Të rinjtë gjatë pandemisë me më pak para dhe shoqërim

Pandemia ka goditur shumë persona – në aspektin shëndetësor, personal, ekonomik, ndërsa një nga kategoritë të cilës iu shkurtuan paratë, arsimi dhe shoqërimi janë të rinjtë. Sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, çdo i gjashti person që e ka humbur punën gjatë pandemisë është i ri

Po e publikojmë sërish analizën e së shtunës fillimisht publikuar më 6 mMars 2021.

Studioj dhe punoj në një kafene – kjo strategji për të kaluar ditët studentore të kësaj grupmoshe duket se është më e vështirë të realizohet në kohë pandemie.

Kafenetë dhe restorantet, vende ku studentët punojnë shpesh, janë goditur rëndë nga pandemia e koronavirusit, prandaj një pjesë e tyre u mbyllën, ndërsa disa larguan punëtorë nga puna. Shumica e atyre që u larguan janë të rinj, sepse janë të punësuar me kontratë që mundëson ata të pushohen më lehtë, tregojnë hulumtimet e Forumit Rinor Arsimor. Por edhe ata që i kanë mbajtur punët e tyre nuk kanë xhepin njëlloj të plotë si para koronavirusit.

“Shumë nga të rinjtë mbetën pa punë duke marrë parasysh faktin se shumë të rinj janë të punësuar në hotelieri. Nga këtu, me të gjitha masat që u realizuan gjatë muajve të kaluar për të parandaluar përhapjen e pandemisë dhe mbylljen e këtyre objekteve ku punojnë të rinjtë, është logjike të pritet që të rinjtë të preken më shumë në këtë industri” tha Petar Barlakovski nga Forumi Rinor Arsimor, transmeton REL.

Irena Ivanovska, Kryetare e Seksionit të rinisë në Federatën e Sindikatave të Maqedonisë thotë se sipas të dhënave aktuale, çdo i katërti person që e ka humbur punën nga fillimi i pandemisë është i ri deri në 29 vjeç, gjë që e përkeqëson më tej papunësinë e të rinjve dhe është 35 %, që është ndër më të lartat në Evropë.

“Të rinjtë janë një nga kategoritë më të rrezikuara dhe më të lëndueshme kur bëhet fjalë për të drejtat e tyre të punës. “Siç tregojnë të dhënat që kemi në dispozicion nga fillimi i krizës shëndetësore, pothuajse 35.000 njerëz kanë mbet pa punën dhe pa mjete për jetesë, ndërsa pothuajse 34% e tyre janë të rinj deri në moshën 29 vjeç”, tha Ivanovska.

Ajo shton se shumica e të rinjve që humbën punën kanë qenë me kontrata me kohë të caktuar, kurse disa prej tyre kanë punuar edhe ilegalisht. Përveç se nuk i kanë të rregulluar dokumentet zyrtare të punës, të rinjtë shpesh fitojnë shumë më pak se të moshuarit që janë në të njëjtat punë. Kështu ishte  para pandemisë, por gjatë koronavirusit edhe ata që i kanë mbajtur punët e tyre, sipas analizës së Forumit Rinor Arsimor, kanë të ardhura të reduktuara.

“Përveç se kemi rritje të papunësisë të të rinjve, ata po përballen edhe me ulje të pagave të tyre. Ashtu e pamë, sipas disa analizave të të dhënave, se në muajt pas shkurtit ata kanë pas të ardhura të zvogëluara” thotë Barlakovski.

A u ndihmoi Qeveria?

Ndërkohë, qeveria miratoi disa pako masash për të zvogëluar efektet e Covid -19 në ekonomi. Të rinjtë përfshihen në paketën e tretë, por aty nuk përfshihen numër të mjaftueshëm të rinjsh, thotë Ivanovska.

“Qeveria ofroi ndihmë për të rinjtë e moshës 16 deri 29 vjeç dhe mendoj se ishte rreth 12 milion euro, të cilat duhet të sigurojnë të rinjtë dhe fuqinë e tyre blerëse përmes një sërë masash, mendoj se ishin tre. Ajo që na intereson është përse nuk kemi të dhëna se sa janë përdorur këto masa dhe sa të dobishme janë”, tha Ivanovska.

Paketa rinore e përmendur nga Ivanovska u prezantua majin e kaluar. Me të parashihej të ketë ndihmë të pakthyeshme deri në 6.000 denarë për studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme nga familjet me të ardhura të ulëta, para që duhej të përdoreshin ekskluzivisht për participim për shkollim në universitete dhe akomodim, pastaj një vauçer me shumë maksimale deri në 30,000 denarë për të rinjtë deri në 29 vjeç, për të bashkëfinancuar trajnime, kurset për IT dhe aftësitë digjitale dhe lloji i tretë i masave ishte një kartelë pagese vendore me shumë prej 3.000 denarë, e cila do të jetë e destinuar për studentët dhe do të përdoren ekskluzivisht për blerjen e produkteve dhe shërbimeve vendase në aktivitete të caktuara shërbimi që janë më të prekura nga kriza.

Sipas Barlakovskit, qeveria nuk ka qasje strategjike për t’u përballë me pasojat ekonomike që i ndiejnë të rinjtë. Duke bërë plane të përgjithshme, thotë ai, ndodh që grupet më të prekura të mos marrin ndihmë adekuate.

“Si shembull, do të marr masën për një kartë pagese prej 3000 denarësh. “Ne e shohim këtë si një masë pozitive, por do të ishte edhe më pozitive kur kjo masë u drejtohet atyre që kanë më shumë nevojë, gjegjësisht atyre të rinjve që përballen me të ardhura të reduktuara, si personalisht, por edhe brenda familjes së tyre”, tha Barlakovski.

Organizata joqeveritare Reaktor së bashku me disa organizata të tjera joqeveritare prillin e kaluar, shumë shpejt pas shpalljes së pandemisë, përgatitën një dokument të quajtur rekomandime Urgjente për zvogëlimin e efekteve negative të krizës kovid-19 tek të rinjtë. Organizatat në atë rast rekomanduan masa lehtësuese në disa fusha – papunësia dhe efektet ekonomike, arsimi, pasojat psiko-sociale dhe shëndetësore, dhe angazhimi e vullnetarizmi i të rinjve.

Para një viti ata, në pjesën e masave ekonomike, rekomanduan të drejtën për kompensim monetar për të rinjtë e papunë gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, për të siguruar mbrojtjen e punëtorëve të pavarur (që punojnë me honorar dhe profesionistë të pavarur etj.), zbatim të politikës Garanci për të rinjtë në të gjithë territorin, sigurim të këshillimeve ligjore falas për të rinjtë, shërbimet civile të reagojnë në mënyrë më efektive për të parandaluar abuzimet në kohë krize, në raste pushimeve nga puna me marrëveshje, për të siguruar që punëdhënësit që punojnë gjatë krizës të ofrojnë mbrojtje të detyrueshme të vendit të punës për të parandaluar infektim nga koronavirusi, mos të ndahet ndihmëfinanciare për kompanitë që kanë pushuar nga puna punëtorët që nga fillimi i krizës.

Një vit më vonë, Blazhen Maleski, nga OJQ Reaktor, thotë se dokumenti që ata hartuan ishte në një fazë shumë të hershme të pandemisë, kur askush nuk mund ta merrte me mend se si do të shkonin gjërat. Por ajo që shqetëson ata sot thotë ai i është se masat e qeverisë nuk u përqendruan tek të rinjtë. Prandaj, shton Maleski, tani mund të vlerësohet se stimuli financiar i qeverisë për të blerë produkte vendore ose për të rinjtë e papunë nuk ishte i mjaftueshëm për t’i mbajtur të rinjtë në tregun e punës.

“Nga sa mund të shohim, qeveria po zbaton “politikat ombrellë”, gjegjësisht po përpiqet t’i mbrojë të gjithë, por në një moment nën atë ombrellë nuk qëndron askush edhe pse bie shi. Në këtë rast, janë të rinjtë sepse ata nuk e kanë mbajtur punët e tyre, veçanërisht në hotelieri dhe industri të tjera që vuajnë më shumë gjatë pandemisë”, thotë Maleski. Të rinjtë janë viktima të pandemisë edhe në botë.

Në Paris, OJQ u ndihmojnë të rinjve për ushqim

Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare të Punës, çdo i gjashti person që e ka humbur punën gjatë pandemisë është i ri.

Goce Atanasov

Ashtu si qindra të rinj të tjerë, 21-vjeçarja Leila Idedaim qëndron në radhë për ndihmë në ushqim në Paris. Pa perspektivë pune, studentja e menaxhimit të hotelierisë përpiqet të plotësojë nevojat e saj themelore. Një e katërta e profesionistëve të rinj francezë nuk mund të gjejnë punë, kurse shumë studentë qëndrojnë në radhët për ushqim ose telefonojnë për ndihmë psikologjike. Ata janë e ardhmja e Francës dhe gjendja e tyre është vendimtare për betejën e vendit për të dalë nga pandemia dhe për të ringjallur ekonominë.

Planet e Ideaim kanë ndryshuar plotësisht që nga shpërthimi i pandemisë. Kur u transferua në Paris nga Franca jugperëndimore vitin e kaluar, ajo nuk mund të studionte duke u vetëfinancuar, siç kishte planifikuar, sepse restorantet ishin mbyllur. Por, ndihma i erdhi nga Linki, një organizatë me seli në Paris, e cila mbledh ushqime të papërdorura.

Linki është një nga programet e ndihmës ushqimore që ndihmon studentët në të gjithë vendin.

“Ky është një nxitje e shkëlqyeshme për moralin – ta di se do të ha mirë dhe do të vij në një vend me shumë njerëz dhe të gjithë janë në diskonim të mirë”, tha ajo për Associated Press.

Çdo muaj, Idedaim, e cila duhet të vetë-mbahet financiarisht, duhet të paguajë mbi 800 euro për faturat për akomodimin, transportin dhe shërbimet. Duke jetuar në një periferi të Parisit, studentja energjike dhe e shkathët është “shumë e lumtur” që kohët e fundit ka filluar një praktikë në një kamp 45 km në lindje të Parisit, ku vozit disa ditë në javë. Fiton 300 euro në muaj.

“Po përpiqem të gjej një punë të përkohshme kur ka sepse nuk ka punë në restorante. Kështu që kur të mundem, përpiqem të gjej një punë të përkohshme në ndonjë qendër tregtare.”

Me vetëm tre javë leksione të drejtpërdrejta që nga shtatori dhe si e sapoardhur në qytet, ajo gjithashtu ndihet e privuar nga lidhjet shoqërore që janë aq të nevojshme për të ndërtuar jetën e përditshme.

“Bëj një listë në Google dhe vendos shpenzimet e mia dhe kostot fikse çdo muaj. Kështu që shikoj se sa marr dhe llogaris atë që më ka mbetur dhe ku mund ta shtrëngoj rripin tim – për shembull në ushqim. Kur ka fatura, unë duhet t’i paguaj ato. Prandaj përpiqem të punoj çdo muaj, por ajo që është e vështirë është se nuk është e njëjta sasi që vjen çdo muaj.”

Linki, e cila ofron ushqim të freskët, produkte higjienike për studentët, ka shënuar kërkesë në rritje muajt e fundit. Julien Maimon, kryetar i Linkey, thotë se gati tre tonë ushqim u jepen rreth 500 studentëve vetëm brenda një natë.

“Do të thotë që sonte, më shumë se dy ton e gjysmë ushqim po shpërndahen në këto qese. Më shumë se dy e gjysmë, në fakt, gati tre tonë. Nuk e di nëse e kuptoni, por është diçka jashtëzakonisht e madhe. Kjo është arsyeja për të cilën ka aq shumë vullnetarë – ka shumë studentë, ata janë vullnetarë, por ata gjithashtu do të largohen me çantën e tyre sonte.”

Me një buzëqeshje në fytyrë, Idedaim tregoi çantën e me sallatë dhe lulelakër, mollë, salmon të tymosur, jogurt dhe çokollatë.

“Ashtë një lehtësim – do të ha më mirë. Do të ngecja me makarona çdo ditë ose ushqim të lirë. Kështu, unë ha më mirë dhe kursej shumë çdo muaj pa pasur nevojë të blej ushqim dhe gjithashtu artikuj të higjienës personale. Pra, natyrisht, ende shpenzime, duke përfshirë qiranë, sigurimin dhe transportin. Por janë shumë para çdo muaj për të blerë ushqim dhe për të ngrënë mirë – është një pjesë e rëndësishme e jetës. Sidomos për disponimin tuaj! ”

Franca është nën orë të rreptë policore nga ora 18, kurse restorantet dhe vendet turistike që zakonisht ndihmojnë në nxitjen e ekonomisë mbeten të mbyllura. Qeveria po bën përpjekje për të ndihmuar. Ajo ofroi një bonus shtetëror deri në 8,000 euro për kompanitë që do të punësojnë të rinj. Këto ditë, universitetet i kanë lejuar studentët të kthehen në klasa një ditë në javë për t’i ndihmuar ata të rimarrin një ndjenjë të jetës normale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button