Koha për ndryshim: minimalizmi si mënyrë jetese (2)

“Janë dy mënyra për të qenë i pasur: duke kërkuar shumë, dhe tjetra, duke dëshiruar pak”

Jackie F. Koller

 Një 57 vjeçare që si e re dhe si nënë single ishte përballur me baticat dhe zbaticat e jetës; rimartuar më 1989, kur iu përmirësua jeta goxha, arriti stabilitet financiar dhe gjeti mundësinë për të përfunduar arsimin që i ofronte asaj mundësi më të mëdha për karrierë. Sot jeton një jetë minimaliste, në një shtëpi të vogël të rimodeluar, dhe e rrëfen sagën e vet:

“Unë shpesh them se kujtimet më të mira të jetës sime janë ato kur fëmijët e mi ishin të vegjël dhe kur isha e varfër. Atëbotë udhëtonim drejt plazhit, me shportën me sanduiçe me gjalpë kikirikash, me pije kool-aid dhe fruta; ditën e kalonim në një vend të largët jashtë atraksioneve turistike. ‘Vetëm ne dhe plazhi’. Nga një mushama e vjetër improvizoja çadër për hije, ku fëmijët do të dremisnin për orë të tëra. Në fund të ditës, arrinim te dushët publikë, hiqnim rërën, dhe fëmijëve ua veshja pizhamat; brenda një ore arrinim në shtëpi. Pas një kohe, kisha mundësinë të bleja ç’më donte zemra, mund të rrokja gjithçka që doja, që kisha nevojë ose që mendoja se më duhej.  Dhe transformimi më i çuditshëm filloi pothuajse menjëherë pas mundësisë për akces te të gjitha gjërat: vazhdmisht më pllakoste stresi se ku t’i vendosja gjërat, isha e befasuar, nuk e doja pjesën më të madhe të gjërave, madje ndjehesha fajtore që “isha bekuar me gjithçka por isha mosfalënderuese”.  Nuk mund ta kuptoja pse, s’dija se çfarë nuk shkonte me mua? Dhe libri Simplify së bashku me ca të tjerë, më goditën në kokë, më ndihmoi të kuptoj se isha normale, ndërsa konsumatori brenda meje ishte i çmenduri. Më ndihmoi të bëhesha pjesë e minimalizmit. Sot, gjërat e refuzuara nga unë e stolisin shtëpinë e motrës sime; miqve dhe familjes u kam falur bizhuteri të bukura që nuk i kam përdorur kurrë. Nuk kam më asnjë rrobë që nuk e dua, s’kam sirtarë të stërmbushur me plaçka. Planifikoj që pas festave t’iu kthehem stërvitjeve, meditimit dhe gëzimit të vërtetë të jetës sime. Faleminderit për nxitjen në drejtimin e duhur! …”

Njeriu mund të jetojë edhe me pak: shtëpia më e vogël në botë është 1m², ndërsa Leopold Tomashek, i frymëzuar nga tiny house movement (Lëvizja për shtëpi të vogla, nisur në 1970-at nga Allan Wexler), jeton në shtëpi të prej 15m² me hapësirë gjumi, kuzhinë, sofa, ku ka edhe pianon e vet dhe tarracë. E ngjashme është edhe Eco Cube në Edinburgh, Love2House në Tokio, Keret House në Varshavë etj.

Sipas Becker-it, pjesë e botëkuptimit dhe kursit maksimalist janë:

  1. Qëllimësia: promovimi i gjërave që janë të vlefshme dhe braktisja e gjërave që na mashtrojnë; minimalizmi na mëson të jemi më introspektivë lidhur me vlerat dhe pasionet.
  2. Liria nga pasioni për të zotëruar. Antitezë e qëndrimit të kulturës moderne se jeta e mirë nënkupton akumulimin e pangopshëm të gjërave. Lumturia nuk arrihet as në supermarket e as në qendra tregtare. Minimalizmi na mëson të jemi falënderues.
  3. Liri nga manitë moderne. Bota jonë ecën me një ritëm të ethshëm. Jemi shumë të nxituar, tepër të stresuar. Punojmë orë të gjata, sa s’bën, për të paguar faturat, por nga ana tjetër biem thellë e më thellë në borxhe çdo ditë. Minimalizmi e ngadalëson jetën, na çliron nga histeria moderne për të jetuar më shpejt. Na jep mundësinë për të qenë i shkëputur nga celularët dhe veglat e tjera të teknologjisë informatike.
  4. Shmangie nga shumëfaqësia. Moderniteti na e ka dyzuar jetën, njëra me familjen, me bashkëpunëtorët në vendin e punës dhe me njerëzit e tjerë. Pra mënyra e jetesës së sodit kërkon nga njeriu të shfaqë një imazh të jashtëm që varet nga mjedisi apo rrethanat në të cilat gjendemi; jemi të trazuar nga fushatat reklamuese dhe nga kërkesat e punëdhënësit. Nga ana tjetër, jeta e thjeshtë është e bashkuar dhe e qëndrueshme; ajo mundëson që të frymoni njëjtë edhe të premten, edhe të shtunën në mëngjes. Është e besueshme, e paluhatshme. Është e sinqertë dhe transparente.
  5. Kundërkulturalizmi. Në kohën tonë jetën e determinojnë mes tjerash edhe njerëzit e famshëm të idoluzar, që jetojnë me standard të lartë, që ndiqen nga mediat në çdo hap, të cilëve ua kanë zili një pjesë e mirë e njerëzve. Minimalisti jeton jetë të thjeshtë që nuk vëzhgohet nga mediat, nuk bie në kurthin e kulturës konsumeriste të prmovuar nga koropratat, sportistët dhe “artistët”. Përderisa shumë njerëz jetojnë e vdesin për sukses, glamur dhe famë, minimalisti zgjedh gjërat e vogla, qetësinë, ngadalësimin, konsumimin e paktë dhe kënaqësinë më të madhe.
  6. Brendësi në vend të jashtësisë. Minimalizmi është punë e zemrës, e krijimit të hapësirës për t’i adresuar çështjet më të thella të zemrës që ndikojnë në marrëdhëniet dhe jetën tonë. Ai çliron nga rrëmuja e jashtësive të jetës, ndihmon në gjetjen e lirisë dhe unitetit në zemër dhe shpirt. Kjo qasje shumë njerëz i ka bërë të heqin tepricat nga shtëpitë dhe jetët e tyre.
  7. Arritshmëria. Minimalizmi është gjë e arritshme. Becker lidhur me këtë pikë jep shembullin e familjes së vet katëranëtarëshe që jetonte në një zonë suburbane që akumulonte gjëra aq sa i mundësonin të ardhurat dhe kredit kartelat. Dhe kur e gjeti minimalizmin si botëkuptim, që është i kapshëm për çdokë, konstatoi se kurrë më s’do t’i kthehej mënyrës së vjetër të jetesës. Atëherë ai vendosi që ta lehtësonte shtëpinë dhe të thjeshtësonte jetën e vet. (Becker, 2019) (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button