Për shitje të drogës në Shkup, Tetovë e Gostivar, e pranuan fajin shtatë të dyshuar nga grupi i Gërçecit

Prokuroria Themelore Publike në Shkup ka sqaruar që shtatë pjesëtarë të Grupit të Gërçecit të dyshuar për trafikim të narkotikëve e kanë pranuar fajin, për çka janë caktuar edhe dënimet, transmeton Portalb.mk.

“Prokuroria ka realizuar propozim-marrëveshje me shtatë persona nga grupi në Gërçec. Pasi janë njoftuar me dëshmitë që Prokuroria i mori gjatë zbatimit të procedurës parahetimore dhe hetimore, të akuzuarit e kanë pranuar kryerjen e veprës penale për të cilën ngarkohen”, njoftojnë nga Prokuroria.

Ata akuzohen në bazë të nenit 215, paragrafi 3, në lidhje me nenin 1 nga Kodi Penal, për trafikim të narkotikëve.

Prokuroria raportoi që 34 vjeçari S.S. dënohem me pesë vjet burg, 39 vjeçari B.L. dhe 33 vjeçari F.L. me tre vjet e gjysmë, 19 vjeçari I.A., 21 vjeçari S.E., 24 vjeçari E.I. dhe 29 vjeçari Q.L. u dënuan me tre vjet.

Raportohet që nga marsi i vitit 2020 deri 2021 kanë kryer aktivitetet e tyre në Tetovë, Gostivar, Shkup, Strumicë dhe qytetet tjera, ashtu që një gram kokainë është shitur deri 5 mijë denarë, ndërsa deri 15 mijë denarë ka kushtuar 100 gram marihuanë.

Ndryshe, Ministria e Punëve të Brendshme me urdhër të Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, në mars të këtij vitit kishte lëshuar fletarrest ndërkombëtare për të dyshuar për tregti me drogë të cilët janë të dyshuar në hetimin për rastin “Mali”, ku dyshohet se gjashtë prej të dyshuarve janë arratisur jashtë shtetit.

Shefja e Prokurorisë për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, Vilma Ruskovska, në konferencën e 26 marsit për media, duke dhënë detaje rreth aksionit të djeshëm në Gërçec, tha se aksioni i madh i MPB-së dhe Prokurorisë është zbuluar, prandaj nuk kanë mundur të gjejnë sasi të madhe të drogës, parave dhe veturave luksoze. Ajo tha se, nga telefonat e konfiskuar të shitësve do të vërtetohet kush ju ka paraqitur që ta fshehin drogën dhe narko-bossat të arratisen.

“Në fshatin Gërçec janë kryer bastisje në 26 lokacione, janë arrestuar 13 persona, prej të cilëve për 9 persona është caktuar paraburgim, për 3 paraburgim shtëpiak dhe për 1 person masa e kujdesit. Pesë persona nuk janë të kapshëm. Anëtar i grupit ka qenë edhe një i mitur, i cili do të gjykohet veçmas. Gjatë bastisjeve janë marrë mbi 80.000 euro, ndërsa për drogën e gjetur akoma nuk janë të gatshme ekspertizat, por janë gjetur rreth 5 kg marihuanë dhe 600-700 gramë heroinë. Pjesa më e madhe e parave janë gjetur gjatë bastisjeve në Gazi Babë, ndërsa një pjesë shumë e vogël në fshatin Gërçec. Sipas masave të posaçme hetuese të cilat përfundojnë sot për personat që kërkohen, aksioni në fshatin Gërçec është zbuluar. Gjithçka ishte pastruar dhe nuk është gjetur sasi e madhe. Në tre lokacione janë gjetur rreth 100 gramë kokainë”, theksoi Ruskovska.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button