fbpx

Ish-kryeministri Berisha padit për shpifje sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, ka paditur për shpifje sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken, pas vendimit për shpalljen e tij “person non grata” nga SHBA-ja, raporton Anadolu Agenncy (AA).

Në një konferencë për mediat në Tiranë, Berisha konfirmoi se avokati i tij ka dorëzuar padinë e tij për shpifje në Gjykatën Korrektuese të Parisit.

“Sipas avokatit tim, kjo padi në gjykatë për shpifje bazohet në precedentët e mëparshëm të ngjashme dhe se për shpifje nuk ka imunitet. Unë i bëj thirrje sekretarit Blinken, në emër të transparencës të dërgojë pranë kësaj gjykate çdo fakt, dokument dhe provë që ai apo çdo kush tjetër në botë disponon kundër Sali Berishës dhe familjarëve të tij”, u shpreh Berisha.

Berisha theksoi se mungesa e plotë e transparencës në këtë vendim fakton se është “vendim politik”.

“Nuk e kisha imagjinuar që unë do të detyrohesha të ngre padi ndaj sekretarit të shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të një vendi që unë e admiroj kaq shumë. Me këtë padi unë kërkoj të mbroj dinjitetin tim, të familjes time dhe të gjithë shqiptarëve. Me këtë padi kërkoj të bëj transparencë të plotë përpara shqiptarëve. Unë kam ngritur padi kundër shpifjeve mbi të cilat bazohet ky vendim”, tha ndër të tjera Berisha.

Kujtojmë se në maj të këtij viti, ish-kryeministri Sali Berisha u shpall si person i papërshtatshëm për të hyrë në SHBA.

Vendimi u bë publik nga sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, ku ai në atë kohë theksoi se, “Veprimet korruptive të ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minuan demokracinë në Shqipëri. Shpall publikisht Berishën dhe familjen e tij të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA”.

Ndërkohë, në njoftimin e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit që i referohej deklaratës së sekretarit Blinken, thuhej se në cilësinë e tij zyrtare si kryeministër i Shqipërisë në veçanti, Berisha ishte i përfshirë në veprime korruptive, të tilla si shpërdorim i fondeve publike dhe ndërhyrje në proceset publike, “duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitimet e tij dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë dhe anëtarët e familjes së tij”.

Berisha ka mbajtur postin e presidentit të Shqipërisë në vitet 1992-1997 dhe postin e kryeministrit në vitet 2005-2013, ndërsa në zgjedhjet e 25 prillit të këtij viti ai u zgjodh deputet nga partia opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë (PD).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button