Simovski: Nuk ekziston mundësi për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë – interesim i ulët për regjistrues

Opsioni për shtyrjen e sërishme të regjistrimit, i cili për shkak të pandemisë nuk u mbajtë në prill, sipas Simovski, tani për tani nuk ekziston. Enti shtetëror po përfundon përgatitjet dhe nuk merr parasysh shtyrjen e operacionit statistikor. Nëse merret vendim që përsëri të prenotohet data e regjistrimit, atëherë ai vendim do të jetë politik, transmeton Portalb.mk.

Interes i ulët për regjistrues

Në regjistrimin e ardhshëm, i cili do të zhvillohet nga 5 deri më 30 shtator, mbi 5.500 regjistrues duhet t’i vizitojnë shtëpitë e qytetarëve. Për regjistrim nuk nevojitet pasaportë valide, por numër unik identifikimi. Nëpër shtëpi do të shkojë një regjistrues, përveç në zonat ku ka shumë bashkësi etnike. Regjistrimi do të zhvillohet në 7 gjuhë. Regjistruesit me vete do të marrin laptop, kurse qytetarët do të duhet t’u përgjigjen rreth 60 pyetjeve. Të dhënat e futura do të shkojnë menjëherë në bazën e të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave dhe do të kryqëzohen me bazat e të dhënave të tjera, përfshirë Ministrinë e Punëve të Brendshme, Kadastrën, Agjencinë për Punësim, DAP-in, etj. Pyetësorët me të dhëna të rreme do të refuzohen automatikisht dhe do të shkojnë për verifikim shtesë. Kjo është paraparë me Metodologjinë e regjistrimit.

Por, disa javë para fillimit të regjistrimit, autoritetet nuk mund të plotësojnë numrin e regjistruesve të nevojshëm për punën në terren. Shpallja për regjistrues është publikuar prej kohësh, por mungojnë 1000 deri në 1500 regjistrues. Interesi është shumë i dobët, veçanërisht në rajonet e regjistrimit që përfshijnë qytetin e Shkupit dhe zonën përreth, Ohrin, Strumicën, Novo Sellën dhe në rajonet e regjistrimit ku jeton popullsi shqiptare. Vetëm në 20 rajone nga gjithsej 50 është plotësuar numri i regjistruesve.

Simovski vlerëson se frika nga pandemia nuk është arsyeja për interesin e ulët të qytetarëve për të aplikuar për regjistrues. Sipas tij, pushimet vjetore mund të kenë ndikim, por edhe informacionet e pamjaftueshme të qytetarëve, për shkak të të cilave në ditët në vijim do të përpiqen në mënyra të ndryshme t’i stimulojnë që të aplikojnë për regjistrim në terren. Trajnimi i regjistruesve do të fillojë më 28 gusht.

Ndryshe, fati i zbatimit të këtij procesi të rëndësishëm pritej të jetë prilli i këtij viti. Megjithatë, përmes pazareve politike, Zaev dhe Mickoski, pa konsultim edhe të partive shqiptare opozitare, vendosën që ta shtyjnë këtë proces dhe të zhvillohet nga 5 deri më 30 shtator. Partitë shqiptare nga ana tjetër, nuk ishin aspak faktor për shtyrjen ose mos-shtyrjen e këtij procesi. Zaevi, përmes një bisede telefonike e informoi Ahmetin për vendimin që kishin marrë me Mickovski, kurse kreu i BDI-së vetëm i shtoi “aminin”.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button