fbpx

Në një shoqëri të ndarë për çështjen e vaksinimit, dizinformatat juridike/ligjore mbjellin frikë për fashizëm

Bojana Guberac

Nëse pandemia na mësoi diçka, kjo është se në Kroaci, si kurrë më parë, ekziston një mosbesim i fortë ndaj sistemit dhe, ajo që është edhe më e tmerrshme, në profesion. Ne kemi mësuar se politikanët na gënjejnë, ose – siç po thuhet kohët e fundit në Kroaci – ata po na tregojnë të pavërteta. Por edhe më shqetësues është fakti se shumë qytetarë kroatë thonë se shumë ekspertë janë anëtarë të “shërbëtorëve të së keqes” të cilët janë këtu për të na futur në një lloj fashizmi të ri.

Brenda natës ekspertët u bënë sharlatanë

Në gjithë atë ngutje dhe rrëmujë në lidhje me p(l)andeminë, humbi madje edhe ajo ndarje e përjetshme në të majtë dhe të djathtë. Ekspertët juridikë dhe mjekësorë në mendjet e shumë njerëzve janë ngjyrosur me një ngjyrë të vetme – atë të fashizmit. Brenda natës humbën autoritetin, njohuritë dhe identitetin e tyre, dhe u bashkuan me Bill Gates kundër popullit të tyre, dhe kundër të gjithë popujve të botës, në planin më djallëzor ndonjëherë – për të na rrëmbyer lirinë tonë dhe për t’u bërë skllevër. Tingëllon çmendurisht kjo, apo? Epo, kjo është pikërisht teoria që ju nevojitet njerëzve që nuk kanë mendje kritike për të kuptuar se nuk e dinë dhe se dikush e di më mirë se ata. Autoritetet janë vërtet këtu për t’u kontrolluar/hulumtuar, por të mendohet se për shkak të qasjes në internet ju e njihni më shumë këtë temë sesa një person i cili është arsimuar për të, është thjesht – një budallallëk. Ne e dimë se një diplomë nuk do të thotë gjithmonë njohuri, por vështirë se ndodh me çdo person që ka një diplomë.

Ajo që është evidente në të njëjtën kohë është fakti se shoqëria përdor rastësisht fjalë që nuk i kupton. Ne, natyrisht, gjithmonë kemi të drejtë të mendojmë, askush nuk mund të na ndalojë, por ne nuk mund të ndryshojmë atë që janë terma dhe ligje të caktuara juridike. Në përpjekje për të hedhur dritë mbi dizinformatat ligjore që qarkullojnë në hapësirën publike, bisedova me Sanja Bariç, Shefe e Departamentit të së Drejtës Kushtetuese në Fakultetin Juridik në Rjekë.

Diskriminim apo e drejtë e shtetit?

Kryeministri Andrej Plenkoviç kohët e fundit tha se vaksinimi kundër koronavirusit do të ishte një kusht për të fituar mbështetje për ruajtjen e vendeve të punës, duke shkaktuar një sulm të gjithanshëm ndaj kryeministrit nga ana e biznesmenëve.

“Nuk ka absolutisht asnjë shans që një gjë e tillë të zbatohet në praktikë, sepse nuk është vetëm në kundërshtim me arsyen e shëndoshë, por edhe me Kushtetutën dhe praktikën juridike të Bashkimit Evropian, por edhe me Rezolutën 2361 që BE-ja miratoi këtë vit, dhe me të cilën ndalohet çdo diskriminim në bazë të vaksinimit”, deklaroi për „Lider“ Drazhen Oreshçanin, drejtor ekzekutiv i „Zëri i Bashkuar i Biznesmenëve“. Hrvoje Bujas, kryetar i „Zëri i Bashkuar i Biznesmenëve“, kushtëzimin e tillë e konsideron si diskriminim. “Vaksinimi kundër koronavirusit në Kroaci nuk është i detyrueshëm, dhe nëse kryeministri synonte të kushtëzonte pagesën e mbështetjes me vaksinimin e punonjësve, kjo është diskriminim i pastër,” tha ai për „Jutarnji List“ dhe njoftoi se do të ngrinte një padi kundër shtetit për diskriminim në lidhje me masat e deritanishme kundër pandemisë.

Por lind pyetja nëse ekziston një problem kushtetues-ligjor me kushtëzimin e vaksinimit, në mënyrë që të jepet mbështetje për ruajtjen e vendeve të punës?

Në fillim të bisedës sonë, Sanja Bariç thekson se një gjë është mundësia e rregullimit ligjor, dhe krejt tjetër është zgjedhja e taktikave të duhura për të arritur qëllimin. “Arritja e qëllimit kushtëzohet nga të kuptuarit e arsyeve psikologjike dhe sociologjike të refuzimit të vaksinimit. Personalisht, unë mendoj se kjo krizë nuk është menaxhuar sa duhet mirë, si dhe se është krijuar një ndjenjë mosbesimi në qeveri, dhe se ky mosbesim nuk ka të bëjë dhe nuk asnjë lidhje me vaksinën. Ky mosbesim është apriori. Dhe kjo është e keqe. Pikërisht kjo bisedë e jona synon të sqarojë disa nga ato dilema. Le të fillojmë, pra, me radhë. Kushtëzimi për dhënien e mbështetjes duke pasur një certifikatë KOVID nuk është antikushtetues, as nuk përbën ndonjë diskriminim në kuptimin juridik. Ajo që është e rëndësishme është të kuptohet se shteti ka jo vetëm të drejtën, por edhe detyrimin për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve të tij. Procesi në lidhje me mbështetjen shtetërore zhvillohet si më poshtë. Biznesmenët kryejnë aktivitetin e tyre. Në përputhje me kushtetutën e Republikës së Kroacisë dhe standardet ndërkombëtare, aktiviteti ekonomik mund edhe të kufizohet, ndër të tjera, për shkak të mbrojtjes së shëndetit,” me vendosmëri tha Bariç.

Vo opstestvo podeleno od vakcinacijata pravnite dezinformacii sirat strav od fasizam blog

Burimi: lider.media

Ajo shpjegon se si kufizimi i aktivitetit çon në humbje të punës, pra madje pamundëson edhe mbijetesën. Shteti pastaj, thotë ajo, prezanton masa që deri diku të riparojnë një humbje të tillë, në përpjekje për të ruajtur vendet e punës dhe vetë veprimtarinë afariste. Bariç thotë se mbështetja jepet nga buxheti i shtetit – domethënë nga fondet e të gjithëve ne. Ndërkohë, është gjetur një mjet më efektiv për mbrojtjen e shëndetit publik – një vaksinë, të cilën shteti e ka blerë përsëri me fonde nga buxheti i shtetit. Me paratë tona, jo me paratë e Andrej Plenkoviç.

“Me vaksinim mund të vazhdojë çdo aktivitet ekonomik dhe nuk ka nevojë për mbështetje të mëtejshme. Ata që nuk janë vaksinuar dhe të cilët nuk kanë një arsye të vlefshme mjekësore për të (që kanë kaluar KOVID ose rreziku i zhvillimit të sëmundjeve të caktuara për shkak të historisë personale ose familjare) në të vërtetë kërkojnë që për kujdesin shëndetësor të ndahen dyfish më shumë fonde: nuk duan të vaksinohen, por duan mbështetje. Kjo është e papajtueshme me idenë e solidaritetit në shoqërinë në të cilën jetojmë dhe me idenë e sundimit kushtetues. Për të nxjerrë një përfundim: jo vetëm që lidhja e mbështetjes me vaksinimin nuk është jokushtetuese, por pothuajse mund të konsiderojmë të kundërtën: që ndarja e mbështetjes në një situatë ku kemi mjete të tjera është e papranueshme”, tha Bariç.

Ajo shton se është e nevojshme të theksohet se vaksinimi nuk është i kushtëzuar. “Vetëm në rast se keni një humbje të punës mbi 40 përqind, nëse është një aktivitet i prekur nga masat, nëse me të ruhen vende pune, vetëm atëherë keni të drejtë ndihme nga të gjithë ne (shteti, por nga të gjithë ne përmes buxhetit të shtetit) në formën e mbështetjes financiare. Dhe nëse nuk keni marrë pjesë personalisht në përpjekjet për të ndaluar këtë sëmundje (vaksinim falas), ne thjesht nuk mund t’ju ndihmojmë si një punëtori. Kjo duhet të jetë mjaft e qartë dhe e padiskutueshme. Nuk do të thotë që do të pushoheni nga puna, por nëse nuk merrni pjesë, nuk mund të na kërkoni që t’ju ndihmojmë.”

“Kakofoni” termash që nuk janë të kuptueshëm

Bariç thekson se akuzat kundër qeverisë për diskriminim janë një “kakofoni” termash nga sfera juridike që nuk janë të kuptueshëm për ta. Sipas Ligjit për Ndalimin e Diskriminimit, diskriminimi është vendosja në pozitë të pafavorshme të personave që posedojnë një karakteristikë të caktuar, e cila nuk është e rëndësishme për një shërbim, punë dhe situatë të caktuar. Kushtetuta e Republikës së Kroacisë, nga ana tjetër, thotë në Nenin 50 se liria ekonomike dhe të drejtat pronësore mund të kufizohen me ligj për të mbrojtur shëndetin e njeriut. Duhet të theksohet se kjo i referohet ligjeve ekzistuese në fuqi.

“Për shembull, nëse keni një diplomë nga fakulteti juridik, nuk mund të punoni si mjek sepse duhet t’i përfundoni ato studime. Por nëse keni mbaruar fakultetin juridik dhe nuk duan t’ju punësojnë sepse jeni grua (e cila potencialisht do të jetë nënë, kështu që punëdhënësi nuk dëshiron të shpenzojë para shtesë për ju) ose sepse jeni një greko-katolik, ose sepse jeni anëtar i një partie politike, është një diskriminim sepse të gjitha ato cilësi nuk duhet të merren parasysh gjatë procesit të punësimit. Në këtë rast, siç e shpjegova më lart, ju në fakt nuk keni të drejtë të qenësishme për mbështetje financiare. Thjesht është mëshira e shtetit që, natyrisht, ju ndihmon sepse ju është kërkuar të bëni një sakrificë (të mos kryeni një aktivitet) në mënyrë që të na mbroni të gjithëve. Dhe ta theksojmë: nuk është një shtet abstrakt, është buxheti i shtetit dhe paratë e të gjithë ne. Ne, në fakt, të gjithë së bashku po ju ndihmojmë juve, të cilët nuk kishit mundësi të punonit, për të na mbrojtur ne. Por tani ne kemi një vaksinë dhe më falni nëse duhet ta kuptoni këtë, vetëm ju vendosni që nuk doni të merrni pjesë në aktivitetin e përbashkët për të ndaluar sëmundjen me anë të vaksinimit. Në atë rast, ne nuk kemi asnjë detyrim për t’ju ndihmuar. “Ne, populli në tërësi, buxheti i shtetit, dhe jo shteti i keq, nuk kemi asnjë detyrim të mbajmë në kurrizin tonë shpenzimet e paarsyeshmërisë suaj,” shpjegoi ekspertja e së drejtës kushtetuese, për të cilën është e rëndësishme të theksohet se ajo nuk është një person i afërt me Plenkoviç.

Një rezolutë e BE-së së cilës i referohen qytetarët

Sipas Rezolutës 2361 të BE-së, të miratuar në muajin janar, askush nuk duhet të diskriminohet ose të ushtrohet presion për t’u vaksinuar. A është shkelur rezoluta për shkak të kushtit të vaksinimit për dhënien e mbështetjes dhe a do të shkelej nga ndalimi për të hyrë, për shembull, në një teatër pa certifikatë të KOVID?

“Certifikata KOVID lëshohet jo vetëm për të vaksinuarit, por edhe për ata që kanë kaluar ose janë kuruar nga KOVID. Ne nuk presim të vaksinohen fare ata që nuk mund të vaksinohen për arsye mjekësore, ne, të gjithë të tjerët, të cilët mund të vaksinohemi, i mbrojmë ata. E përsëris, përvetësimi i mbështetjes nuk është një e drejtë, por një shprehje e solidaritetit në përpjekjet e përbashkëta kundër kësaj sëmundjeje. Ju nuk mund të diskriminoheni nëse nuk doni të merrni pjesë në përpjekjet e përbashkëta. Ndalimi i hyrjes në evente publike, shfaqje teatrore, koncerte dhe të ngjashme, madje edhe një ndalim i mundshëm në të ardhmen për të hyrë në ambientet e institucioneve publike ose institucioneve ku kryhet shërbimi publik (për shembull, spitalet, shkollat, kolegjet, zyrat qeveritare, etj.) nuk do të ishte diskriminuese nëse parashikon edhe mundësinë për të dhënë dëshmi, pra për të hyrë me një test “të freskët”. Është shumë e thjeshtë: ose keni kaluar KOVID, ose vaksinohuni, dhe nëse nuk ju lejohet të vaksinoheni ose nuk doni të vaksinoheni, do të testoheni çdo disa ditë. Përveç për ato që kanë arsye mjekësore për mos vaksinimin t’u sigurohet një test falas,” deklaroi Bariç.

Për më tepër, Bariç interpreton sesi Rezoluta 2361 e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ka vetëm peshë politike, por jo edhe juridike. “Bëhet fjalë për të ashtuquajturin mekanizëm “soft law”, një rekomandim, jo ​​një mekanizëm “hard law”, jo për të drejtën kontestimore. Megjithatë, është edhe më e rëndësishme të thuhet se: tre muaj pas kësaj Rezolute, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, e cila është gjykata më e lartë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe një nga organet e Këshillit të Evropës, do të thotë e njëjta organizatë që miratoi këtë Rezolutë, miratoi një aktvendim të saj në rastin gjyqësor “Vavriçka dhe të tjerët kundër Republikës Çeke”, në të cilin aktvendim u vendos që ishte e lejueshme të futet një detyrim për vaksinimin dhe të përshkruajë gjoba financiare për prindërit, madje edhe dëbimin e një fëmije të pa vaksinuar nga një institucion parashkollor”.

A ka bazë ligjore që vaksinimi kundër Kovid-19 të jetë i detyrueshëm?

Sidoqoftë, edhe pse Kryeministri kohët e fundit deklaroi se ata nuk mund të bëjnë vaksinimin të detyrueshëm, profesoresha Bariç thotë se, nga këndvështrimi juridik, vaksinimi mund të jetë i detyrueshëm. “Dispozita ligjore përkatëse duhet të ndryshohet dhe të shtohet detyrimi për vaksinim. Pra, nuk ekziston për momentin, por mund të futet në çdo kohë. Kjo kërkon një vendim të kuvendit në formën e një ligji, pra ndryshime dhe plotësime të ligjit. Theksoj gjithashtu se miratimi i një dispozite të tillë kërkon shumicë, por jo dy të tretat e shumicës së deputetëve në kuvend. Një shumicë prej dy të tretave është padyshim e dëshirueshme në aspektin e legjitimitetit, por nuk është e domosdoshme në aspektin kushtetues,” deklaron Bariç.

Pra, kryeministri i akuzuar për fashizëm mund të prezantojë vaksinimin e detyrueshëm, por ai nuk e bën. Nuk më shkon në mendje të mbroj Plenkoviç ose qeverinë e tij, dhe veçanërisht shtabin e krizës, sepse që nga fillimi i pandemisë ne të gjithë kemi qenë dëshmitarë të një numri të veprimeve të palogjikshme, standardeve të dyfishta dhe aferave, por kjo nuk ishte tema e këtij teksti. Mua më interesojnë faktet. Duam apo s’duam, Andrej Plenkoviç është në pushtet dhe ka fuqinë për të marrë vendime bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kroacisë. Për ca kohë tashmë jemi duke jetuar në një gjendje skizofrenike, por të them të drejtën, me masa dhe kufizime shumë të buta. Më në fund, shoqëria jonë tashmë e ndarë thellë është shkatërruar nga ndarjet e fundit midis të vaksinuarve dhe të pa vaksinuarve, kështu që sigurisht që nuk ndihmon përhapja e dizinformatave ligjore dhe frika në shoqëri, me narrativën se qeveria “promovon” fashizëm, e megjithatë ka liri të shprehjes. Problemi është se rrjetet sociale kanë kontribuar që secili të ketë pikëpamjen e tij për të vërtetën, gjë që mund të çojë që përplasjet verbale në rrjetet sociale të “kalojnë” në rrugë.

Për të shmangur një skenar të tillë, qytetarët kanë nevojë për edukim urgjent për deshifrimin e dizinformatave, i cili do të përfshijë ekspertë që kujdesen për njerëzit, pavarësisht botëkuptimit të tyre, si dhe inkurajim të fuqishëm të edukimit mediatik dhe politik. Kam frikë se Andrej Plenkoviç nuk është i vetëdijshëm se për momentin ky është hapi më i rëndësishëm që qeveria e tij duhet të ndërmarrë.

Burimi: Respublica

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button