Policia Financiare thotë se janë në fazë të avancuar hetimet për ndërmarrjen publike të Komunës së Tetovës

Kanë kaluar dy muaj që Drejtoria e Policisë Financiare vazhdon të hetojë ndërmarrjen publike të themeluar nga Komuna e Tetovës. Policia Financiare për Portalb.mk tha se hetimet tani më janë në një fazë të avancuar dhe kërkojnë kohë, pa mos dhënë detaje të tjera. Për keqpërdorime të mundshme është duke u hetuar Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” (NPK), shkruan Portalb.mk.

Nga Drejtoria e Policisë Financiare thanë se veprojnë në përputhje me memorandumin e bashkëpunimit me Entin Shtetëror të Revizioni i cili paraqet raporte revizioni.

“Lidhur me hetimin paraprak dhe rrjedhën e tij, secili hetim ka peshën e vet dhe kërkon kohë që të hetohet dhe mbështetet nga fakte dhe prova të mjaftueshme për të përcaktuar krimin dhe shkallën e fajësisë”, thanë nga Drejtoria e Policisë Financiare.

Nga kjo Drejtori thanë se hetimet në ndërmarrje janë në fazë të avancuar, gjegjësisht në procesin e konstatimit dhe dëshmimit ku Drejtoria e Policisë Financiare vepron sipas udhëzimeve të Prokurorisë Publike Themelore për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Sipas Ligjit për Procedurën Penale- Neni 289, të gjitha veprimet e ndërmarra në një procedurë para hetimore nga një prokuror publik ose polic konsiderohen të fshehta”, thanë nga Drejtoria e Policisë Financiare duke shtuar se nuk japin më shumë informacion pasi hetimet ende vazhdojnë.

Gjatë muajit qershor, për Portalb.mk drejtori i Policisë Financiare të RMV-së, Arafat Muharemi konfirmoi se Policia Financiare po kryen hetim për keqpërdorime të mundshme në dy ndërmarrje publike të themeluara nga Komuna e Tetovës.

Por më vonë, nga Policia Financiare informuan se nën hetime është vetëm Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” (NPK).

Nga ky inspektim u shkarkua drejtori paraprak i NPK-së Xhelal Ceka dhe në krye të ndërmarrjes erdhi Ajetali Dervishi, emrin e të cilit e konfirmoi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi. Ndërsa te “Parkingjet e Qytetit” vazhdon të jetë drejtori i njëjtë.

Por Arifi mohoi inspektimin nga ana e Policisë Financiare në këto ndërmarrje dhe dorëheqjen e Cekës, sidoqoftë nga Drejtoria e Policisë Financiare për Portalb.mk thonë që këto ndërmarrje janë nën hetim.

“Atij i ka mbaruar mandati dhe bëhet fjalë për plane shtesë në angazhimin e tij të mëtejshëm, kështu ne kemi bërë përzgjedhje të cilat vijnë si rezultat i përfundimit të mandatit”, tha Teuta Arifi

Portalb.mk vazhdimisht ka informuar për punën e dy ndërmarrjeve të lartpërmendura

Në fund të vitit 2020 Portalb-i publikoi raportet financiare të NP “Parkingjet e Qytetit” nga ku rezultoi se kjo ndërmarrje vazhdimisht ka punuar në humbje, madje edhe në kohën kur nuk kishte pandemi ndërsa gjithsej 25 mijë euro në muaj i destinon vetëm për paga të punonjësve.

Ndërmarrja Publike “Parkingjet e Qytetit” mori pëlqim për të kërkuar kredi prej gjithsej 100 mijë eurove, kjo kërkesë për kredi u miratua nga shumica e këshillit komunal, megjithatë, mësojmë se asnjë bankë nuk ka pranuar të jep kredinë.

Edhe Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” në krye me ish drejtorin Xhelal Ceka vazhdimisht ka punuar në humbje ndërkaq disa herë kanë marrë kredi nga Komuna e Tetovës. Ritheksojmë se kredia u është mundësuar nga shumica e këshilltarëve komunal. Në tetor të vitit 2020, nga Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” siguruan nga Komuna e Tetovës gjithsej 26 milion denarë në formë kredie, atëherë potencuan se me këto mjete do të paguhen punonjësit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button