Shqipëria do t’i përgjigjet pozitivisht kërkesës së SHBA-së për strehimin e afganëve

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama konfirmoi se ditët e fundit, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar nga Shqipëria që të shërbejë si vend transit për emigrantët politikë afganë. Ai tha se kësaj kërkese, Qeveria shqiptare do t’i përgjigjet pozitivisht.

“Pa diskutim që ne nuk do të themi jo, e jo thjesht pse na e kërkojnë aleatët tanë të mëdhenj, po sepse ne jemi Shqipëria. Shqipëria është shtëpia e shqiptarit që as me Kanun, as me zakon, e as me moral po të doni, nuk ua përplas derën në fytyrë të panjohurve që trokasin për mbrojtje”, shkroi Rama në rrjetin social Facebook.

Agjencia Reuters raportoi më 13 gusht se Qeveria amerikane ka zhvilluar bisedime të fshehta me Shqipërinë dhe Kosovën për të strehuar përkohësisht afganët që kanë punuar me forcat amerikane në Afganistan, derisa të përfundojë procesi i miratimit të vizave të tyre amerikane.

Burimet i kanë thënë agjencisë Reuters se Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Kosovës favore ekonomike dhe politike për marrjen e disa mijëra afganëve. Por, diplomatët amerikanë kanë thënë se në Uashington ka shqetësime për aftësinë e Kosovës që të strehojë afganët.

Ambasada amerikane në Prishtinë dhe Qeveria e Kosovës nuk i janë përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë nëse një kërkesë e tillë i është bërë autoriteteve në Prishtinë, transmeton REL.

Por, Rama tha se shpreson që edhe Qeverisë së Kosovës i është kërkuar që të strehojë afganët që kanë punuar me forcat amerikane.

“Nuk e di nëse amerikanët i kanë kërkuar edhe Kosovës të strehojë afganët që u ekspozuan si miq dhe mbështetës të ushtrive aleate; uroj që në rast se po, Qeveria e Kosovës të përgjigjet pozitivisht, për nderin e saj e të Kosovës sigurisht”, tha Rama.

Rama tha po ashtu se gjatë samitit të NATO-s ai kishte ngritur çështjen e mbrojtjes së afganëve që kanë punuar me forcat ndërkombëtare.

Prandaj, tha ai, se ende pa ardhur kërkesa e Qeverisë amerikane “ne kemi mirëpritur dy kërkesa prej dy institucionesh shoqërore shumë të respektueshme përtej oqeanit, për të vlerësuar strehimin e përkohshëm në Shqipëri të disa qindra personave, nga rrethet intelektuale dhe të grave aktiviste afgane, të cilët janë nga të parët në listat e ekzekutimeve të barbarëve të Afganistanit”.

Në Afganistan, militantët talibanë po marrin me shpejtësi kontrollin nga forcat qeveritare, teksa forcat ndërkombëtare, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë nisur tërheqjen.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button