Koha për ndryshim: minimalizmi si mënyrë jetese (3)

“Thjeshtësia, qartësia, qetësia: këto janë atributet që fuqizojnë, gjallërojnë dhe lumturojnë jetën tonë, janë shenja të artit madhështor.”

Richard Holloway

Simplify (2014) është vepër e Beckerit, bazuar në qasjen racionale, që lëvdon ‘të jetuarit më tepër duke zotëruar më pak’. Ky autor frymëzon me mijëra njerëz duke i thirrur që të braktsini mënyrën e jetesës duke kërkuar dhe akumuluar shumë e më shumë, duke nënvizuar kënaqjen me të paktën. Ai sot përvojën e vet ua rrëfen njerëzve anekënd botës, i thirr ata që ta përjetojnë lirinë e njëjtë duke zbuluar benefitet e panumërta të jetës reale duke jetuar me më pak. Nëse doni ta shmangeni nga ngarkesa e tepërt e gjërave që i keni pranë jush dhe të riorganizoni jetën tuaj reale rreth pasioneve të zemrës bëni ndryshim, kuptojeni faktin se “jeta është stresante kur shoqërohet me detaje dhe ndërlikime të pafundme” (Weiss, 2020). Becker thotë se janë shtatë mënyra që shembëllejnë jetën minmaliste dhe të jetuarit me më pak: reduktimi në veshje, dekorime, lojëra, enë, TV, banaku i kuzhinës, mobiljet.

Sipas Tim Denning-ut (2019), “minimalizmi nuk ka të bëjë me numrat ose me hapësirët tërësisht të boshatisura ku ju qëndroni dhe vështroni muret e bardha. Është mënyrë jetese, një mundësi për të harxhuar më tepër kohë mbi atë që e çmoni dhe më pak për sferat e jetës që nuk ju sjellin kurrfarë kënaqësie ose përmbushjeje”.

Minimalizmi ka të bëjë me shmangien e gjërave të panevojshme, me thjeshtësinë, përdorësinë dhe elegancën. Motoja e tij është “e pakta është më shumë” (Less is more), në kuptimin që mbërthen më shumë gjëra ndonëse në numër më pak; Bemorewithless! “Projekti 333” i Courtney Carver-it premton se mund të mbijetoni me vetëm 33 artikuj në dollapin tuaj për 3 muaj, se mund të ngadhënjeni këtë luftë sikurse mijëra veta që s’kanë shikuar më mbrapa. Daniel Suelo, duket e pabesueshme, por është e vërtetë që për 12 vite jeton pa shfrytëzuar paranë (moneyless). Leo Babauta, një bloger, gazetar dhe autor amerikan jeton pa toster, pa mikrovalë, pa rulo letrash, pa veturë, pa sigurim veture, shëndeti, pa sigurim shtëpie, pa borxh, pa kabllovik, TV, tharëse flokësh, pa brushë dhe pa krehër, pa foto album, pa antarësi në gym, pa mish, djath, vezë, pa junk food, pa magazinë dhe gazetë, pa lajme online, pa FB, instagram, Pinterest, pa ads dhe popups-a, pa programe të shpërndarjes sociale, pa kufer, pa smartfon. Po jeton, edhe atë i qetë e i lumtur. Thotë: “Nuk jam më i mirë se askush që i ka këto gjëra. Gjërat e radhitura sipër i kam parë si të panevojshme në jetën time.”

Thuhet se minimalistët vuajnë apo sakrifikojnë ngase kanë më pak gjëra dhe më pak përvoja interesante. Por, a është kështu? Është e kundërta. Ngase minimalistët mjaftohen me vetëm disa gjëra, shumicën e të cilave i bëjnë vetë, duke begatuar kështu përvojën e vet. Tek ata, cilësia ngadhënjen ndaj sasisë. Minimalistët e gjejnë kënaqësinë te vetë jeta dhe përvojat që ajo ofron. Bleni gjërat që realisht ju duhen, jo që i pëlqeni! Vernon Howard, një mësues shpirtëror dhe filozof amerikan shënon se jeta e thjeshtë ka të bëjë me vetë-mjaftueshmërinë ku individët janë të kënaqur me atë që kanë e jo me atë që duan: “Në jetë ia keni dalë kur gjithë ajo që doni është ajo për të cilën vërtet keni nevojë.” Në botën e prodhimit masovik ekzistojnë miliarda gjëra, por ju nuk keni nevojë për të gjitha.

Si qëndron puna me ne shqiptarët në këtë drejtim? Jemi minimalistë apo maksimalistë? Meqë kemi kaluar periudha të privimit dhe skamjes, sot kur kemi arritur një standard disi më të mirë, shpesh harxhojmë pa kriter, pa masë, pa logjikë të shëndoshë. Duam që t’i tregojmë tjetrit aristokracitetin tonë të paqenë përmes gjërave materiale. Prishin shtëpi të ndërtuara para 25 viteve e bëjmë syresh mediteraniane në lartësi të mëdha mbidetare, blejmë ar për dasëm sa s’bën, hamë e pimë nëpër restorante sikur s’kemi shtëpi, b;ejmë orendi e veshje që s’i përdorim kurrë, bëjmë shumë hapa pa karar. Ta përmbyllim me një thënie nga misticizmi islamik: “Kemi ardhur në bahçen e kësaj bote për të mbledhur trëndafila, por ama bëjmë hamallëkun e therrave.” Sa keq!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button