RMV, pothuajse të gjitha premtimet e deritanishme në ‘Agjendën Evropa në shtëpi’ të papërmbushura

Dokumenti qeveritar Agjenda ‘Evropa në shtëpi‘ nga muaji në muaj po kthehet në një dëshmi të fortë për mungesën e vullnetit politik dhe mos-funksionalizimit të mirëfilltë të institucioneve, veçanërisht të atij ligjvënës. Pazaret politike, nuk i lënë rend mirë-funksionimit të ligjeve. Qeveria dhe opozita janë vazhdimisht në ‘luftë’ me njëra-tjetrën. Herë njëra palë propozon gjëra që nuk përkojnë me ligjet e vendit e herë tjetra, shkruan Portalb.mk.

Shembulli i fundit që ilustron këtë çështje është edhe diskutimi për shpalljen e zgjedhjeve lokale, të cilat pas shumë debatesh më në fund u caktuan të mbahen në përputhje me afatin ligjor më 17 tetor të këtij viti. Kur jemi te dokumenti i sipërpërmendur, Portalb.mk në vazhdimësi ka analizuar se çfarë është realizuar e çfarë jo. Sipas analizave rezulton që pothuajse asnjë afat nuk është respektuar. Premtimet brenda këtij dokumenti deri tani ose nuk janë realizuar ose kanë mbetur në gjymsë-rrugë.

Ky dokument, siç e kemi potencuar tashmë ka afatet e veta për realizimin e premtimeve të renditura. Korriku nuk ka ndonjë pikë që duhej realizuar. Megjithatë, nga marsi priteshin të përmbushen shumë premtime të dhëna prej vitesh, të cilave gjithsesi institucionet kompetente nuk iu përmbajtën. Por çfarë u realizua, çfarë nuk u realizua dhe çfarë u nis dhe mbeti pezull?

Premtimet e mars-prill:

  • Akoma nuk është sjellë Ligji për buxhetet
  • Akoma nuk është sjellë Ligji për kontroll të brendshëm financiar publik. 

Premtimet e majit:

  • Premtimi i vetëm i mbajtur, edhe pse i përmbushur sërish me vonesë, gjegjësisht në fund të qershorit është miratimi i programit nacional për harmonizim me legjislacionit të BE-së (NPAА).
  • Premtim që akoma s’dihet ç’epilog do të ketë është korniza ligjore për zbatimin e procesit zgjedhor

Premtimet e qershorit:

  • Premtimi i vetëm pjesërisht i realizuar gjatë qershorit, por sërish me vonesë është parandalimi i mosndëshkimit në rastet e frikësimit / kërcënimit ndaj gazetarëve. Në këtë drejtim, janë planifikuar ndryshimet dhe plotësimet në Kodin Penal në drejtim të plotësimit të veprave penale me dispozita për mbrojtjen e gazetarëve nga sulmet gjatë kryerjes së detyrave të tyre. Por, ky premtim ka mbetur në gjysmë-udhë, në Qeveri është miratuar, por në Kuvend akoma jo. Tani deputetët janë në pushime, prandaj do të presim shtatorin nëse këto ndryshime ‘do të shohin dritën në fund të tunelit’.

Ministria e Drejtësisë në fund të majit priste me bindje të plotë se së shpejti, gjegjësisht në qershor të miratoheshin ndryshimet ligjore në Kodin Penal të cilat veç më, siç thanë nga kjo Ministri atëkohë, “janë dërguar në Qeveri”. Sidoqoftë, përsëri Qeverisë iu desh një muaj që t’i miratojë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë, Aleksandar Vidinovski, atëherë për Portalb.mk pati thënë se propozimi për ndryshimet ligjore, ku bën pjesë edhe propozimi që sulmi ndaj gazetarëve të trajtohet si sulm ndaj një personi zyrtare, janë vendosur në regjistrin e rregulloreve dhe është çështje ditësh se kur do të miratohen nga ana e Qeverisë. Por “çështje ditësh”, po kthehet në çështje muajsh, pasi siç e potencuam, këto ndryshime duhet të finalizohen në Kuvend, tek në shtator.

  • Premtim i parealizuar është Ligji për gjyqtarët dhe prokurorët, si dhe
  • Përgatitja e analizës së lëndëve në rrezik për vjetërsim
  • Njëri prej ligjeve ishte planifikuar të miratohen ndryshimet në qershor deri në institucionin e fundit- Kuvendin – ai për Akademinë për gjyqtar dhe prokuror, por që akoma nuk ka përfunduar.
  • Një çështje tjetër që duhej bërë deri në qershor të këtij viti ishte forcimi i kapaciteteve të institucioneve kompetente për luftë efektive kundër korrupsionit, por që edhe kjo ka mbetur në vend-numëro.

Lidhur me pikën e fundit është paraparë të vazhdojë vendosja e përgjegjësisë për përgjimet e paligjshme, përfshirë përmes procedurave gjyqësore në kohë në lidhje me rastet e mëparshme të PSP-së. Disa nga këto çështje kanë filluar të marrin epilog, megjithatë disa lëndë tashmë janë vjetëruar. Përgatitja e analizës së lëndëve në rrezik për vjetërsim, duket të jetë me vonesë, pasi katërmbëdhjetë të akuzuar në lëndën për mashtrim zgjedhor “Titanik”, të cilët PSP-ja i ngarkoi si përbërës të një grupi të shoqatës kriminale, nuk do të përgjigjen për këtë vepër penale pasi lënda u është vjetruar vitin e kaluar.

Shumica e këtyre ndryshimeve janë kërkuar edhe nga Bashkimi Evropian dhe madje ka pasur edhe vërejtje në raportin e KE-së për vite me radhë. Vendi është duke bërë përpjekje në këtë drejtim dhe janë bërë edhe reforma në disa sfera, megjithatë akoma është larg legjislacionit të BE-së. Ngecjet dhe progreset që janë bërë, do të shënohen në raportin e ri të KE-së që pritet të dalë në muajt e fundit të këtij viti.

Ndryshe, dokumentin Agjenda-Evropa në shtëpi”, Qeveria e Maqedonisë së Veriut e shpalosi më 9 mars, në të cilin janë hartuar qëllimet, hapat dhe veprimet për reformën zgjedhore, gjyqësorin, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe fusha të tjera. Ky dokument përveç se ka përmbledhur aksionet dhe reformat që duhet të zbatonin institucionet kompetente, nuk konsiderohet ndonjë risi e veçantë.  Ajo që pritej të shihet nga kjo Agjendë është nëse do të respektoheshin afatet për përmbushjen e këtyre qëllimeve që kanë filluar nga marsi deri në dhjetor të këtij viti. Por, që duket se këto afate po mbesin vetëm në letër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button