Të paktën 28 të vdekur nga një shpërthim në Liban

Të paktën 28 persona kanë vdekur pasi një kamion, që po barte karburant, ka shpërthyer në Akkar të Libanit. Shkaku i shpërthimit, që ndodhi më 14 gusht, është ende i paqartë.

Kryqi i Kuq në Liban tha se ekipet kanë transportuar 20 trupa nga skena dhe shtoi se ka ende të lënduar. Kjo organizatë tha se numri i të lënduarve është 79.

Libani po përballet me varfëri, rënie të vlerës së monedhës kombëtare dhe mungesë të gjërave bazike, siç janë ilaçet. Po ashtu, ky shtet përballet me mungesë të madhe të karburanteve, që ka bërë që njerëzit të kenë vetëm dy orë energji elektrike brenda ditës, transmeton REL.

Ushtria e Libanit tha më 15 gusht se kishte konfiskuar mijëra litra benzinë dhe naftë që shpërndarësish po grumbullonin në stacione në mbarë vendin.

Agjencia shtetërore e lajmeve tha se kamioni i mbushur me karburante që ushtria kishte konfiskuar – që ishte pjesë e përpjekjeve për të ndaluar grumbullimin e paligjshëm të karburanteve – ka shpërthyer.

Kjo agjenci tha se shpërthimi ndodhi gjatë natës kur “banorët ishin mbledhur rreth këtij kamioni për të marrë benzinë”.

Agjencia shtoi se ushtria ishte larguar nga vendi para se të ndodhte shpërthimi.

Ky shpërthim në rajonin Akkar vjen dy javë pasi Libani shënoi përvjetorin e parë të shpërthimit në portin e Bejrutit, ku u vranë mbi 200 persona.

Ish-kryeministri Saad al-Hariri tha se shpërthimi i kamionit me karburante “nuk ka dallim nga masakra në port”. Ai u bëri thirrje zyrtarëve, përfshirë edhe presidentit, që të marrin përgjegjësi dhe të japin dorëheqje.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button