Grubi nga UEJL: Vërejtjet kryesore janë te nevoja për zbatim më të madh të pjesës normative të Marrëveshjes së Ohrit

Në kuadër të programit të aktiviteteve për shënimin e 20 vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, sot në Universitetin e Evropës Juglindore (UEJL) u mbajt paneli i diskutimit “Pas dy dekadave, a është Marrëveshja Kornizë e ngushtë për një shoqëri plotësisht të hapur të barabartë”. Folës në këtë panel ishin zëvendëskryeministri Artan Grubi, rektori Abdylmenaf Bexheti dhe disa ministra nga Qeveria e RMV-së, transmeton Portalb.mk.

Në këtë pandel diskutimi të pranishëm ishin, zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, rektori i UEJL-së Abdylmenaf Bexheti, ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi, ministri i mjedisit dhe planifikimit hapësinor Naser Nuredini, ministri i financave Fatmir Besimi, si dhe stafi akademik, administrativ dhe studentët nga UEJL.

Panelin e diskutimit e filloi rektori Abdylmenaf Bexheti i cili theksoi rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit, kjo e marrëveshje sipas tij në një analizë në kontekst kohe dhe hapësirë ka bërë ndryshime rrënjësisht radikale .

“Përderisa para 20 viteve nuk kishim asnjë institucion të arsimit të lartë, nuk kishim të drejtë të studiojmë në gjuhën tonë. Sot kemi dy universitete publike, dhe një privato-publik, dhe ndoshta disa të tjerë privat në gjuhën shqipe”, tha Abdylmenaf Bexheti.

Zëvendëskryeministri Artan Grubi, potencoi rolin e UEJL-së që nga themelimi i tij me kuadrot që i ka dhënë vendit në implementimin e parimeve të Marrëveshjes së Ohrit.

“Vërtetë sot po shënojmë 20 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, por marrëveshja vet nuk është një ngjarje në vet  dhe e izoluar, është një proces që ka fillim por nuk ka fund.  Pikërisht ky jubile i sotëm është dhe rasti më i mirë për të shprehur një mirënjohje institucionale, kolektive dhe personale ndaj të gjithë burrave dhe grave të cilët e filluan këtë proces”, tha Grubi.

Në fjalimin e tyre, Grubi dhe Bexheti iu referuan edhe Konferencës së Helsinkit në lidhje me ndërtimin e korridoreve evropianë.

Folës në këtë panel ishte edhe ministri financave, Fatmir Besimi i cili foli për këtë proces në një aspekt financiar, me theks të veçantë për decentralizimin fiskal.

Më pas stafi akademik i UEJL-së ndau pikëpamjet dhe kritikat e tyre në fusha të ndryshme si ekonomia, juridiku, administrate etj, në lidhje me arritjet nga Marrëveshja e Ohrit. Ndër to ishte edhe profesoresha nga fakulteti juridik Vedije Ratkoceri, e cila kishte disa kritika nga aspekti juridik.

“Ajo që ka munguar ose nuk është trajtuar si duhet, është çështja e interpretimeve juridike të Marrëveshjes së Ohrit. Do të veçoja tre çështje: mënyra e vendosjes në gjykatën kushtetuese, përfaqësimi proporcional dhe i drejtë i shqiptarëve, cilësia e përkthimit të ligjeve. gjegjësisht përkthimi i nocioneve profesionale juridike, që në gjuhën shqipe nuk janë adekuate”, tha Vedije Ratkoceri.

Mes të tjerash, edhe studentët ndanë mendimet dhe parashtruan pyetjet e tyre në lidhje me atë se pse studentët në disa universitete duhet të paguajnë dhe disa të tjerë jo, diskriminimin në punësim në bazë të nacionalitetit dhe realizimin e kësaj marrëveshjeje.

Pas komenteve dhe pyetjeve, fjalën e morën edhe ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe ministri i mjedisit dhe planifikimit hapësinor, Fatmir Besimi.

Ministri Bekteshi, foli për disa çështje ekonomike, projektet e TAV-it, mes të tjerash edhe për ligjin për mbështetje financiare të investimeve.

“Sipas Ligjit për Mbështetje Financiare të Investimeve, për here të parë në RMV të gjitha investimet që do të ndodhin në rajonet që për momentin janë më pak të zhvilluara se rajoni i Shkupit, do të mbështeten shtesë nga ana e qeverisë duke u bazuar në ligj.  Në mënyrë që të stimulojnë investimet në këto rajone”, tha Bekteshi.

Bekteshi theksoi se është kritikë shumë me vend se institucionet që veprojnë në kuadër të qeverisë nuk kanë pasur një data-bazë të përbashkët dhe kjo iniciativë vetëm më se ka filluar të realizohet me propozim të ministrisë së financave.

Ministri Nuredinin foli për problematikën e mbeturinave, ku theksoi se pushteti qendror asnjëherë nuk e ka përkrahur pushtetin lokal për zhvillimin e infrastrukturës bazike për grumbullimin e mbeturinave.

“Gjashtë ligje priten të kalojnë në kuvend në lidhje me rregullimin e çështjen e mbeturinave.  Duhet bashkëpunim I pushtetit qendror me atë lokal”, tha Nuredini.

Në fund të panelit, Grubi tha se vërejtjet kryesore janë te nevoja për zbatim më të madh të pjesës normative e cila tashmë është miratuar në kuvendin e RMV-së dhe në institucione tjera.

“Unë gjithmonë them, zbatimi I Marrëveshjes së Ohrit është I përditshëm dhe I përjetshëm, nuk mund të kryhet asnjëherë për arsye se bëhet fjalë për zbatimin e kushtetutës dhe zbatimin e ligjeve të cilin e kemi obligim të gjithë ne si qytetarë dhe si institucione. Gjithmonë ka hapësire për të bërë më tepër, si në  përfaqësimin e drejtë dhe adekuat ashtu edhe në zhvillimin e barabartë rajonal”, përfundoi Grubi.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button