Vazhdojnë operacionet për fikjen e zjarreve në Shqipëri, angazhohen edhe forcat nga Kosova

Disa vatra zjarri kryesisht në qarkun e Kukësit dhe Vlorës në Shqipëri janë ende aktive, ndërkohë vazhdojnë edhe operacionet për fikjen e tyre me angazhimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe njësive të tjera, transmeton Anadolu Agency (AA).

Pjesë e operacioneve për fikjen e zjarreve janë bërë edhe pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës si dhe mjetet zjarrfikësve të Kosovës, duke u angazhuar në operacionet në Qarkun e Kukësit.

Ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Niko Peleshi, në një deklaratë për mediat në zonën pranë Tunelit të Kalimashit në Rrugën e Kombit tha se po vazhdojnë operacionet për shuarjen e zjarreve.

“Gatishmëria është e lartë, kjo ka bërë që ditën e djeshme të shmanget rreziku dhe tuneli (Tuneli i Kalimashit) të funksionojë normalisht, pa ndaluar asnjë minutë. Sot situata është shumë më e qetë, është vënë nën kontroll, flakët janë larguar shumë nga tuneli. Kemi trupa të shumta që po punojnë”, tha Peleshi.

Duke iu referuar ndihmës nga Kosova për shuarjen e zjarreve, Peleshi u shpreh: “Dua ta falënderoj ministrin Armend Mehaj i cili ka qenë vazhdimisht në komunikim me mua dhe vazhdimisht i gatshëm për të na mbështetur. Shumë e rëndësishme do të jetë mbështetja e tyre sot sepse nuk janë pak, por janë 66 trupa dhe 9 mjete zjarrfikëse”.

Përveç angazhimit të forcave të Shqipërisë dhe atyre nga Kosova, për shuarjen e zjarreve u përfshinë në operacione edhe disa helikopterë të mbërritur nga Holanda e Çekia si pjesë e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të Bashkimit Evropian (BE).

Nga ana tjetër, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë ka njoftuar se nga datat 25 korrik – 10 gusht në të gjithë vendin janë arrestuar 15 persona, janë proceduar penalisht 16 persona dhe janë shpallur në kërkim 2 të tjerë, të akuzuar për zjarrvënie.

Kujtojmë se deri tani një person ka humbur jetën dhe një tjetër është lënduar në Shqipëri nga zjarret që kanë përfshirë vendin gjatë ditëve të fundit.

LEXO: U shmang katastrofa e zjarrit në autostradën Kosovë-Shqipëri

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button