RMV, në Karposh dhe Tetovë do të hapen dy qendra për kujdes ditor për fëmijët me aftësi të kufizuara, në Gazi Babë për familjet në rrezik

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me komunat e Gazi Babës, Karposhit dhe Tetovës, të cilat parashikojnë hapjen e dy qendrave të reja të kujdesit ditor për fëmijët me aftësi të kufizuara, si dhe këshillim për fëmijët dhe familjet në rrezik dhe fëmijët me aftësi të kufizuara, transmeton Portalb.mk.

Bashkëpunimi do të zhvillohet në kuadër të Projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale të zbatuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale me mbështetjen e Bankës Botërore. Me këtë, numri i komunave që ofrojnë shërbime sociale të financuara në kuadër të projektit zgjerohet në 26, kurse numri i përfituesve rritet në mbi 1040 shfrytëzues.

Në Komunën e Karposhit 32 fëmijë me aftësi të kufizuara, nga të cilët 16 fëmijë të moshës 2 deri në 5 vjeç dhe 16 fëmijë të moshës 6 deri në 10 vjeç do të kenë mundësi të qëndrojnë në Qendrën e kujdesit ditor për fëmijët me aftësi të kufizuara, ku ofruesi i shërbimit do të jetë Shoqata maqedonase Montesori.

Përmes aplikimit të metodës së Montesorit dhe teknikave terapeutike moderne, ndihma dhe mbështetja profesionale do të ofrohet përmes trajtimit individual dhe grupor dhe mbështetjes psiko-sociale për fëmijët dhe familjet e tyre. Kjo nënkupton mbështetje intensive për nevojat individuale të fëmijës.

Në Komunën e Gazi Babës, ofruesi i shërbimit “këshillim” do të jetë SOS “Fshati i fëmijëve”, ndërsa do të përfshihen 80 anëtarë të familjeve me rrezik social. Ekipet e ekspertëve do të punojnë për përmirësimin e aftësive shoqërore dhe komunikuese të fëmijëve mes bashkëmoshatarëve, vetëbesimin dhe vetëvlerësimin e tyre, njohjen e ndjenjave dhe teknikat e përballimit.

Për të zvogëluar konfliktet dhe dhunën në familje, dhënësit e shërbimeve do të punojnë edhe në përmirësimin e  aftësive prindërore dhe komunikimin midis anëtarëve të familjes, me qëllim fuqizimin e familjeve në rrezik social.

Në Komunën e Tetovës, gjithashtu do të krijohet kujdes ditor për personat me aftësi të kufizuara, në të cilin do të kenë mundësi të qëndrojnë 30 fëmijë me aftësi të kufizuara. Ofruesi i këtij shërbimi do të jetë OJQ IMAGO PLUS.

“Një ekip profesional i përbërë nga rehabilitues dhe edukator special, logoped, psikolog, punonjës social dhe fizioterapist do të ofrojë shërbimin trajtim individual dhe grupor, sipas një vlerësimi paraprak të nevojave të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Gjatë Kujdesit ditor, fëmijët do të kenë mundësinë të zhvillojnë aftësitë e përditshme të jetës (shprehitë e të ngrënit, higjienën, shëndetin), por edhe aktivitete të tjera si arsimore, sociale, kulturore dhe rekreative me qëllim që fëmijët me aftësi të kufizuara intelektuale të përfshihen më lehtë në sistemin e rregullt arsimor”, thuhet në njoftimin e MPPS-së.

Shërbimi në Qendrën e kujdesit ditor, thuhet tutje, parashikon terapi grupore, individuale dhe profesionale për fëmijët me aftësi të kufizuara, ndërsa përveç shërbimeve sociale me fëmijët, ofrohen gjithashtu këshillime për punë paralele, punëtori dhe aktivitete të tjera me prindërit.

Afati për zbatimin e projektit është 18 muaj, nga të cilët pesë muaj për themelimin dhe 12 muaj për ofrimin e shërbimeve.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale njoftoi se së shpejti do të shpallë një thirrje të re publike për projekte shtesë për komunat që nuk arritën të aplikojnë për thirrjen e parë, për të cilat në periudhën e kaluar në vazhdimsi hartohen nevojat e qytetarëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button