Përshpirtje për mësues Menafin

Iku nga kjo botë një Mësues dhe një Njeri i mirë. Iku Mësuesi im i parë Abdyl Useini, njëri nga njerëzit më të dashur për mua dhe ish – nxënësit e Tij.

Mësues Menafi, siç e quanim, lindi në Neproshten, një katund i vjetër në Pollog, i përmendur me emra të ndryshëm nëpër shumë shkresa mesjetare. Madje, flitet edhe për një fisnik shqiptar me emrin Gjin, po nga ky vend.

Mësuesi im i parë zë vend të veçantë në jetën time.

Mund t’i harrojmë emrat e shumë mësuesve dhe profesorëve tjerë, por nuk e harrojmë emrin e Mësuesit të parë.

Ai na ka mundësuar ta përdorim shpikjen më të madhe të njeriut – alfabetin. Nëpërmjet alfabetit komunikojmë me ata që kanë ikur dhe me ata që nuk kanë lindur.

Mësuesin tim e kam vlerësuar për aftësinë e veçantë të analizimit të tregimeve apo lektyrave. Derisa ligjëronte shpesh në sytë e Tij formësohej edhe ndonjë pikë loti.

Sa herë e kam rilexuar përrallën “Çakmaku” më është kujtuar një orë e largët mësimore. Më është kujtuar analiza e thellë dhe tepër e qartë e Mësues Menafit.

Ai nuk ishte i rreptë. Nuk merrej me gjëra të parëndësishme. Nuk fokusohej në detaje të kota dhe të mërzitshme që harrohen shpejt. Ai ishte Njeriu i dashur dhe i përzemërt. Me bukurshkrimin e Tij shënonte në dërrasën e zezë vetëm gjërat thelbësore, të cilat nxënësit i nguliten përgjithmonë në kujtesë.

Në ligjërimin e Tij nuk kishte asgjë të paqartë, qoftë në lëndën e gjuhës dhe letërsisë apo në lëndët e matematikës, të njohurive shoqërore apo natyrore.

Mësues Menafi ligjëronte sipas kryefjalës: “In media res” (Në thelbin e gjërave). Nuk ta rëndonte kujtesën. Ai ta nxiste imagjinatën.

Kur nxënësit ndjeheshin të lodhur dhe të shpërqendruar, aty për aty, e organizonte ndonjë ndeshje sporti, të cilën nuk e mendonte si garë force. Sportistin nuk e dallon talenti dhe vetitë prej atleti, por edhe mendja. Nëse një ndeshje sporti e krahasojmë me një betejë, mund të themi se nuk fiton përherë ai që e ka forcën, por ai që e përdor strategjinë më të mirë edhe kur ushtarakisht qëndron më dobët.

Këtë na e mësonte Mësuesi ynë i dashur, i cili nuk kërkonte të memorizonim, por na shtynte të mendonim. Të mendonim para se të vepronim.

Mësues Menafi arsimin nuk e ndjeu vetëm si profesion, por edhe si mision e pasion.

Ai ishte normalist. Në shkollat normale ishin formuar mësuesit më të zotë dhe më të përgatitur.

Nëse duam të bëjmë reforma në arsim dhe të kemi mësues model, atëherë duhet t’i marrim si shembuj shkollat normale…

Mësues Menafi iku nga kjo botë, kurse ne ish-nxënësit e Tij vazhdojmë të ndjehemi të trishtuar.

Shumë ish-nxënës kanë bërë emër në fusha të ndryshme. Ata sot janë veprat e Tij.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button