fbpx

Komente: 20 vite nga nënshkrimi, Marrëveshje e Ohrit ende mbetet e pa-implementuar në RMV

Maqedonia e Veriut këtë vit shënon 20 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila i dha fund konfliktit maqedono – shqiptar të 2001-shit. Megjithatë, edhe përkundër faktit se kanë kaluar kaq vite, përmbushja e tërësishme e kësaj marrëveshje nuk është realizuar.

Disa prej ish funksionarë të lartë shtetëror, njohës të rrethanave politike e aktivist, thanë për Portalb.mk se realizimi i MO-së lë shumë për të dëshiruar. Edhe pse kjo marrëveshje ishte përpiluar për t’i dhënë fund diskriminimit etnik, ajo sipas tyre, u shndërrua në vegël për diskriminim të qytetarëve sipas përkatësisë partiake. Disa prej tyre thonë se pikat kryesore të marrëveshjes janë përmbushur, ndërsa për disa, implementimi i marrëveshjes u kthye në proces të krijimit të ushtrive partiake.

Në pyetjet drejtuar nga Portalb.mk: A mund ta quajmë marrëveshjen si të kryer pas 20 viteve? A është bërë instrument për qëllime partiake dhe nacionaliste mes partive në Maqedoni zakonisht gjatë fushatës zgjedhore? Ata u përgjigjen:

Mersel Bilalli, profesor universitar.

Mersel Bilalli
Mersel Bilalli

Në fakt MO duhej të jetësohet që në vitin 2004, por ja edhe pas gati 17 vite fryma e saj mbetet akoma pa u jetësuar në disa sfera. Zhvillimi ekonomik, mbeti ekuacion me shumë të panjohura, që si rezultat ka shpërnguljen marramendëse sidomos shqiptare nga këtu.  Realisht, në dimension të përgjithshëm, Marrëveshja e Ohrit në masë të madhe kënaqi vetëm do interesa partiake dhe grupore, e tepër pak edhe kombëtare. Shkelja e merit-sistemit si vlerë universale e shteteve të civilizuara krijoi diskriminim të thellë brenda vet entitetit shqiptar, duke i ndarë ata në votues partiak-qeveritar, të cilët mund të pranoheshin në punë e avancoheshin, shpesh pa dije elementare, kurse në anën tjetër thellë diskriminoheshin jo-partiakë edhe kur ishin tejet meritor. Mungesa e merit-sistemit dhe masovizimi korrupsionit shkaktoj stagnim të përgjithshëm zhvillimor dhe shpërngulje masive të shqiptarëve nga vendi, me çka prezenca rezidente e tyre tanimë ka rënë dukshëm nën 20 përdindshin. Pas rregjistrimit shtetas do kemi plotë, por rezident gjitjnjë e më pak. Kjo gjë seriozisht ka dëmtuar ekzistencën dhe perspektivën shqiptare në Maqedoni, e perspektivë që nëse vazhdohet kështu Maqedonia të mbetet një shtet monoetnik.
Trishtuese janë analizat e demografëve se në pjesën perëndimore të shtetit shpërngulja e popullatës shqiptare ka kaluar gjysmën – në rajonin e Strugës 52%, të Zajazit 59%, të Pollogut 54%, të Sarajit 31%, të Shkupit 24%, të Likovës 56%.  Kjo është tmerr i paparë ndër shekuj! Por, çdo gjë ka pikën e vlimit, të cilën tani për tani e eliminojnë me truqe – “kryeministri shqiptar” “koalicionet parazgjedhore”, “gjelbërimi” dhe shumë mjegulla tjera tjera të zeza për të shpëtuar do ujqi të zi. Në gjykata sollën gjykatës që drejtësisë i mëshuan çekan. Por, këtu si duket mungon truri opozitar për neutralizim të këtyre lojërave. A pushtetit vazhdimisht i konvenon të duroj një grusht keqpërdoruesish në këmbim të eksodit historik. Politika e sëmurë atdheun di ta shndërroj në spital mendor.

Ismet Ramadani
Ismet Ramadani

Ismet Ramadani, Këshilli Euro-atlantik

Kur analizojmë realizimin e MO-së duhet të kemi parasysh të gjitha rrethanat, në çfarë kushte ajo u nënshkrua, cilat ishin situatat të cilat e sollën MO-në dhe rrethanat dhe kushtet në të cilat ajo duheshte të implementohej. Sa i përket aspektit të pjesës të themi A dhe B, ku kemi të bëjmë ndryshimet në kushtetutë dhe ligjet që duhej të sillen në korrespodencë dhe ngjashmëri me MO-në, duhet të themi se ka një implementim të kënaqshëm. Sa i përket pjesës C të MO-së, ku në një mënyrë duhej t’i jepej frymë MO-së, që ajo të jetojë bashkë me të përditshmen tonë ndëretnike, sidomos në raportet shqiptaro – maqedonase, aty duhet bëhet edhe më shumë edhe pse, tani edhe me këtë fushë situata është pak më e kënaqshme, për shkak se vet koncepti i LSDM-së, respektivisht kryeministrit Zaev, në një mënyrë i ka dhënë shpirt MO-së, sa i përket edhe përfaqësimit të shqiptarëve nëpër institucione edhe funksioneve shumë kyçe dhe të rëndësishme që i kanë shqiptarët në shtet dhe mendoj se, duhet të vazhdohet në këtë drejtim.

Qasja ndaj marrëveshjes së Ohrit shumë vite ka qenë edhe nga pozicionet nacionaliste. Sepse, MO-ja është nënshkruar në rrethana kur duheshte të sigurohet paqe me lehtësuesit ndërkombëtar ose me ndërhyrje ndërkombëtare dhe zakonisht kur një marrëveshje e cila duhet të nënshkruhet në rrethana të tilla, çdoherë ka vend që ajo të përmirësohet në ecje dhe të interpretohet në mënyrë sa më ekstensive, sa më pozitive, që në një mënyrë të ketë kuptimin e vet në raportet ndëretnike, në këtë rast në avancimin dhe pozicionimin sa më të mirë të shqiptarëve në institucione dhe organe të shtetit.

Vlado Popovski

Vlado Popovski, ish ministër dhe politikan

Marrëveshja e Ohrit, përkundër barazisë në sferën publike në institucionet, nënkupton në të njëjtën kohë edhe detyrim i pushtetit publik të qëndrojë pas të drejtave kulturore nacionale dhe t’i garantojë ato, do të thotë të mos ketë diskriminim në raport me përdorimin e gjuhës, kulturës, traditës, feve etj. Ajo që mendoj se nuk është plotësuar dhe që nënkuptohet në MO, është e domosdoshme të bëhet një analizë e kushteve të qytetarëve nga nacionalitete të ndryshme, si jetojnë, cili është standardi i arsimit, cila është infrastruktura në furnizimin me ujë, rrugëve, sigurimit shëndetësor dhe ngjashëm. Ajo që qëndron direkt në MO, ajo mendoj se funksionon në mënyrë pozitive me mjaftë rezultate pozitive. MO nuk kishte për qëllim të krijohen bashkësi të ndara, të cilat nuk komunikojnë mes vete dhe ngjashëm. Në atë plan duhet të bëhen mjaftë hapa dhe në fushën e gazetarisë duhet të ketë përkthime, që të njihen të gjithë qytetarët me vështirësitë, problemet dhe mendimet e të tjerëve dhe në atë mënyrë të krijohet një kuptim i përbashkët për problemet e ndërsjella dhe krijimi i bazës për mbështetje të njëri tjetrit.
Partitë e shohin pushtetin si një të mirë që duhet ta privatizojnë, apo ta bëjnë para së gjithash pronësi të ndonjë grupe të caktuar. Tendenca të atilla ekzistojnë pavarësisht përkatësisë etnike të partive, sepse motive të tilla ka edhe tek ata parti politike nga blloku maqedonas dhe bllokut shqiptar.

Stojan Andov, ish kryeparlamentar

Stojan Andov
Stojan Andov

Marrëveshja është përmbushur dhe është pjesë e Kushtetutës sonë. Ka tentime që bëhen probleme në shtet, megjithatë qytetarët atë e dinë e vlerësojnë dhe ato tentime nuk do të japin rezultat. Një kohë, gjatë kohës së Gruevskit, nuk e pranonte Marrëveshjen e Ohrit sa më kujtohet. Votuesit shqiptar dhe maqedonas janë plotësisht të vetëdijshëm për çka bëhet fjalë këtu dhe të gjithë ato tentime do të refuzohen, nuk mund të kalojnë, nga kush do që të jenë.

 

Ali Pajaziti

Ali Pajaziti, kolumnist në Portalb.mk

Marrëveshja Kornizë e Ohrit mbetet një datë e rëndësishme në historinë e Maqedonisë Veriore, në veçanti për pjesën e popullit shqiptar, ngase me të u thye monolitizmi dhe monokracia politike, u lançua një koncept më fleksibël i shoqërindërtimit, shumë më i ndryshëm nga ai i demokracisë së vitit 1991 e këndej. Juridikisht ndoshta implementimi është kah fundi, por fryma dhe shpirti i saj duhet të jetojnë, sepse është me tepër se një akt, është filozofi dhe kulturë politike.

Partitë politike janë entitete pragmatiste dhe në agjendat e tyre parazgjedhore e kanë konsumuar shumë MKO-në, i janë referuar asaj për qëllime të ngushta partiake, ndërsa Marrëveshja në fjalë është mbipartiake, është një hartë e shtetndërtimit mbinacional. Në taborrin etnik maqedonas, në veçanti në krahun konservator ka një animozitet të qartë ndaj saj, si komplot, ndërsa te shqiptarët përfituese më e madhe nga agjenda “Ohri 2001” është partia më e madhe, BDI.

Selim Ibraimi
Selim Ibraimi

Selim Ibraimi, kolumnist në Portalb.mk

Marrëveshja e Ohrit parandaloi vazhdimin e konfliktit shqiptaro-maqedonas me tendenca të shkapërderdhjes së shtetit të ri që në bazë kishte diskriminimin etnik. Pas de dekadave mund të vlerësojmë se MO është keqpërdoruar nga partitë shqiptare dhe maqedonase në të gjitha versionet e saja duke filluar nga interprertimi dhe zbatimi i MO-së.  Për partitë në pushtet MO ka përfunduar dhe  çdo gjë ka marrë fund, për opozitën shqiptare është e kundërta. Po t’i hedhim një sy raporteve shqiptaro-maqedonase mund të themi se shumë pak gjëra janë përmirësuar nga viti 2001 për një bashkëjetesë të vërtetë.

BDI e Ali Ahmeti e përdor MO për fushata elektorale dhe gjatë tubimeve partiake për t’i nxitur votuesit, kurse opozita me kundërshtime gjithashtu për të mbajtur moralin e elektoratit. Në parim MO ka bllokuar politikat për ndarje më të thellë etnike, por nuk ka zgjidhur përfundimisht mosmarrëveshjet në mes dy etnike që tani kanë marrë formë tjetër të diskriminimit socio-ekonomik dhe largimit masiv të popullatës nga Maqedonia Perëndimore. Për MO duhet punuar më shumë , më së shumti partitë në pushtet që thirren në këtë marrëveshje dhe shpeshherë kanë abuzuar mbi konfliktin e 2001. Megjithatë paqja e brishtë vazhdon deri në arritjen e stabilitetit afatgjatë.

 

Arianit Xhaferi nga Eco Guerilla
Arianit Xhaferi

Arianit Xhaferi, aktivist i shoqërisë civile

Marrëveshja e Ohrit e solli fundin e konfliktit të vitit 2001, por për fat të keq nuk e solli paqen dhe barazinë e plotë që kjo marrëveshje kishte për synim. Në masë më të madhe, kjo Marrëveshje është përdorur si makineri punësimi për militantë partiakë dhe si vend pune për njerëzit që kanë mbajtur ndonjë pozitë në Sektorin për Implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit . Nuk mund të quhet 100% e përmbyllur dhe e realizuar kjo marrëveshje sepse akoma nuk ka shtet për të gjithë, dhe karakteri multietnik i shoqërisë (në Maqedoninë e Veriut) nuk po gjen shprehjen e vetë të plotë në jetën publike. Le shumë për të dëshiruar edhe pjesa që ka të bëjë me decentralizimin e pushtetit, ku kemi parë se disa komunave (sidomos të udhëhequra nga opozita) ju merren kompetencat dhe përgjegjësitë, ndërkohë që komunave të tjera (siç është Komuna e Tetovës) ku ka dështime të mëdha, nuk po sanksionohen e as nuk qortohen fare pak, që të jemi të sinqertë.

Po ashtu problematike mbetet mosdiskriminimi dhe përfaqësimi i drejtë i gjithë personave para ligjit. Kemi parë dhe vazhdimisht shohim që të fortit e politikës ja hedhin paq edhe pas tentimeve për vrasje, krimeve zgjedhore, ose abuzimit me buxhetin publik, ndërkohë që burgosen dhe dënohen njerëz që kanë kryer vjedhje më të vogla, qoftë dhe për të ushqyer familjet e tyre.  Sa i përket çështjes së arsimimit dhe përdorimit të gjuhëve, edhe sot e kësaj dite, biles edhe në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut (si dhe në qytete tjera të vendit) shfaqen probleme me paralelet shqipe, ju mohohet shumë nxënësve shqiptarë të ndjekin mësimet në gjuhën e tyre amtare.   Çfarëdo referimi në këtë marrëveshje gjatë zgjedhjeve është vetëm për pikë politike dhe vota, dhe mendoj se deklaratat e fundit të Ali Ahmetit me të cilat ai dhe partia e tij thanë se çështjet etnike në vend janë mbyllur ja mbyllën derën dhe gojën pikërisht BDI-së dhe funksionarëve të saj që të mos e përdorin më Marrëveshjen e Ohrit si armë në fushatë zgjedhore dhe çfarëdo retorike e tyre në kuptimin e avokimit për të drejtat e shqiptarëve do jetë pafytyrësi dhe papërgjegjësi.

Besim Nebiu

Besim Nebiu, publicist

Мarrëveshja e Ohrit ka dy aspekte: anën normative-ligjore dhe aspektin e parimeve qe i promovonte e qe ndryshe e quajmë “fryma e marrëveshjes”.

Përderisa aspekti normativ është në masë të madhe i përfunduar (me disa çalime si psh në Ligjin jokomplet për përdorim të gjuhës shqipe), aspekti i “frymës së marrëveshjes” i bazuar në synimet e ndërtimit të një shoqërie të drejtë, progresive evropiane, dhe një demokraci multietnike të mirëfilltë – jo vetëm që nuk ka pas progres, po mund të thuhet se kemi një regres të theksuar në zhvillimin shoqëror dy dekadave të fundit. Implementimi i marrëveshjes u kthye në proces të krijimit të ushtrive partiake, një partizim i skajshëm, një lidhje e çdo vlere me partitë në pushtet, brenda një sistemi tre-partiak dhe jo një sistemi evropian dhe modern.

Marrëveshja në vend  se të mundëson  zhvillimin e lirë të potencialeve të rinisë shqiptare u kthye në instrument të partizimit të plotë të rinisë, me qëllim punësimi dhe avantazheve.  Ky transformim e ktheu Maqedoninë nga një shoqëri ku të diskriminonte shteti në bazë etnike, ne një shoqëri ku të diskriminon partia në bazë përkatësie klanore dhe librezë partiake.

Nano Ruzhin
Nano Ruzhin

Nano Ruzhin, ish ambasador

Marrëveshja e Ohrit ka rëndësi historike për shtetin, sepse u tejkaluan aspekte të caktuara të cilat në praktikë ishin disi diskriminuese ndaj bashkësive etnike, para së gjithash bashkësisë etnike të shqiptarëve dhe esencat kryesore të asaj marrëveshje janë përmbushur. Por, elemente të caktuara, më shumë në domenin e ndonjë aspekti ikonografik, si dhe ndonjë pjesë e vetëqeverisjes lokale të cilat ende nuk janë përmbushur dhe me siguri ka edhe elemente të tjera. Megjithatë, më e rëndësishmja është se ajo që kërkohej u imponua si indikacion e forcave të atëhershme politike, megjithatë u përmbush. Normalisht, pasi që jemi shoqëri multietnike nuk mund të jetë ideale dhe për këtë vlerësoj se realizimi i tërësishëm e Marrëveshjes së Ohrit, kërkon gjithashtu kornizë të volitshme ekonomike, socio – kulturore dhe në atë mënyrë shoqëria në mënyrë graduale do të fillojë të ecë. Ajo që më mungon në Republikën e Maqedonisë së Veriut është përforcimi i kulturës politike të rëndësisë së Marrëveshjes së Ohrit, sepse ajo marrëveshje ka rëndësi epokale edhe për shtetin edhe për tërë rajonin. Kur flasim për ngjarje të tilla unë nuk mund të mos e përmend Marrëveshjen e Ohrit si një hap revolucionar deri në Marrëveshjen e Prespës.

Për dallim nga fillimet e para, fushata politike nacionaliste, veçanërisht mes partive politike maqedonase, ajo marrëveshje është e inkorporuar si vlerë dhe është i vogël numri i politikanëve maqedonas të cilët e kontestojnë. Edhe pse kemi madje edhe deputetë, posaçërisht nga “E majta”, do të thotë ekstremi dhe disa parti që nuk janë pjesë e Kuvendit, ata këmbëngulim t’i nënvlerësojnë përparësitë të përcaktuar me Marrëveshjen e Prespës. Nga ana tjetër kemi një pjesë nga partitë politike shqiptare të cilët gjithashtu këmbëngulin të shfrytëzojnë, në aspekt se nuk është përmbushur kërkesa e opinionit publik shqiptar dhe kështu me radhë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button