ANALIZË:  Investimet e huaja në RMV – çfarë është premtuar, njoftuar dhe realizuar!

Po kalon edhe gjysma e dytë e vitit. Tremujori i parë ekonomik përfundoi me vetëm 25.7 milionë euro investime të huaja direkte. Edhe ky vit 2021 është pjesë e Planit të madh të Ndërhyrjes për Investime të Qeverisë 2021-2027 me vlerë prej gati 8,2 miliardë euro. Këtë muaj, Parlamenti i miratoi ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Mbështetjen Financiare të Investimeve, të cilat i rregullojnë kushtet për dhënien e mbështetjes financiare për investime, dhe një nga ndryshimet kryesore është që kompanitë që marrin ndihmë shtetërore kanë një detyrim shtesë për ta ruajtur investimin për një periudhë të paktën pesë vjet pas përfundimit të ndihmës financiare. Në këtë Analizë të Portalb.mk, rendisim se sa dhe në cilët sektorë janë njoftuar investime dhe kur pritet realizimi i tyre.

Premtime të mëdha – mijëra të punësuar, qindra miliona euro investime…

Ky vit filloi me njoftime ambicioze për investime të reja të huaja – nga Gjermania, Suedia, Sllovenia. Premtime për punësime të reja, për zhvillimin e TI-së, për ndihmë më të madhe në zhvillimin e përgjithshëm ekonomik. Si filloi viti 2021…

  • 20 janar 2021:  “Iprotex” në Bunarxhik 2

Njoftimi i parë në vitin 2021 – investimi i kompanisë gjermane “Iprotex” – pjesë e grupit Innotech&Iprotex në Zonën e Lirë Bunarxhik 2. Investim prej 5 milionë eurosh dhe krijimi i të paktën 30 vendeve të reja të punës. Ky investim u shpall në fillim të vitit si një “shkëndijë pozitive që shënon fillimin e një valë të re investimesh”.

“Unë besoj se kjo kompani do të jetë vetëm një nga kompanitë e shumta që do të realizojnë investime të reja në vitin 2021” – tha atëherë zëvendëskryeministri, Fatmir Bytyqi.

Kjo kompani gjermane vjen nga industria e automobilave.

  • 5 mars 2021:  “Nick’s Balkans” në Manastir

Marka suedeze “Nick’s” njoftoi zgjerimin e investimit të tyre në një fabrikë të re prodhimi në Manastir. Vlera e investimit 4 milion euro – planifikohet të krijohen 150 vende të reja pune. Sipas njoftimit – investimi duhet të realizohet deri në fund të vitit. Kjo kompani është tashmë e pranishme në vend që nga viti 2017 dhe ka depërtuar në industrinë e ëmbëlsirave, ndërsa i gjithë prodhimi është i dedikuar për eksport. Deri më tani janë punësuar rreth 60 persona.

  • 17 mars 2021: Parku i mullirit me erë – Bogdanci

Investim prej mbi 40 milionë euro në një nga sektorët më strategjikë – energjetikë. Ndërtimi i një mulliri me erë me kapacitet prej 30 megavatësh në komunën e Bogdancit. Pas këtij investimi qëndrojnë kompanitë sllovene “Interenergo” dhe “Trigal”.

“Ajo që ka një rëndësi të madhe për të gjithë ciklin e investimit është që kontraktorët vendas do të përfshihen në ndërtim, gjë që do të kontribuojë më tej në zhvillimin e ekonomisë lokale në vend” – njoftoi kryeministri Zaev në mars.

  • 7 maj 2021: “Lear” dhe “Normak Investment Group” në Tetovë

Në maj të këtij viti, u vendos gur-themeli i fabrikave të reja të kompanive “Lear ”dhe “Normak Investment Group” në ZZhtI – Tetovë. Investim amerikan me vlerë 15 milionë euro.  “Lear” tashmë punon në zonën e lirë ekonomike të Tetovës – prodhon mbulesa të ulëseve të automobilave, dhe i gjithë prodhimi është i destinuar për eksport.

“Deri në nëntor të vitit 2021, pres që faza e dytë të përfundojë dhe kjo do të thotë 1.000 deri në 1.200 vende të reja pune” – deklaroi atëherë kryeministri, Zoran Zaev.

  • 30 qershor 2021:  “Magna” në Strugë

“Kompania kanadeze “Magna” mori vendimin për të investuar dhe hapur një fabrikë në Maqedoninë e Veriut, kryesisht për shkak të klimës së mirë dhe të parashikueshme të biznesit në vend” – kështu e njoftoi udhëheqja shtetërore këtë investim në ZZhTI – Strugë.  Janë shpallur 1,200 vende pune. Cikli i investimeve të “Magna”, i cili vjen nga industria e automobilave, filloi në mars të vitit 2021 dhe sipas njoftimeve do të zgjasë deri në vitin 2026. Vlera e investimit është të paktën 35 milionë euro – kompania do të marrë ndihmë shtetërore përmes përjashtimeve të ndryshme tatimore dhe granteve për hapjen e vendeve të reja pune.  Për momentin, janë punësuar 40 persona.

Për kompanitë e huaja – dhjetëra miliona euro “ndihmë shtetërore”…

Në përpjekje për t’i ruajtur investitorët ekzistues dhe për të tërhequr investitorë të rinj – Qeveria i ka vazhduar politikat e saj të subvencioneve shtetërore për kompanitë e huaja. Sipas të dhënave, vetëm për këtë vit, Qeveria planifikon një shumë prej rreth 63 milionë euro për të mbështetur kompanitë e huaja që do të investojnë në vend. Vitin e kaluar, 37 kompani u paguan 25,6 milion euro në formë të mbështetjes. Disa nga këto mjete janë edhe për vende pune. Edhe pse rroga mesatare në zonat e lira po rritet – megjithatë punonjësit në kompanitë e huaja nuk mund të “mburren” me rroga evropiane.

Nga njoftimet e deritanishme nga qeveria, mund të vërehen dy synime në lidhje me investimet e huaja – të rritet vëllimi i tyre dhe të rriten rrogat e punonjësve në kompanitë e huaja, të cilat subvencionohen me paratë e shtetit.

“Qëllimi ynë është të rrisim rrogat e punëtorëve të angazhuar në zonat industriale për 30% deri në 50% deri në vitin 2024, përmes rritjes së produktivitetit të punës. Me konceptin e ri të tërheqjes së investimeve që ZHhTI e ka aplikuar muajt e fundit, kemi arritur të stimulojmë interesin në më shumë se 30 kompani për investime mbi 425 milionë euro, të cilat do të sjellin 8,500 vende të reja pune” – deklaroi drejtori i ZZhTi, Jovan Despotovski, në një nga promovimet e investitorëve të huaj.

Sipas “Planit të Ndërhyrjes për Investime 2021-2027 ”të shpallur nga Qeveria, janë premtuar dhe njoftuar kompani nga Gjermania, Belgjika, SHBA, Zvicra, Turqia, Holanda, Sllovenia nga disa sektorë industrialë, si farmacia, automobilistika, ushqimi, industria e ndërtimit, prodhimi i bojlerëve. Pjesë e investimeve të njoftuara:

  • Kompani nga Gjermania, fabrikë paketimi në industrinë farmaceutike, vlera e investimit 120 milionë euro, 180 vende të reja pune
  • Kompani shumëkombëshe, zgjerim me një objekt të ri, vlera e investimit 17 milionë euro, 100 vende të reja pune
  • Kompani nga Italia, zgjerim me një objekt të ri, vlerë e investimit 10 milionë euro, 50 vende të reja pune
  • Kompani nga Gjermania, fabrikë e re në Kumanovë, vlera e investimit 16 milionë euro, 1,000 vende të reja pune
  • Kompani nga Turqia, kapacitet prodhues, vlera e investimit 12 milionë euro, 215 vende të reja pune

Sipas “Planit të Ndërhyrjes” priten 30 investime me vlerë rreth 600 milionë euro dhe krijimi i disa mijëra vendeve të reja të punës.

Në gjysmën e parë të vitit, u nënshkruan marrëveshje për investime të reja të huaja me vlerë 105 milionë euro, të cilat duhet të krijojnë 1,850 vende të reja pune.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button