fbpx

Për rigjenerimin e pyjeve të djegura do të duhen deri në 50 vjet

Për rigjenerimin e pyjeve dhe ekosistemeve të shkatërruara nga zjarret do të duhen dy deri në pesë dekada. Dëmi nga flakët e tërbuara të zjarreve në shumë lokacione në të gjithë vendin, në shumë aspekte, është i pamatshëm, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Rëndësia e pyjeve, në kushtet kur po përballemi me ndryshime klimatike dhe të gjitha pasojat që vijnë prej tyre për njerëzit, kafshët e egra dhe mjedisin jetësor, është e pazëvendësueshme. Edhe pse në dekadat e fundit, veçanërisht institucionet, në pyje e shohin vetëm potencialin ekonomik për të cilin ata mund të përdorin, megjithatë, rëndësia ekologjike është shumë më e rëndësishme dhe më e madhe. Ato e parandalojnë nxehjen e tepër të planetit, prodhojnë oksigjen dhe janë shtëpi për shumë specie bimore dhe shtazore.

Për momentin, institucionet nuk kanë të dhëna të sakta për sipërfaqen pyjore që është djegur, as në çfarë gjendje janë zonat e prekura nga zjarret e verës.

Drejtoresha e ndërmarrjes publike “Pyjet kombëtare“, Juliana Nikollova, tha se dëmi do të përcaktohet më tej, por që tani mund të sillet përfundimi se: Për rehabilitim do të nevojitet kohë shumë, shumë e gjatë!

“Vlerësimet e Fakultetit të pylltarisë thonë se duhen 20 deri në 50 vjet për të rinovuar zonat e djegura. Mendoj se është më realiste të presësh që do të na duhen pesë dekada, e jo dy, për të arritur në fazën ku ka qenë pylli para se të digjet. Është një periudhë tmerrësisht e gjatë, e cila zjarret që po shfaqen i bën katastrofike. Në periudhën në vijim do të pasojë vlerësimi i dëmeve, varësisht nga lloji dhe qëllimi i drunjve që janë djegur”, tha Nikollova.

Thirrje për përmirësim të mundësive për parandalim dhe reagim të shpejtë

Dëmi është i pariparueshëm, duke qenë se janë shkatërruar ekosistemet ekzistuese, të cilat, natyrisht, nuk mund të restaurohen brenda një kohe të shkurtër, reagojnë ekologët nga “Eko Vetëdija” (Eko Svest). Ata apelojnë të zbulohet nëse pyjet po digjen me qëllim, por edhe të përmirësohen mundësitë për reagim dhe parandalim të shpejtë.

“Në një kohë kur po luftojmë me ndryshime klimatike dhe thatësi, shërbimet e ekosistemit të ofruara nga pyjet e vjetra po bëhen më të rëndësishmet. Nuk mund ta dimë nëse pyjet po digjen nga pakujdesi apo qëllimisht, prandaj mbetet që institucionet të hetojnë dhe sanksionojnë. Megjithatë, e gjithë situata vetëm tregoi se sa të papërgatitur jemi për të reaguar shpejt dhe të përballemi zjarret pyjore”, thanë nga “Eko Vetëdija”.

Drejtoresha Nikollova thotë se thashethemet si gjithnjë e më të shpeshta në publik, që një përqindje e madhe e zjarreve në këtë kohë të vitit janë ndezur qëllimisht, nuk janë dëshmuar. Sidoqoftë, konfirmon se pemët e djegura mund të shfrytëzohen dhe përdoren për të bërë peleta ose u jepen vendasve për t’i përdorur për ngrohje.

“Djegia e pyjeve me qëllim është një akt monstruoz dhe i papranueshëm për mua. Nëse ndodhë që ndonjë person, shkaktar i qëllimshëm i zjarri pyjor, të kapet në flagrancë, shërbimet e kanë për obligim ta përcjellin atë organeve gjyqësore kompetente, të cilat më tej i vërtetojnë faktet dhe veprojnë në përputhje me rregulloret ligjore”, tha Nikollova.

Foto: Shtabi i Përgjithshëm i ARM -së
Foto: Shtabi i Përgjithshëm i ARM -së

Nga kompania “Pyjet kombëtare” informojnë se, nga fillimi i vitit deri në qershor, sipas të dhënave të marra nga Sistemi elektronik MKFFIS, nëpërmjet listave statistikore të paraqitura nga degët dhe nga raporteve elektronike mujore të Shërbimit për mbrojtje të pyjeve, ka pasur 55 zjarre në të cilat janë shkatërruar 761 hektarë pyll dhe janë djegur mbi 5.000 metra kub masë druri. Dëmi vlerësohet në mbi 450.000 euro. Megjithatë, dëmet më të mëdha të shkaktuara nga zjarret e verës, theksojnë ata, do të numërohen më pas.

“Të dhënat janë ende duke u mbledhur dhe përpunuar, sepse ka zjarre aktive dhe ekipet tona mobile me punonjës të degëve ende po luftojnë me furtunat e zjarrit. Pas inspektimeve në terren, konfirmimi me procesverbal nga inspektorët e Inspektoratit shtetëror për pylltari dhe gjueti, të gjitha të dhënat për zjarret do të dorëzohen përmes listave statistikore nga degët e NP Pyjet kombëtare”, thanë nga ndërmarrja publike.

Teknologjia moderne, edhe pse e shtrenjtë, mund të jetë shumë efektive

Edhe ekologët edhe ndërmarrja publike pajtohen se marrja e masave të ndryshme për parandalim dhe edukim, si dhe ndryshimi i disa ligjeve janë mënyra më e mirë për të mbrojtur pyjet nga zjarret. Drejtoresha Nikollova thotë se nevojitet përfshirje e teknologjive moderne, të cilat mund të kompensojnë mungesën e burimeve njerëzore në mbrojtjen e zonave pyjore.

“Faktorët kryesorë janë ngritja e vetëdijes publike, duke i bërë thirrje vazhdimisht të gjithë qytetarëve që të kushtojnë vëmendje dhe përgjegjësi maksimale për mbrojtje të pyjeve nga zjarret, me fushata të menduara mirë mbi rëndësinë e pyjeve, si dhe sjellje të ndërgjegjshme nga të gjithë vizitorët e pyjeve. Nga ana tjetër, ne jemi në negociata për të siguruar sisteme inteligjente me sensorë për zbulimin e hershëm të zjarreve. Është një teknologji e shtrenjtë, një sensor kushton deri në 400,000 euro, por që tashmë përdoret në rajon, për shembull në Kroaci. Sensori zbulon tymin në një rreze të madhe dhe paralajmëron qysh në fazat e hershme, ndërsa teknologjia është aq e avancuar sa mund të parashikojë se ku mund të lëvizë zjarri ose me çfarë fuqie do të jetë”, theksoi Nikollova. Kompania publike, thotë ajo, nuk ka buxhet që mundëson investime, prandaj përfshirja e teknologjive do të duhet të bëhet më bashkëpunim me Qeverinë ose me ndërmarrje të tjera me veprimtari të ngjashme

Ekologët venë në pah mungesë të logjikës te ndërmarrja publike dhe parqet kombëtare

Ekologët, nga ana tjetër, tregojnë për dobësi të tjera, veçanërisht që kanë të bëjnë me prerjen e drunjve për ngrohje. Nga “Eko Vetëdija” thanë se ky biznes është pula e artë e ekonomisë gri të brendshme, veçanërisht nëse marrim parasysh vlerësimin se shitja e drunjve për ngrohje e kap vlerën e afër 140 milionë euro në vit, gjysma e të cilave është prerje ilegale. Nga 2.1 milion metra kub dru për ngrohje, që priten dhe digjen çdo vit për nevojat e popullsisë, më shumë se gjysma nuk prehen ligjërisht.

Ata kërkojnë reformë urgjente dhe thelbësore të Pyjeve Kombëtare, si dhe forcimin e inspektimit dhe monitorimit në vend. Problematike, sipas tyre, është se edhe parqet kombëtare, të cilat duhet të jenë zonat më të mbrojtura, u lihet që pjesën më të madhe të fondeve ta sigurojnë vetë, nëpërmjet prerjeve, situatë që duhet të ndryshojë  urgjentisht.

“Për herë të parë në 60 vjet, shpallet një park i ri kombëtar “Mali Sharr”, që është një mundësi e shkëlqyeshme për të parë se modeli me të cilin parqet sigurojnë paratë e tyre nga shpyllëzimi është i papërshtatshëm dhe është përjashtim nga shembujt në botë. Mbi 80 përqind e të ardhurave të NP Mavrova vijnë nga prerjet komerciale në park. Kjo është njëlloj sikur ndonjë drejtor i spitalit t’i shet organet e pacientëve të tij, që ai të mund të sigurojë fonde për spitalin”, thanë nga “Eko Vetëdija” (Eko Svest).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button