“Përtej Ohrit”, marrëveshja që ndali konfliktin dhe e hapi rrugën e barazisë dhe bashkëjetesës mes qytetarëve

Shqiptarët nuk deshën barut, por arsim, pa Marrëveshjen e Ohrit, s’do të kishte as NATO, kjo marrëveshje është shembull se si të zgjidhen konfliktet, solli stabilitet dhe hapi rrugën e barazisë dhe bashkëjetesës mes qytetarëve, pavarësisht frikësimit të maqedonasve, shqiptarët nuk e dezorientuan shtetin, por përkundrazi e kanë ulur konfrontimin e brendshëm në baza etnike. Këto janë vetëm disa prej porosive të kreut shtetëror dhe panelistëve të tjerë të cilët me rastin e 20 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit sot në Shkup morën pjesë në konferencën “Përtej Ohrit”, raporton Portalb.mk.

Hapjen e konferencës e bëri zëvendëskryeministri dhe ministri për Sisteme Politike dhe Marrëdhënie ndërmjet komuniteteve, i cili ishte njëkohësisht edhe moderator i panelit, Artan Grubi, i cili theksoi se barazpesha që të jetojmë bashkë nënkupton të jetojmë njëjtë, pasi që të njëjtët mund të jetojnë bashkë. Sipas tij, po të mos ishte Marrëveshja e Ohrit, nuk do të ndodhte as integrimi i vendit në NATO.

“Të mos ishte Ohri, nuk do të ishte Prespa, po të mos ishin të dyja, nuk do të kishim NATO, por nuk guxojmë të qëndrojmë këtu dhe patjetër që të mbledhim forcë dhe ta zbatojmë edhe marrëveshjen e tretë me të njëjtin guxim dhe përkushtim që do ta vulos ardhmërinë tonë evropiane. Të udhëheqim, të mos udhëhiqemi. Marrëveshjet e Ohrit dhe Prespës na mësuan se ky vend, ky popull, ky rajon, nuk mund të jenë konak i euroskepticizmit, por përkundrazi, sa më e madhe që është sfida, aq më i madh është përkushtimi ynë, pasi që miq të nderuar: Dielli ynë lind në perëndim”, theksoi Grubi.

Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski, theksoi se fillimisht maqedonasit kanë pasur frikë nga zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, por tani kjo frikë është zhdukur.

“Në vitet e para maqedonasit e vendosnin Marrëveshjen e Ohrit në grupin e kërcënimeve të mëdha të sigurisë së shtetit. Qëndrimi i tyre dilte nga frika se zbatimi i MO-së do ta trasojë rrugën për dezorientim të shpejtë të vendit pasi që gjoja Maqedonia për shqiptarët është vetëm entitet tranzicioni. Megjithatë ajo që ndodhi në vitet e ardhshme, u dëshmua që edhe pse potenciali i marrëveshjes për përforcimin e kohezionit të shoqërisë në tërësi, nuk është i madh, është fakt se me çdo fazë të zbatimit të saj, nuk rritej rreziku, por përkundrazi, ulej konfrontimi i brendshëm në baza etnike. Nuk kam mëdyshje se vendit nuk i duhet koncept të ri politik të brendshëm dhe të jashtëm, pasi që i vjetri që është etabluar prej vitit 1991 deri në vitin 2001 ofron potencial për zhvillim. Stabiliteti dhe prosperiteti i Maqedonisë së Veriut varen kapacitetit tonë që të pozicionohemi në grupin e kombeve euroatlantike”, tha presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski.

Kryeministri Zaev theksoi se Marrëveshja e Ohrit e dërgoi porosinë për mirëkuptim të përbashkët dhe falje mes maqedonasve dhe shqiptarëve dhe mes gjithë bashkëqytetarëve tanë.

“Kjo është porosi për bashkëjetesë, për qytetarë në atdheun e përbashkët. Si shtet i kemi ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për ndërtimin e shoqërisë integruese e cila është e bazuar fortë në sundimin e së drejtës, mbrojtjes së të drejtave të njeriut, respektimin e dallimeve dhe zhvillojmë një komunitet në të cilin mundësitë janë të barabarta për të gjithë, si anëtare e NATO-s dhe anëtare e ardhshme e BE-së. Kemi krijuar shtet civil. Ta ruajmë atë që bashkë e kemi ndërtuar për 20 vjet dhe të jemi falënderues ndaj botës moderne prej të cilës kemi shumëçka për të mësuar dhe që shumë na ndihmon. Kjo është bota perëndimore SHBA dhe BE”, theksoi Zaev.

Pas mbarimit të fjalimit të Zaevit, zëvendëskryeministri Artan Grubi tha se derisa ka folur kryeministri, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti i ka pëshpëritur se po të ishte Zaev para 20 viteve, nuk do të vinte fare deri te nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, duke aluduar se Zaev do t’i përmbushte të drejtat pa luftë.

"Përtej Ohrit"
“Përtej Ohrit”

Ish sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Xhorxh Robertson theksoi se nuk duhet vetëm me nostalgji ta rikujtojmë Marrëveshjen e Ohrit, i cili ishte shembull unik për fundin e një konfliktit. Ai tha se ka shumë marrëveshje në histori, por atë që njerëzit me të vërtetë duan është puna, arsimi i mirë për fëmijët e tyre dhe shpresa për ardhmëri.

“Bota, Evropa dhe Ballkani mendoj se e kanë nënvlerësuar mënyrën se si Marrëveshja e Ohrit jep shembull, formular për zgjidhjen e konflikteve. Konsnesusi, kompromisi dhe barazpesha, toleranca ndoshta mund të mos jenë moderne për një botë të prirë drejt modelit autoritar, por ata janë themelet e prosperitetit, demokracive të kënaqshme dhe paqësore të cilat shumica e njerëzve i duan. Tani Maqedonia e Veriut mund të shohë ardhmëri të sigurt, NATO tani është realitet a flamuri i Maqedonisë së Veriut me krenari valëvitet në Bruksel, kjo duhet të jetë realitet edhe për anëtarësimin tuaj në BE. Jeni të gatshëm, e keni kryer punën e rëndë. Be ka nevojë prej ju dhe vetëm në atë mënyrë mund të konsolidohet zhvillimi i cili u arrit në këto dy dekada”, tha Robertson.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi theksoi se MO-ja mundësoi që Maqedonia e Veriut të jetë një storje suksesi.

“Marrëveshja Kornizë e Ohrit, akti i cili e ndryshoi të ardhmen e vendit tonë njëherazi ishte edhe udhërrëfyesi ynë më i mirë për sigurimin e stabilitetit, qëndrueshmërisë dhe dialogut konstruktiv, ishte edhe sfidë në vete, e cila mundësoi që Republika e Maqedonisë së Veriut të jetë një storje suksesi e cila është shembull, jo vetëm në vendin tonë, por edhe më gjerë, në gjithë rajonin dhe është marrëveshje e cila mundësoi hapësirën për trajtimin e çështjeve që kishin të bëjnë me respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve, përfaqësimin e drejtë dhe përkatës, përfshirjen në vendimmarrjen politike dhe atë institucionale dhe implementimi i saj ndikoi në rritjen e vetëdijes qytetare në drejtimin se kontributi i çdo qytetari në këtë vend është i barasvlershëm dhe se për një bashkëjetesë të vërtetë, impenjimi i gjithsecilit është një kontribut në më se i çmuar dhe i mirëpritur. Themelimi i Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive edhe një sërë institucionesh tjera janë realitete që janë rezultat i pajtimit, respektimit dhe bashkëpunimit ndëretnik”, tha Xhaferi.

"Përtej Ohrit"
“Përtej Ohrit”

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti bëri një retrosprektivë të ngjarjeve, të cilat çuan deri te konflikti i vitit 2001 dhe më pas nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit. Ai tha se shqiptarët kanë luftuar për të drejta dhe barazi, për arsimim, ndërkaq shteti i ka “shpërblyer” me persekutim, rrahje e burgosje.

“Shqiptarët nuk kërkonin barut, por të drejta, ishim të ekspozuar ndaj persekutimeve, kërcënimeve, burgosjeve, është derdhur gjak për kërkesat për libra në gjuhën amtare dhe shkollim të lartë. Marrëveshja e Ohrit është funksionale i cili u dëshmua si i suksesshëm dhe zbatimi i së cilës duhet që të mirëmbahet dhe të avancohet. Shqiptarët në vitin 2001 nuk kërkuan autonomi apo federalizim të vendit, nuk kërkuan as luftë, ashtu siç asokohe besonin, por të drejta nacionale, barazi në Kushtetutë, studim në gjuhën amtare, përdorim të simboleve kombëtare. NATO dhe BE e kuptuan gjendjen në vend dhe vlerësuan se është e nevojshme që të ndërmarrin aktivitete për t’i filluar bisedimet që të mos përsëritej Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova. Kështu erdhi deri te Marrëveshja e Ohrit, ishte pozitë shumë e vështirë, duhej të harmonizoheshin kërkesat dhe pozitat tona me ato të kreut shtetëror dhe strukturave partiake. Të bëheshin kompromise. Kjo marrëveshje u dëshmua e suksesshme”, theksoi Ahmeti.

Në panel diskutuan edhe ish krerët e lartë shtetëror, Vllado Buçkovski dhe Hari Kostov.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut këtë vit shënon 20 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund konfliktit maqedono – shqiptar të 2001-shit. Megjithatë, edhe përkundër faktit se kanë kaluar kaq vite, përmbushja e tërësishme e kësaj marrëveshje nuk është realizuar.

Ky jubile shënohet në Shkup me konferencën “Përtej Ohrit”.

Ngjarjen e ka organizuar Ministria për Sisteme Politike dhe Marrëdhënie ndërmjet Komuniteteve, në krye të së cilës është Artan Grubi, në bashkëpunim me Programin për  ndërtimin e paqes dhe të drejtave të Universitetit të Kolumbisë.

Konferencën po e bojkotojnë opozita maqedonase dhe shqiptare.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button