Rëndohet situata e pandemisë në Japoni

Vetëm pak ditë pas hapjes së Lojërave Olimpike të Tokios, Japonia po regjistron një rritje të ndjeshme të infektimeve me koronavirus. Për herë të parë në vend numri i infektimeve të reja arriti në 15 mijë vetë brenda një dite, raporton VOA.

Tani ekspertët mjekësorë po debatojnë nëse Olimpiket janë arsyeja për këtë situatë që disa e komentojnë si “tepër të rëndë”.

Që nga hapja e Lojërave Verore, Japonia ka shënuar të paktën shtatë herë nivele rekord infektimesh të reja. Pjesa më e madhe e tyre janë regjistruar në Tokio dhe përreth saj, ku janë grumbulluar dhjetëra mijëra sportistë, zyrtarë dhe të ftuar për këtë aktivitet global. Por autoritetet paralajmërojnë se aktualisht problemi ka kapërcyer kufijtë e kryeqytetit.

Zyrtari përgjegjës për situatën e COVID-it në vend thotë se situata është shqetësuese në mbarë Japoninë dhe se ka pasur vatra infeksionesh në komplekse dyqanesh, në sallone flokësh si dhe shkolla përgatitore.

Organizatorët këmbëngulin se shtimi i rasteve të reja nuk është shkaktuar nga Lojërat Olimpike. Deri tani vetëm 353 vetë të lidhur me Olimpiket kanë rezultuar pozitivë. I gjithë personeli që ka lidhje me Lojërat, pjesa më e madhe e të cilëve janë vaksinuar, janë të izoluar në mjediset sportive për të kufizuar kontaktet me publikun.

Por shumë ekspertë thonë se problemi nuk qëndron tek masat mbrojtëse që kanë shoqëruar organizimin e Lojërave, por tek vetë atmosfera që kanë krijuar Olimpiket duke sjellë një frymë euforie që ka rezultuar në uljen e vigjilencës së publikut.

Megjithë paralajmërimet e zyrtarëve për të ndjekur garat nga banesat, shumë japonezë janë mbledhur në vende publike sidomos në Tokio. Disa ekspertë të tjerë nënvizojnë se Olimpiket nuk kanë të bëjnë me këtë situatë shqetësuese, por fajtor është varianti Delta, i cili është shumë më ngjitës.

Ndërkaq, numri i vdekjeve ka qenë i ulët, megjithë shtimin e infeksioneve. Ndërsa është dyfishuar numri i shtruarve në spital gjatë dy javëve të fundit, janë regjistruar vetëm rreth 10 vdekje në ditë nga COVID-i. Një numër ekspertësh kanë debatuar nevojën për kufizime më të forta deri në shtimin e numrit të të vaksinuarve.

Japonia pati fillimisht ritme të ngadalta vaksinimi, por fushata e imunizimeve është shpejtuar kohët e fundit. Sipas shifrave zyrtare, deri të enjen ishin vaksinuar plotësisht 32% e japonezëve, ndërsa 45% kanë marrë të paktën një dozë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button