Zjarre në Fier, Kukës, Lezhë e Mirditë/ Digjen me dhjetëra hektarë pyje, ndërhyrje edhe nga ajri, por era favorizon flakët

Rreth 80 ushtarë u nisen në mëngjes nga batalioni i Vaut të Dejës për në Qafën e Kumbullës dhe në Domgjon, malin e Munellës ku situata me zjarret mbetet serioze ne bashkinë e Mirditës, transmeton Top-Channel.

Shefi i zjarrfikëseve në Mirditë Agim Lleshaj, tha se është njoftuar nga Qendra Kombëtare Operacionale në Ministrinë e Mbrojtjes se do ketë mbështetje nga ajri me helikopterët e ardhur nga Çekia.

Një tjetër vatër serioze është ajo në fshatin Thirrë, në qarkun e Lezhës, ku puna vijon për vënien nën kontroll nga ana e FA, punonjësve të shërbimeve vendore, por edhe me ndërhyrje nga ajri. Vatra më e nxehtë është ajo në Majën e Rrunës, në Kukës pikërisht në pjesën sipër tunelit të Kalimashit. Është vënë nën kontroll vatra në zonën e quajtur Laku i Thive.

Ndërkohë që në orët e para të mëngjesit, në fshatin Lalm të komunës Kolsh të Lezhës janë disa vatra zjarri që po përhapen. Janë djegur pemë,shkurre, ndërsa nuk ka rrezik për banesat.

Flakët vazhdojnë edhe në ditën e dytë në fshatin Gjorgoz te Fierit. Veç zjarrit në pyllin me pisha, në kodrën përballë është hapur edhe një vatër e re zjarri. Dhjetëra hektarë pyll me pisha janë shkrumbuar ndërkohë që sipërfaqe të tëra më pisha vazhdojnë të jenë nën flakë.

Ndërkohë në kodrat e Cakranit janë dy vatra aktive, rreth 1 km vijë zjarri. Po digjen pishat nën kurorë, ndërsa zjarri është larg zonës së banuar. Për shuarjen e flakëve këtë të diel është kërkuar ndërhyrja e helikopterit ose e forcave të ushtrisë. Shërbimi zjarrfikës i Fierit vazhdon të jetë në terren duke punuar për neutralizimin e flakëve. Në ndihmë kanë shkuar edhe zjarrfikës nga Patosi e Roskoveci.

Një tjetër vatër zjarri është shfaqur në fshatin Radostinë në Fier. Zjarri është përhapur në të gjithë sipërfaqen e kodrës në këtë zonë duke djegur ullishte.

Forcat zjarrfikëse qe janë në gadishmëri, pasi pjesa më e madhe janë duke luftuar me dy vatrat e zjarrit në fshatin Gjorgoz, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje duke u munduar të shuajnë flakët. Zjarri, i ndihmuar edhe nga era po përhapet me shpejtësi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button