RMV, Arben Taravari shpalli kandidaturën për mandat të dytë për Gostivarin

Kryetari i Komunës së Gostivarit Arben Taravari sonte përmes një postimi në profilin e tij në Fejsbuk informoi për shpallje zyrtare të kandidaturës së tij për mandat të dytë për zgjedhjet lokale që do të mbahen në 17 tetor të këtij viti me slloganin “Voto Gostivarin”, njofton Portalb.

“Ekipi dhe unë kemi vendosur që të shpall zyrtarisht kandidaturën për kryetar të Komunës së Gostivarit. Ne jemi në mbyllje të mandatit të parë. Thonë që ndonjëherë nuk e kupton vlerën e momentit derisa ai çast të kthehet në kujtim. Kështu momentet, orët e ditët plot punë, edhe pak dhe do të lexohen si 4 vjet në kalendar. Arritëm që në këto 4 vite të rendisim emrin e qytetit tonë, të parin në listën e qyteteve shqiptare në Maqedoni dhe ndër të parët në nivel republikan”, shkroi Taravari.

Arsyeja kryesore që më çoi në shpalljen e kandidaturës, shtoi Taravari, janë ata, gostivarasit e ndershëm e të qetë, të munduar dhe të duruar, të heshtur e punëtorë, trima e të mençur.

“Është qyteti që më ka futur në zemër i ndjeri baba im që fiks para 3 muajsh është larguar nga jeta. Janë duart me kallo të gostivarasit punëtor që edhe pse me 1000 halle ka sakrifikuar veten për t’i shkolluar fëmijët e vet. Janë sytë e nënave gostivarase që kanë ditur të qeshin edhe në pikë të varfërisë dhe ta kenë derën hapur për miqtë! Janë shtëpitë gostivarase që brenda mbajnë histori plot me halle, varfëri e padrejtësi, por vazhdojnë të mbijetojnë sepse kanë një gjë që askush nuk e mund dot, fisnikërinë gostivarase. Janë të shtrenjtët motra e vëllezër që sa herë largohen për në mërgim bëjnë një funeral të vendlindjes dhe dashuria për Gostivarin sa më larg shkojnë aq më shumë ju rritet! Presidenti amerikan Teodor Ruzvelt ka thënë: Besoni se mundeni dhe kështu do të keni bërë gjysmën e rrugës! Unë kam besim absolut që bashkë me ju, shqiptarë e maqedonas, turq, egjiptianë, romë apo torbesh, të ASH-së apo të VMRO-së, të Besës, Alternativës, BDI-së, LSDM-së apo Levicës, muslimanë apo krishterë por TË GJITHË GOSTIVARAS, mund të ndërtojmë qytetin tonë e të bëjmë ashtu si e meriton çdonjeri nga ne!”, potencon ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button