Mirsad Kryeziu, realizoi udhëtim me biçikletë prej në Kosovë në Zvicër (VIDEO)

Polici i pikës kufitare Dheu i Bardhë, Mirsad Kryeziu, realizoi udhëtim me biçikletën e tij  prej në Kaminicë të Kosovës deri në Cyrih të Zvicrës. Ky nuk është udhëtimi i tij i vetëm me biçikletë, ai në vitin 2017 udhëtoi edhe deri në Stamboll. Për eksperiencën e tij gjatë udhëtimit, vështirësitë dhe kënaqësitë, na foli më shumë vetë Mirsadi në një bisedë për Portalb.mk.

“Para se të nisem, kishim në plan të shkonim tre shokë. Por, në fund ngela i vetëm, për arsye se shokëve të tjerë nuk iu aprovua viza për udhëtim. Udhëtimi ishte i planifikuar të zgjaste 16 ditë dhe gjithçka shkoi sipas planit. Gjatë rrugës nuk hasa në asnjë vështirësi. Në çdo ndalesë që bëja, takoja njerëz shumë të mirë, të cilët më pyesnin për rrugëtimin tim dhe më jepnin kurajo që të vazhdoja.” tha Mirsad Kryeziu.

Për mbulimin e shpenzimeve të rrugës, Mirsadi kishte kërkuara ndihmë financiare nga Komuna e Kaminicës, por nuk mori përgjigje. Në momentin që Mirsadi arriti në Split të Kroacisë, pati një telefonatë nga një biznesmen, mërgimtar nga Zvicra, i cili i ofroi që t’ia mbulonte të gjitha shpenzimet që do i kishte deri në Zvicër.

Udhëtimin me biçikletë e fillonte çdo ditë prej në ora tetë të mëngjesit deri në ora tetë të mbrëmjes. Për 12 orë, Mirsadi kalonte rreth 150 kilometra. Interesante është që Mirsadi gjatë këtij viti nuk kishte bërë asnjë kilometër me biçikletë në Kosovë. Për lëvizje nga një vend në tjetër, ai përdor mjete të tjera transporti.

“Kulmi ka qenë kur nga fundi i rrugëtimit tim unë kisha telefonatë nga Konsullata në Cyrih, nga Shukrije Ramadani. Ajo më ftoi për të më uruar për iniciativën time. U ndjeva shumë i privilegjuar dhe krenar me veten në atë moment.” u shpreh Kryeziu.

Si rezultat i mungesës së infrastrukturës së rregullt, Mirsadi është detyruar të ngasë nëpër rrugë magjistrale. Duke filluar nga Kosovë, edhe në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në Kroaci nuk ka pasur asnjë shteg për biçikleta. Ndërsa nga Sllovenia deri në Zvicër ka pasur shteg adekuat për biçikleta.

Mesazhi që Mirsadi përcolli për të gjithë sportistët e rinj është që të kenë vetëbesim. Ai zgjodhi ta bëjë këtë udhëtim në një periudhë të vështirë që po përjeton e gjithë bota, gjatë pandemisë. Andaj, Mirsadi sugjeron që të rinjtë të mos e zgjedhin rrugën më të lehtë, por të rrezikojnë dhe ta sfidojnë veten.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button