A shkojnë bashkë Ballkani i hapur dhe bota serbe?

Nuk ka dyshim se nismat për bashkëpunimin ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor janë të mirëseardhura, veçanërisht në situatën kur 6 shtetet e tij (Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia) kanë mbetur pezull dhe larg mundësisë për t’u integruar në BE. Jo rastësisht në vitin 2014 lindi iniciativa e kancelares gjermane Angela Merkel, e njohur si Procesi i Berlinit, qëllimi i të cilit qe bashkëpunimi rajonal në fushat e rëndësishme të jetës që do t’i shpiente vendet ballkanike më pranë dyerve të Evropës. Fillimisht gjithçka nisi mirë dhe gjërat lëvizën në drejtimin e duhur. U vendos komunikimi i munguar ndërmjet liderëve të Ballkanit, të cilët u takuan vite me radhë në mbledhjet e niveleve të larta të organizuara në Gjermani, Austri, Itali, Francë… U ndërmorën dhe një sërë aktivitetesh sendërtimin e të cilave e penguan kryesisht hasmëritë e vjetra, çështjet e pazgjidhura dhe pretendimet e përhershme ekspansioniste serbe ndaj Kosovës, Bosnjës e Hercegovinës, Malit të Zi dhe Maqedonisë.

Në kësi rrethanash me vështirësitë më të mëdha për integrimin mes shteteve të tjera të rajonit dhe anëtarësimin në BE ballafaqohet Kosova. Pavarësinë e saj akoma nuk e kanë pranuar pesë shtete anëtare të BE-së, kurse Serbia, as pas krimeve monstruoze të bëra në Kosovë, nuk e dëshiron normalizimin e marrëdhënieve shqiptaro-serbe dhe nuk i ndal përpjekjet për ripushtimin me forcë të saj. Ajo prej vitesh ka vënë gjithçka në shërbim të synimeve serbomëdha, të armatimit dhe rritjes së forcës ushtarake, duke militarizuar kësisoj gjithë jetën e vendit. Për shkak të këtyre synimeve Serbia është lidhur si kurrë më parë me Rusinë putiniste të interesuar për të shtrirë ndikimin në Ballkan dhe nuk është e interesuar të bëhet anëtare e BE-së. Asaj nuk i shkojnë për shtati politikat e BE-së që gjakojnë damokratizimin e mirëfilltë të shteteve anëtare, sundimin e së drejtës, heqjen dorë nga pretendimet territoriale ndaj fqinjëve. Ajo i saboton dhe zhagit proceset integruese të rajonit, duke pritur ndryshimin eventual të kursit të politikës amerikane, që aktualisht është në favor të shqiptarëve, dhe duke pritur forcimin e Bashkimit Euroaziatik të Putinit, që pretendon të lë pas Amerikën në luftën e hapur të garave të armatimit. Pra, Serbia e pret momentin e duhur, e pret ndryshimin e balancës së forcave për ta kthyer Kosovën nën kthetrat e saj.

Kjo është arsyeja përse Serbia e drejtuar nga pinjollët millosheviqianë e shfrytëzon pakënaqësinë aktuale të shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor për ta ushqyer humbjen e besimit ndaj BE-së, që, dorën në zemër, vërtet po e tepron me hezitimin për t’i pranuar në gjirin e saj edhe shtetet të cilave u thotë se i kanë përmbushur kriteret e kërkuara, si puna e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kjo, natyrisht, nuk duhet të ishte assesi arsyeja e kryeministrit shqiptar, i cili, pas dështimit për shkaqet e sipërpermendura të Procesit të Berlinit, pranoi të bëhet pjesë e Minishengenit, të ripagëzuar/ ripispillosur së fundmi si Ballkani i Hapur, në të cilin aderojnë vetëm Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria, kurse jashtë saj kanë mbetur Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina. Mjerisht, Edi Rama është bërë boria më e zëshme anti BE-së, në përpjekjen e tij qesharake për ta paraqitur Ballkanin e Hapur si alternativë të Procesit të Berlinit, që synonte përgatitjen dhe lehtësimin e inkuadrimit të shteteve të Ballkanit Perëndimor në BE, jo zëvendësimin e saj me sajesat që i shkojnë në favor vetëm forcimit të hegjemonizmit serb dhe shtrembërimit të imazhit të Kosovës para syve të botës – paraqitjes së saj si jobashkëpunuese me shtetet tjera të rajonit, madje dhe me shtetin amë, pjesë e të cilit ndoshta do të ishte prej kohësh po të ishim pak më shumë gjermanë sesa serbë.

Më paradoksale është e dhëna se kryeministri i Shqipërisë, përveç akuzave të pamatura drejtuar BE-së, përveç deklaratave arrogante që shkojnë përtej marrëzirave të Vuçiqit me të cilat ia bën me dije botës se vendet që shpikën fluskën Ballkani i Hapur, nuk janë në zor për inkuadrimin në BE, kritikon ashpër dhe Kosovën që nuk pranon të kllumet në ujërat e shtonave serbe. I shndërruar në borizan të Vuçiqit, burrështetasi dymetrosh me kule që është i obliguar me Kushtetutën e vendit që “drejton” të përfaqësojë vullnetin e gjithë shqiptarëve kudo që jetojnë ata, nuk denjon të sqarojë përse Kosovës dhe parësisë së saj aktuale nuk i është lënë asnjë mundësi për t’u bërë pjesë e dokrave serbe. Kjo sepse Serbia nuk e ka ndryshuar për asnjë qime të vetme qyrkun e Millosheviqit kur është në pyetje Kosova. Ajo e thotë hapur se nuk do ta pranojë kurrë shtetësinë e saj, pavarësisht epilogut të farsë-bisedave të zhvilluara prej vitesh në Bruksel. Ajo po përgatitet ta ripishtojë me gjenocide të reja Kosovën. Ajo e kërcënon hapur dhe ditëpërditshëm Kosovën, nëpërmjet zëdhënësve të saj, disa prej të cilëve kanë bërë dhe krime ndaj shqiptarëve…

Vallë nuk i di këto gjëra kryeministri gjitholog shqiptar? A nuk e di se Shqipëria është katandisur shkaku i hajdutëve brenda qeverive shqiptare, si kjo e tija? A nuk e di se mijera djem të rinj shqiptarë detyrohen të sigurojnë me punë krahu ekzistencën e familjeve, duke u endur madje dhe rrugëve të fshatrave të Maqedonisë se varfër të Veriut? A nuk e di se farsa Ballkani i Hapur i shkon për hoshafi vetëm Serbisë, e cila do ta përmbytë Shqipërinë me vërshimën e mallërave që nuk ia blen kush përveç nesh? A nuk e di se nuk ka çfarë të eksportojë në Serbi, sepse vendin që qeveris kokëmëvete e ka lënë pa klasë punëtore, pa fabrika, pa uzina prodhuese?  A nuk e di se nëpërmjet të drejtës së “levizjes së lirë” dhe blerjes së pronave ia hap dyert Serbisë e Rusisë që ta blejnë sa çel e mbyll sytë bregdetin dhe portet shqiptare, ashtu siç bënë në Mal të Zi para disa vitesh? A nuk e di Rama se sivëllai i tij Vuçiqi nuk është njeri i paqes dhe stabilitetit në Ballkan me të cilin duhet të bësh kosmopolitin? Me injorancën time them se i di të gjitha, përfshirë këtu edhe b… e dreqit, ndaj mbeten për t’u kuptuar mirëfilli vetëm shkaqet që e shtyjnë ta ngulë thikën serbe në shpinën e Kosovës.

Në fund fare, lus qibarët që mendojnë ndryshe dhe që kanë kulturë më të madhe politike, të sqarojnë çfarë ka të përbashkët ndërmjet dy iniciativave, programeve, platformave, naçertanjeve më të reja serbe: Ballkanit të Hapur dhe Botës Serbe (Serbisë së Madhe), sepse kryeministri shqiptar justifikon gafat duke thënë se kanë ndryshuar kohërat dhe se nuk duhet ta vrasim të ardhmen duke iu kthyer të shkuarës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button