fbpx

Edhe 11 ditë kohë për aplikim, VV-ja ende asnjë zyrtarizim të kandidaturave

Derisa partitë e tjera janë në përfundim të shpalosjes së kandidatëve për kryetarë komunash, e madje edhe e kanë filluar fushatën, Lëvizja Vetëvendosje ende nuk e ka bërë një gjë të tillë, raporton Koha.net.

Ndonëse nuk kanë dhënë ndonjë datë se kur do të bëjnë të ditur emrat e kandidatëve për kryetarë e asamble për zgjedhjet lokale, moszyrtarizimin e deritanishëm të asnjë prej tyre nga Vetëvendosje e kanë arsyetuar me procedurat që i kanë të përcaktuara.

“Aktualisht jemi në procedurat e përzgjedhjes së kandidatëve për kryetarë komunash. Statuti i Lëvizjes parasheh disa faza deri në përzgjedhjen e kandidatëve, me ç’rast fjalën e fundit e kanë këshillat e qendrave tona të cilat vendosin për kandidatin me të cilin do të garojnë. Sapo të kemi përmbyllur këto faza do t’i njoftojmë qytetarët dhe mediat me kandidatët tanë”, ka thënë Arlind Manxhuka, sekretar për media në LVV.

Për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale, Vetëvendosje e subjektet e tjera politike duhet të aplikojnë për certifikim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Por, derisa afati për një gjë të tillë përfundon më 16 gusht, sipas zëdhënësit të KQZ-së, Valmir Elezi, deri të enjten kanë pranuar 8 kërkesa për certifikim. Prej tyre, 5 iniciativa qytetare, 2 kandidatë të pavarur e 1 parti politike.

“Nga këto 8 subjekte akoma nuk ka aplikuar ndonjëri nga subjektet apo partitë parlamentare dhe ne do të presim deri në përmbyllje të këtij afati për të ditur numrin e saktë të subjekteve politike që do të aplikojnë në këtë proces zgjedhor”, është shprehur Elezi.

Pas aplikimit, të gjithë kandidatët, qoftë për kryetarë apo asamblistë, duhet të verifikohen nga KQZ-ja e nga institucionet e tjera, si Këshilli Gjyqësor, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Agjencia e Kosovës për Inteligjencë e të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button