Ramiz Merko premtoi por nuk e përfundoi bulevardin në rrugën qendrore të Strugës

Në fushatën parazgjedhore, në zgjedhjet lokale të vitit 2017, kryetari aktual i Komunës së Strugës premtoi përfundimin e bulevardit në rrugën qendrore të qytetit. Në prag të përfundimit të mandatit 4 vjeçar të kryetarit Ramiz Merko ky premtim është larg realizimit. Muajve të fundit në terren është bërë vetëm shembja e një objekti dhe disa matje, shkruan Portalb.mk.

Në zgjedhjet lokale të vitit 2017 Ramiz Merko ju premtoi struganëve se do të zgjidh kaosin në zemër të qytetit duke e zgjeruar rrugën qendrore nga rrethi tek policia deri tek ish hotel Apolonia. Në programin “Për Komunën që duam” (faqe 15), një ndër veprimet prioritare në kategorinë “Urbanizëm dhe Infrastrukturë”, theksohet: Përfundimi i bulevardit nga rreth-rrotullimi (te policia) deri te rreth-rrotullimi (hotel Apolonia)

Nga inspektimi që bëri Portalb.mk në terren vlerësojmë se ky premtim është ende shumë larg realizimit dhe përmbushjes me sukses. Gjendjen aktuale të “bulevardit” nga rreth-rrotullimi (te policia) deri tek rreth-rrotullimi (hotel Apolonia) mundet ta shikoni në fotografitë më poshtë:

Megjithatë Komuna e Strugës ka filluar punën për realizimin e këtij premtim zgjedhor. Në fakt, punimet filluan vetëm pak muaj më parë, pra në prag të përfundimit të mandatit 4 vjeçar në krye të Komunës.

Më 15 prill të këtij viti nga Komuna e Strugës njoftuan për prishjen e një objekti të vjetër në një pjesë të rrugës qendrore në qendër të qytetit. Bëhet fjalë për objektin e burgut të vjetër të qytetit, i cili ndonëse jashtë përdorimit dhe i rrënuar me vite të tëra ka penguar lëvizjen e qytetarëve.

“Prej ditës së hënë (19.04.2021) Komuna e Strugës do të fillojë rrënimin dhe pastrimin e objektit të lartpërmendur me qëllim të realizimit të projektit për ndërtimin e rrugës nga rrethi (te policia) deri te salloni i mobiljeve Laçka. Kjo rrugë do të ofrojë lëvizje më të lehtë dhe pa pengesa si për automjetet ashtu edhe për këmbësorët. Njëkohësisht asaj pjese do ti shtohen rreth 150 vend parkime për automjete”, thanë nga Komuna e Strugës.

Prishja e objektit të burgut të vjetër dhe pastrimi i hapësirës përreth filloi më 11 maj. Në 4 qershor, një ekip i Komunës bashkë me kryetarin Ramiz Merko dolën në terren për të bërë matjet sipas elaboratit dhe planit detal.

Projekti që promovohet nga Komuna, i cili duhej të ishte përfunduar veçmë, parashikon hapjen e korsive të reja të rrugës qendrore nga rreth-rrotullimi te policia deri te ish hotel Apolonia. Projekti ka për qellim të lehtësojë lëvizjen e automjeteve, të sigurojë qindra vend-parkime të reja, trotuare për këmbësorë, kanalizim atmosferik, ndriçim rrugor dhe sistem tërësisht të ri për grumbullimin e kabllove elektrike nën tokë.

Nga Komuna sigurojnë se objektet që ndodhen në pjesën veriore të rrugës do të eksproprijohen dhe nuk do të paraqesin problem që projekti të realizohet pa ndërprerje. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli në terren nuk vërehet ndonjë aksion pune, nuk zona të rrethuara, makineri pune apo punëtor. Megjithatë mbetet të shikojmë se kur do të përfundojë me sukses ky premtim elektoral.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button