Me marrjen e provincës Logar, talebanët afrohen drejt kryeqytetit të Afganistanit

Duke shënuar avancime të shpejta gjatë ditëve të fundit, talebanët tani kanë marrë kontrollin e 15 prej 34 kryeqyteteve provinciale të Afganistanit, konfirmuan burimet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pas disa ditëve përplasje të rënda, kryengritësit dje kapën qytetin e dytë dhe të tretë më të madh të Afganistanit, Kandahar dhe Herat, dhe përparuan në tre kryeqytete të tjera provinciale deri sot në orët e para.

Talebanët kanë marrë kontrollin në Pul-e-Alam, kryeqytetin e provincës lindore Logar, e cila shtrihet më pak se 90 kilometra nga Kabuli, tha zëdhënësi i grupit Zabihullah Mujahid në një seri postimesh në Twitter.

Ai tha se selia e policisë dhe burgu i përgjithshëm në qendër të Logarit janë marrë nën kontroll, duke shtuar se disa ushtarë janë dorëzuar dhe shumë armë, përfshirë dy tanke, janë kapur.

Përplasjet janë duke vazhduar në pjesën jugore të Pul-e-Alamit, tha ai në postimet në Twitter që kishin edhe videoklipe të avancimeve të kryengritësve në Logar, e cila është provinca e presidentit afgan Mohammad Ashraf Ghani.

Më herët, talebanët morën kontrollin në Feroz Koh, kryeqytetin e provincës qendrore Ghor, si dhe në Qala-e-Nau, kryeqytetin e provincës perëndimore Badghis.

Pul-e-Alam është kryeqyteti i 15-të provincial që u pushtua plotësisht ose pjesërisht nga talebanët, pas qyteteve Kandahar, Lashkargah, Herat, Feroz Koh, Qala-e-Nau, Ghazni, Fayzabad, Aybak, Zaranj, Sheberghan, Kunduz, Pul- e-Khumri, Taluqan dhe Sar-e-Pul.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button