike sigurojnë se vaksinat janë të sigurta edhe për personat me sëmundje të ndryshme si dhe për efikasitetin e vaksinës kundrejt virusit. Rezultatet e fazave klinike pastaj rishikohen nga shkencëtarë të pavarur për tu siguruar se të dhënat janë në rregull.

Testimet në fazën e tretë dhe aplikimi i tyre në botë ka vërtetuar se vaksinat janë shumë efektive në parandalimin e simptomave të rënda. Më poshtë mund të shihni efikasitetin kundrejt infektimit simptomatik me Kovid-19 e të gjitha vaksinave që merren në Maqedoninë e Veriut:

  • Pfizer–BioNTech – 95%
  • Oxford–AstraZeneca – 63%
  • Sinovac – 51%
  • Sputnik V – 92%
  • Covaxin – 78%
  • Johnson & Johnson – 66%
  • Moderna – 94%
  • Sinopharm – 79%

Ekspertët thonë se një vaksinë me 50% efikasitet është e mjaftueshme për të vendosur pandeminë nën kontroll. Gjithashtu, deri më 30 qershor, rreth 99% e personave që kanë humbur jetën në Shtetet e Bashkuara si pasojë e infektimit me Kovid-19, kanë qenë persona të pavaksinuar.

Organizata Botërore e Shëndetësisë vazhdon të monitorojë përdorimin e vaksinave kundër Kovid-19 si dhe përgjigjen në çdo çështje sigurie që ka të bëje me vaksinat. Kjo siguron se vaksinat janë të sigurta për tu përdorur.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) ka pasur vdekje të lidhura me vaksinën Johnon & Johnson, nga OBSh-ja theksuan se përfitimet nga vaksinat tejkalojnë çdo rrezik të mundshëm. Gjithashtu ka pasur vdekje të ndërlidhura me vaksinën AstraZeneca, por gjithashtu OBSh-ja theksoi se rreziku nga kjo është shumë i rrallë.

Ekspertët shëndetësorë në gjithë botën janë pajtuar se, përkundër rreziqeve të mundshme nga ndonjëra vaksinë kundër Kovid-19, përfitimet e tyre për njerëzit tejkalojnë çdo rrezik.

E dyta, ky person në video incizimin e publikuar apelon deri te prindërit që të mos vaksinojnë fëmijët e tyre, megjithatë, ekspertët shëndetësorë në gjithë botën inkurajojnë vaksinimin e fëmijëve nga mosha 12 vjeçe.

“Pse vazhdoni me këtë gjilpërë eksperimentale, kur ka kaq shumë evidencë në mbarë botën. Edhe, ju lutem shumë, mos lejoni këto vaksina te fëmijët, prindërit shqiptar, gjyshërit shqiptar, unë kam një thirrje te ju, si komb, unë ju dua shumë ju jeni shumë të kujdesshëm dhe merakli për shëndetin e fëmijëve. Në këtë rast, me këtë informacion që kemi, unë nuk këshilloj këtë” thotë ky person në video incizimin që e recensojmë.

Edhe pse numri i të hospizalizuarve nga Kovid-19 është më i lartë nga të moshuarit, virusi korona është i rrezikshëm edhe për fëmijët, sipas një studimi nga Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve.

Afër një të tretat e adoleshentëve të moshës 12-17 të hospitalizuar nga Kovid-19 kanë përfunduar në repartin intensiv, me çka 5% janë vendosur në oksigjen.

Shumica e adoleshentëve të hospitalizuar nga Kovid-19, apo rreth 70%, kanë pasur të paktën edhe një sëmundje tjetër shoqëruese, ndërsa ka pasur 30% prej adoleshentëve pa asnjë sëmundje shoqëruese që janë hospitalizuar. Sipas këtij studimi, asnjë prej fëmijëve të infektuarve nuk ka vdekur nga Kovid-19.

Qendra për Parandalim dhe Kontroll të Sëmundjeve në ShBA inkurajon të rinjtë e moshës 12-17 vjeçe të vaksinohen ndërkaq këtë e mbështet në studimin e tyre të fundit, i cili tregon qartë se edhe adoleshentët e rinj janë të rrezikuar.

“Jam shumë i shqetësuar për numrin e adoleshentëve të hospitalizuar dhe jam i mërzitur të shoh numrin e adoleshentëve në repartin intensiv” tha drejtori i CDC-së, Rochele Walensky.

E fundit, ky person thekson se fëmijët dhe të rinjtë nuk kanë asnjë shansë që të jenë në rrezik për jetë për shkak të infektimit me Kovid-19, statistikat e fëmijëve të hospitalizuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) e demantojnë atë.

“Unë nuk them që të rriturit të mos e marrin vaksinën, sepse unë mendoj që çdo i rritur duhet të marrë vendimin e vet për trupin e vet, por unë si prind, edhe ju si prind, kemi përgjegjësi për brezin e ri edhe thirrja ime është që të mos lejojmë fëmijët dhe të rinjtë të vaksinohen, ata nuk kanë asnjë pikë, zero shans që të vdesin nga kovidi, nuk janë rrezik për të tjerët, pse ne po e bëjmë këtë? Prandaj, vendosni, mos e bëni” thotë personi në videon që e recensojmë.

Numri i fëmijëve të hospitalizuar nga Kovid-19 në Shtetet e Bashkuara ka thyer rekord, edhe atë ka arritur deri në 1,900, kjo vjen si pasojë e shpërthimit të rasteve të reja me variantin “Delta”, i cili është vërtetuar si më transmetues deri tani.

Varianti Delta, i cili është duke u shpërndarë në mënyrë rapide, sidomos në mes të pavaksinuarve në Shtetet e Bashkuara, ka shkaktuar hospitalizime të mëdha javët e fundit, duke kaluar numrin e të hospitalizuarve në pediatri deri në 1,900, sipas të dhënave të Departmentit Shëndetësor Amerikan.

Fëmijët aktualisht përbëjnë 2.4% të hospitalizimeve në Shtetet e Bashkuara. Fëmijët nën moshën 12 vjeçe nuk kanë të drejtë të marrin vaksinën, duke i lënë ata si ndër më të rrezikuarit kundrejt variantit “Delta”.

“Ky nuk është virusi i vitit të kaluar. Ky është më i keq dhe fëmijët tanë janë ata të cilët do të jenë më të prekur,” kishte deklaruar Sally Goza, ish president i Akademisë së Pediatrisë të ShBA-ve për CNN.

Numri i të hospitalizuarve të rinj, të moshës 18-29, 30-39 dhe 40-49 gjithashtu ka thyer çdo rekord këtë javë, sipas të dhënave nga Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve.

Rasti i Marionnës: 14 vjeçarja e cila ndodhet në mbështetje të oksigjenit pas infektimit me Kovid-19

E bija e Angel Baker e cila është vetëm 14 vjeçe, Marionna, është detyruar të vendoset në mbështetje të oksigjenit për pesë ditë, si pasojë e infektimit nga Kovid-19.

Prindi Baker për CNN deklaroi se simptome e Marionnës filluan me datë 26 korrik dhe fillimisht ishte vetëm kokëdhimbja dhe lodhja. Gjendja u përkeqësua me datë 2 gusht kur vajza e saj tha se nuk mund të marrë frrymë. Pas vizitës në urgjencë dhe marrjes së barnave, vajza e Baker ishte ankuar të nesërmen se përsëri nuk mund të merr frrymë.

Tani Baker është duke u bërë më mirë, Baker tha se është penduar që nuk e ka vaksinuar vajzën e saj, Marionnë dhe ju apelon prindërve që të vaksinojnë fëmijët e tyre.

“Merreni vaksinën që të mos përfundoni në spital duke mos mundur të merrni frymë” tha Marionna për CNN.

Sa fëmijë janë vaksinuar në Maqedoninë e Veriut?

Portalb.mk ka përgatitur një infografik i cili tregon numrin e fëmijëve të vaksinuar në Maqedoninë e Veriut, deri tani, numri më i lartë i të vaksinuarve në kategorinë e fëmijëve, është ai i moshës 18 vjeçe, edhe atë gjithsej 2898.

  • 12 vjeçar – 92 fëmijë të vaksinuar
  • 13 vjeçar – 196 fëmijë të vaksinuar
  • 14 vjeçar – 260 fëmijë të vaksinuar
  • 15 vjeçar – 497 fëmijë të vaksinuar
  • 16 vjeçar – 757 fëmijë të vaksinuar
  • 17 vjeçar – 1329 fëmijë të vaksinuar
  • 18 vjeçar – 2898 fëmijë të vaksinuar

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button