Eco Guerilla: Teuta Arifi mos t’i fajësojë qytetarët për mbeturinat

Organizata Joqeveritare Eco Guerilla ka reaguar ndaj postimit të kryetares së Komunës së Tetovës, Teuta Arifi të bërë ditë më parë, në lidhje me në një nga pjesët qendrore të qytetit ku bëhet grumbullimi mbeturinave, sipas së cilës, mbeturinat janë pastruar tre herë me radhë, transmeton Portalb.mk.

Nga kjo organizatë kanë thënë se, kryetarja aktuale e Komunës së Tetovës në mënyrë të ulët dhe jodinjitoze për postin që mban, fajëson qytetarët se hedhin mbeturinat jashtë kontenjerëve edhe kur ato janë të stërmbushura e të pamjaftueshme.

“Kryetaren duhet ta informojnë se mënyra e jetesës dhe konsumi i mallrave edhe në Tetovë është shumëfishuar në 10 vitet e fundit. Keqmenaxhimi i higjienës dhe pastërtisë në qytet është i përmasave skandaloze, si në asnjë komunë në rajon dhe më gjerë. Prandaj kryetarja aktuale, nëse ka dikë afër vetes duhet t’i llogarisë e planifikojë se sa kontenjerë duhet te ketë në qytet sipas indeksit mesatar se sa mbeturina ka për kokë banori dhe sa shpesh duhet të pastrohen, që në këto 8 vite pothuajse nuk është bërë asgjë. Nuk kan faj edhe puntorët e NPK Tetova të punojnë në kushte të mjerueshme dhe gjithë mbeturinat e qytetit mblidhen nga 2-3 kamiona të stërlodhur. Qytetarët e Tetovës i dëgjojnë fjalët, por u besojnë syve të veta!”, thuhet në reagimin e tyre.

Kryetarja e Komunës së Tetovës, Tetua Arifi ditë më parë përmes një statusi në Facebook ka shkruar se në një nga pjesët qendrore të qytetit ku bëhet grumbullimi mbeturinave dhe në të cilën ndodhen hapësirat e OJQ-së “LOJA”, mbeturinat janë pastruar tre herë me radhë, kurse nga OJQ-ja thonë se autoritetet komunale i pastrojnë vetëm kur vjen për vizitë ndonjë ambasador.

Menjëherë pas postimit të Arifit kanë reaguar edhe nga Qendra për Bashkëpunim Ballkanik “LOJA” nëpërmjet një statusi në Facebook, ku thonë se kjo pjesë pastrohet vetëm kur vjen për vizitë ndonjë ambasador.

Paraprakisht, gjithandej në qytetin e Tetovës ka pasur mbeturina të grumbulluara, të cilat nuk janë pastruar nga autoritetet komunale. Pos, mbeturinave të amvisërive, qytetarët kanë hedhur edhe gjësende shtëpiake, mobilje e madje edhe materiale ndërtimore. Një ndër pjesët me më shumë mbeturina për ditë me radhë, ishte edhe pjesa për të cilën kryetarja Arifi akuzon OJQ-të.

Përderisa Tetova po ngulfatet nga mbeturinat, nuk merren masa të nevojshme për personat që hedhin mbeturina inerte, mobilje dhe material ndërtimore. Nga SPB Tetovë për Portalb.mk thanë se gjatë 6 muajve të parë të vitit 2021, janë regjistruar dy vepra penale në lidhje me ndotjen e mjedisit jetësor, nga hedhje e mbeturinave, mbeturinat e ndërtimit dhe materialet e tjera ndotëse.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button