fbpx

Pishina olimpike në Strugë vazhdon të mbetet çerdhe për narkomanët e qytetit

Objekti i rrënuar i pishinës olimpike në qytetin e Strugës në afërsi të shkollës fillore “Vëllezërit Miladiovci” është vendi ku me vite të tëra grumbullohen narkomanët e qytetit. Për zgjidhjen e këtij problemi është premtuar shumë megjithatë akoma nuk është bërë asgjë. Zgjidhja e problemit me pishinën ishte edhe një ndër premtimet elektorale të kryetarit aktual të Strugës, Ramiz Merko, shkruan Portalb.mk.

Për më shumë se 15 vite pishina olimpike në qytetin e Strugës është lënë në harresë si nga pushteti qendror edhe nga ai lokal. Pishina olimpike e Strugës është ndërtuar në vitin 1972, ndërsa puna e saj u ndërpre në vitin 2005 dhe që atëherë objekti, tashmë i rrënuar, i pishinës shërben si strehë për narkomanët të qytetit. Këtë fenomen akoma më shqetësues e bënë fakti se pishina ndodhet shumë pranë Shkollës Fillore “Vëllezërit Miladinovci”. Objekti nuk është i rrethuar dhe shpesh ndodh që nga kureshtja fëmijët të hyjnë në këtë ambient të mbushur me shiringa droge dhe ku kundërmon erë tmerruese.

Me vite të tëra, për zgjidhjen e problemit e pishinës olimpike janë bërë dhjetëra premtime nga të gjitha subjektet politike por kurrë nuk ka pasur ndonjë veprim konkret. Kryetari aktual i komunës së Strugës, Ramiz Merko, gjatë një interviste për vërtetmatësi.mk premtoi se gjatë mandatit të tij do ti jepet fund gjendjes katastrofale të kësaj pishine.

“Pishina ka qenë premtim elektoral, ka qenë edhe nga subjektet tjera, ne kemi bërë një takim me drejtorin e agjencisë së objekteve sportive. Na kanë premtuar ndërtimin e dy pishinave dhe ne kërkuam që përveç asaj ta rindërtojmë pishinën e vjetër. Premtimi ekziston”, u shpreh Ramiz Merko, kryetar i Komunës së Strugës. (Min. 11.50-12.24).

Nga pushteti qendror në nëntor të vitit 2019 deklaruan se në vitin 2021 objekti i pishinës olimpike në Strugë do të jetë ri-ndërtuar dhe do të jetë në funksion për qytetarët.

“Mjetet nga Agjencia për Rini dhe Sport tashmë janë ndarë. Bëhet fjalë për 30 milion euro dhe projektimet tona janë që objekti në fjalë në funksion të vihet në vitin 2021”, deklaruan për mediat përfaqësues të Agjencisë për Rini dhe Sport, pas inspektimit të objektit në fjalë (Min 1.10-1.21)

Megjithatë, gjendja e pishinës sot e kësaj dite vazhdon të mbetet e mjerueshme ndërkohë që në Strugë nuk është ndërtuar ndonjë pishinë tjetër e re.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button