Tetova e para me raste të reja për koronavirus, infektimi ndodh në grumbullime familjare dhe dasma

Tetova periudhën e fundit është e para me numrin e rasteve të reja me koronavirus, duke lënë prapa edhe kryeqytetin i cili që nga fillimi i pandemisë ka qenë në krye. Rastet e reja ditëve të fundit janë shtuar ndjeshëm. Sipas mjekëve, kjo vjen nga mos-respektimi i masave mbrojtëse, grumbullimeve familjare dhe numrit të ulët të personave të vaksinuar. Dr. Gëzim Nuredini për Portalb.mk tha se gjendja në Tetovë po bëhet alarmante, kurse nga ana tjetër epidemiologia Suzana Subasiç  apeloi që qytetarët të vaksinohen dhe të vazhdojnë të respektojnë masat dhe protokollet, shkruan Portalb.mk.

Sipas statistikave të sotme të Ministrisë së Shëndetësisë,Tetovë ka 229 pacientë me virus, më shumë se në  Shkup, që ka 221. Nëse vazhdohet në këtë ritëm, numri i personave të infektuar dhe të shtruar në spital me Covid-19 mund të arrijë shpejt numrat nga nëntori deri në dhjetor të vitit të kaluar.

Kreu i Qendrës Covid në Spitalin Klinik në Tetovë, Dr. Gzim Nuredini për Portalb.mk tha se gjendja në Tetovë po bëhet alarmante.

“Unë do të thoja që situata me Covid-19 në qytet po bëhet alarmante. Kemi një rritje të numrit të pacientëve të sapo infektuar dhe të shtruar në spital. Vetëm dje kishim 64 raste të reja, gjë që tregoi se numri i të infektuarve me Covid-19 do të rritet. Aktualisht kemi 24 pacientë të shtruar në spital, vetëm njëri prej të cilëve nuk është në mbështetje të oksigjenit. Katër nga këta pacientë janë vaksinuar me vetëm një dozë të vaksinës, dhe një është vaksinuar plotësisht dhe ai është 67 vjeç. Pacientët e tjerë janë midis 31 dhe 37 vjeç, dhe disa janë mbi 65 vjeç. Të gjithë personat e shtruar zakonisht janë mbipeshë, sëmundje kardiake, probleme me veshkat, dhe disa janë me sëmundje kronike dhe të frymëmarrjes,” tha Dr. Gzim Nuredini duke shtuar se e gjithë kjo kjo e ndërlikon qasjen terapeutike në trajtimin e tyre.

Nga ana tjetër, epidemiologia Dr. Suzana Subasiç, drejtuese e shërbimit epidemiologjik në një konferencë për shtyp gjatë ditës së sotme tha se numri i lartë i rasteve të reja vjen si pasojë e mos-respektimit të masave dhe protokolleve, dhe se rastet e reja vijnë nga grumbullimet nëpër festime familjare.

“Më 6 korrik, ishin gjithsej gjashtë raste që trajtoheshin në shtëpi, dhe tani në qytetin e Tetovës kemi rreth 220 raste që trajtohen në shtëpi. “Ne kemi 30, 40 dhe dje 60 raste pozitive për shkak të mosrespektimit të masave dhe protokolleve, të infektuarit janë nga festimet familjare dhe kontaktet mes tyre”, tha Dr. Suzana Subasiç

Të njëjtën e pohoi edhe Dr. Gzim Nuredini për Portalb.mk.

“Një nga arsyet e rritjes së numrit të të infektuarve janë dasmat dhe festat e tjera që organizohen në këtë periudhë. Kemi edhe pacientë nga jashtë të cilët janë pozitivë me Covid-19, me shumë mundësi këto janë raste të importuara. Ne kishim 6 raste të tilla me njerëz të ardhur nga Gjermania dhe Italia,” tha Nuredini.

Tetova është ndër qytetet me përqindjen më të ulët të të vaksinuarve

Vetëm 19.4% e qytetarëve kanë marrë vetëm një dozë. Sipas epidemiologëve, nëse popullata nuk është e vaksinuar dhe nuk ndjek masat, rekomandimet dhe protokollet, situata mund të përkeqësohet.

“Në përgjithësi, rastet e reja nuk janë të vaksinuar. Nëse kemi nga këta 220 persona për trajtim në shtëpi vetëm një duzinë të vaksinuar. Janë asimptomatike ose simptomatikisht të pavaksinuara. Numri i lartë në qytetin e Tetovës është për faktin se kemi shumë njerëz të ardhur nga vendet perëndimore të cilët pas qëndrimit në vend testohen për të qenë në gjendje të shkojnë në vendet ku punojnë. Shumë prej tyre janë të rinj dhe janë asimptomatikë, por të infektuar me Covid-19,” tha Dr. Subasiç.

LEXO: Tetova me më pak të vaksinuar ka më shumë raste aktive me Kovid-19 (Infografik)

Dr. Nuredini tha se numri i personave që testohen është rritur dhe kështu zbulohet numër më i madh i pacientëve që rezultojnë pozitiv, por sipas Nuredinit qytetarët duket se i kanë harruar masat, nuk mbajnë distancë, ka grupime, nuk mbajnë maska, dhe disa sillen sikur pandemia të ketë përfunduar.

Dpidemiologia Dr. Suzana Subasiç, ju bëri apel qytetarëve të vaksinohen dhe të vazhdojnë të respektojnë masat për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

“Ju bëj apel për t’u vaksinuar dhe për të ndjekur masat dhe protokollet që janë në fuqi, virusi nuk është mposhtur dhe është i pranishëm. Pandemia nuk ka mbaruar akoma, është çështje e mosrespektimit të masave dhe protokolleve dhe mungesës së përgjegjësisë individuale. Edhe të vaksinuarit gjithashtu duhet të ndjekin masat. Ka njerëz që janë sëmurë për herë të dytë. Kemi shtatë ose tetë raste të tilla si  shembuj,” tha Dr Subasic.

Spitali Klinik në Tetovë ka shtretër të mjaftueshëm

Përkundër rritjes së vazhdueshme të numrit të të infektuarve , Spitali Klinik në Tetovë aktualisht ka shtretër të lirë, edhe pas disa muajve vonesë, spitali modular për pacientët me Covid-19 më në fund ka filluar të funksionojë.

“Ka shtretër të mjaftueshëm në Spitalin Klinik, dhe spitali modular i cili  ohët e fundit ka filluar punën, tashmë ka 4 pacientë . Procesi po menaxhohet dhe sipas udhëzimeve që do të marrim nga infektologët do të përcaktojmë se cilët pacientë do të vendosen këtu. Tani pacientët janë akomoduar në tre vende, në Repartin e Sëmundjeve Infektive, në Repartin e Inern dhe në spitalin modular, por nëse lind nevoja, ne mund të vëmë në funksion edhe një repart tjetër”, tha Nuredini.

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut informoi se në 24 orët e fundit janë regjistruar 219 raste të reja me Covid – 19 nga 4.713 testime të realizuara, 30 pacientë janë shëruar ndërsa 4 kanë ndërruar jetë. Momentalisht në vend ka 955 raste aktive. Tetova dhe Shkupi gjatë ditës së sotme regjistruan nga 65 raste të reja. Që nga shpërthimi i pandemisë, autoritetet shëndetësore të vendit kanë kryer 999.203 testime për COVID-19. Numri i personave të diagnostifikuar me Covid – 19 që nga fillimi i pandemisë ka shkuar në 156.926, numri i pacientëve të shëruar në 150.470, i të vdekurve 5.501.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button