Gruevski përqafoi Tarçullovskin, shqiptarët e quajnë vrasje të dytë për to

I dënuari për krime lufte ndaj shtatë shqiptarëve gjatë vitit 2001, Johan Tarçullovski zbriti në aeroportin e Shkupit. Tribunali i Hagës e liroi atë nga burgu pasi kishte vuajtur tetë vite nga dënimi fillestar i cili ishte 12 vite burg. Kryeministri dërgoi avion qeveritar deri në Gjermani ta merr atë ndërsa e priti me përqafim kur zbriti nga i njëjti.

Gruevski, “heroit” të kombit si që e konsiderojnë shumica e maqedonasve,  i dhuroi flamurin e Maqedonisë para Qeverisë.

Nga MPB njoftojnë se ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska personalisht do ti jep atij menjëherë pasaportën biometrike. Ndërsa në sheshin e Shkupit organizohet festë e madhe dhe 200 autobusë falas për ta pritur atë.

Banorët e Lubotenit dhe shqiptarët e Maqedonisë shprehen të revoltuar nga pritja e tillë e Qeverisë.

“Dy vëllezër i kemi humbur, unë kam qenë 13 vjet e gjysmë, i burgosur me dy vëllezërit e tjerë, babai ka qenë I plagosur, edhe dy djemtë e axhës i kemi pas të vrarë. Ajo nuk harrohet asnjëherë, por kjo tash me lirimin e këtij, Qeveria që e ka bë pagesën me shkue me marr kjo domethënë për banorët e fshatit Luboten, jo vetëm për ne, është një vrasje e dytë. Faktikisht kriminelin e lirojnë, unë nuk di çka të them, me lirue një kriminel. Qeveria jonë çka është në pushtet edhe e përkrah këtë, unë nuk di çka të them më shumë. Ka qenë shumë keq, unë për veti nuk mund ta paramendoj se ka qenë shumë një rast i keq, ka qenë një masakër e keqe, me vra 6 vjet fëmijë edhe prapë me u lirue, unë nuk di çka të them”, u shpreh për ALSAT-M, Mevludin Bajrami, familjar i viktimave. 

Ndërsa në Facebook qarkullojnë komente të tilla si: “Pra, atë që Gjykata Ndërkombëtare e ka shpallë “kriminel lufte” Qeveria e Republikës së Maqedonisë e shpall hero, pra jo partia VMRO-DPMNE, jo “Dostoinstvo”, jo “branitellat”, por vetë Qeveria. Kjo i bie që kjo qeveri e miraton veprimin e tij në vitin 2001. Kjo i bie që Johani nuk ka pasur faj, por fajin e kanë pasur lubotenasit që kanë qëlluar në rrugën e plumbave të tij. Dhe, sipas kësaj logjike, i bie që lubotenasit duhet t’i kërkojnë falje Tarçullovskit për vrasjet që ai i ka bërë në Luboten”.

Ermira Mehmeti-Devaja, deputete e BDI-së thotë se shqiptarët e as BDI nuk i gëzohen lirimit të tij ashtu si që maqedonasit nuk iu gëzuan disa veprimeve të tjera.

“Sot asnjë shqiptar, BDI-ja me se paku, nuk i gëzohet kthimit të Johan Tarçullovskit. Ashtu siç asnjë maqedonas nuk iu gëzua interpretimit autentik të Ligjit për amnisti, bllokimit të Ligjit për ‘branitellat’, zgjedhjes së Talat Xhaferit Ministër të mbrojtjes, fitores shqiptare në Kërcove dhe ne Strugë” thotë Devaja.  Ajo thekson se këto janë realitetet tona, ndërsa Tribunali i Hagës ka dhënë verdiktin e vet sa i përket çështjes së kriminelëve të luftës në Maqedoni.

Rasti i Lubotenit ishte një ndër rastet e vetme që u procesuan dhe u gjykuan nga Tribunali Ndërkombëtarë për Krime Lufte, me ç’rast për krimet e kryera ndaj civilëve shqiptarë u dënua ish-pjesëtari i lartë i forcave të sigurisë maqedonase, Johan Tarçullovski, ndërsa i akuzuari i parë ish-ministri i Brendshëm, Lube Boshkovski u lirua nga akuza.

Në mëngjesin e 12 gushtit të vitit 2001 u zhvillua operacioni i ndërhyrjes së njësiteve policore – ushtarake në fshatin Luboten ku vranë shtatë civilë shqiptarë, në mesin e tyre edhe fëmija 6-vjeçar Erxhan Aliu, me arsyetimin e operacionit se në fshat ishin të pranishëm pjesëtarë të UÇK-së.

I dënuar për krime lufte, Johan Tarçullovski u dënua për vrasje, thyerje të ligjeve të luftës, torturë dhe shkatërrim të pasurisë.

Sipas aktakuzës, më 12 gusht 2001, anëtarët e një njësie policore të komanduar prej Johan Tarçulovskit kryen një sulm të paligjshëm në Luboten, gjatë të cilit vdiqën shtatë shqiptarë etnikë, së paku 14 shtëpive iu vu zjarri qëllimisht dhe më shumë se njëqind banorë të fshatit që ishin meshkuj shqiptarë, u arrestuan dhe u rrahën, poshtëruan dhe u keqtrajtuan psikologjikisht. Kjo është e vetmja çështje gjyqësore e Tribunalit në lidhje me konfliktin gjashtëmujor në Maqedoni. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button