Doza e tretë nuk do të vrasë njerëzit, por do të përforcojë mbrojtjen kundër variantit “delta” të Kovid-19

Një postim i shkurtër me dy reshta i cili megjithatë përmban më shumë se dy dezinformata në lidhje me vaksinat kundër Kovid-19 është shpërndarë në “Fejsbuk” nga personi Hubejb Numan. Edhe pse ai pohon që doza e tretë e vaksinës është “për ti vrarë” njerëzit, faktet shkencore e demantojnë atë fuqishëm. Doza e tretë e vaksinës rekomandohet nga kompania “Pfizer” në mënyrë që të rritet efikasiteti i vaksinës, sidomos ndaj variantit “Delta” të virusit korona. Madje, disa shtete tashmë kanë filluar të përdorin këtë metodë, shkruan Portalb.mk.

Personi “Hubejb Numan” pretendon se doza e tretë e vaksinës merret “për të mbytur” ata që nuk kanë vdekur nga dy dozat e para, ai këtë nuk e bazon në asnjë fakt shkencor por thjeshtë ka publikuar një fotografi me tre vaksina.

“Doza e tretë rekomandim i radhës së OBSh për ata që ende nuk kanë vdekur nga dy dozat e marra më herët. E treta e vërteta …”shkruan postimi që e recensojmë.

Si qëndron e vërteta në lidhje me aplikimin e dozës së tretë të vaksinës?

Një hulumtim i “Pfizer” ka treguar se doza e tretë e vaksinës së tyre kundër Kovid-19 ka rritur mbrojtjen nga varianti delta i cili po përhapet aktualisht në të gjithë botën në formë të pakontrolluar.

Ky hulumtim është publikuar online ndërsa është realizuar nga vetë kompania, hulumtimi tregon se niveli i antitrupave kundër variantit delta te njerëzit të moshës nga 18 deri në 55 vjeç është pesë herë më i lartë se sa pas marrjes së dozës së dytë.

Te personat e moshës nga 65 deri në 85, niveli i antitrupave ishte më i lartë për 11 herë pas marrjes së dozës së tretë, krahasuar me personat që kishin aplikuar vetëm dy doza të vaksinës.

Hulumtimi tregoi se niveli i antitrupave është shumë më i lartë pas marrjes së dozës së tretë të vaksinës edhe kundrejt variantit origjinal të virusit korona si dhe variantit beta.

Çfarë thonë ekspertët për këtë?

Dragan Danilovski, epidemiolog

Profesori në Fakultetin e Mjekësisë, Dragan Danilovski, i pyetur se a është e nevojshme që në Maqedoninë e Veriut të aplikohet doza e tretë e vaksinës kundër Kovid-19 theksoi se fokusi duhet të jetë që fillimisht i gjithë populli të vaksinohet me dy doza.

“Ne fillimisht duhet të vaksinojmë popullin me dy doza. Mbulimi me vetëm një dozë për më të moshuarit se 50 vjeç është rreth 50 për qind. Kjo është shumë e pamjaftueshme. Ka kohë për dozën e tretë me vaksinën mRNK” deklaroi Dragan Danilovski për “Sloboden Peçat”.

Ndërkaq Anthony Fauci, zyrtari më i lartë amerikan për sëmundjet infektive, tha se amerikanët që e kanë sistemin e imunitetit të dëmtuar mund të kenë nevojë për një dozë tjetër të vaksinës kundër Kovid-19.

“Pacientët me kimioterapi, sëmundje auto-imune, që përdorin trajtime për imunitetin, janë ata individë që nëse vendoset që të ketë një dozë të tretë, do të ishin ndër të parët që duhet ta marrin,” tha zoti Fauci gjatë një interviste për kanalin televiziv CNN.

Kujt realisht i nevojitet doza e tretë e vaksinës (buster)?

Deri tani askush nuk ka deklaruar se të gjithë të vaksinuarit me Pfizer/Biontech do të ketë nevojë që të marrin edhe dozën e tretë të vaksinës.

Dy kompani farmaceutike planifikojnë që të zhvillojnë një vaksinë shtesë për mbrojtje nga varianti delta. Megjithatë, në qoftë se virusi korona nuk ndryshon në formë thelbësorë si rezultat i mutacioneve, vetëm njerëzit me sistem imunitar të dobët, siç janë më të moshuarit apo pacientët të cilët e mbajnë imunitetin e tyre përmes barnave të ndryshme, ndoshta do të ju nevojitet rivaksinimi. Kjo është rezultat i një hulumtimi amerikan në lidhje me efektin e dozës së tretë, i realizuar në fund të muajit korrik.

Çfarë përmban “buster-vaksina”?

E ashtuquajtura “buster-efekt” apo përforcimi i mbrojtjes fillon zakonisht nga doza e dytë e vaksinimit: Në qoftë se përsëri vjen deri në të njëjtin patogjen – pa marrë parasysh në qoftë se është për shkak të dozës së dytë apo infektimit – përgjigja e sistemit imunitar forcohet dhe përshpejtohet.

Ky reaksion fillon krijimin e të ashtuquajturave stacioneve të kujtesës nga reaksioni i parë. Stacionet e kujtesës e njohin shumë më shpejtë antigjenin dhe mundet që shumë më shpejtë të reagojnë për të shkatërruar patogjenin. Për këtë vaksina e dytë është shumë e rëndësishme për të gjithë. Për këtë, shumë persona të cilët veçse e kishin kaluar virusin korona, kanë marrë vetëm dozën e dytë sepse trupi i tyre veçse është i njoftuar me patogjenin.

Te disa vaksina, si për shembull ajo e fruthit, një vaksinë zgjat gjithë jetën. Vaksinat tjera, si ato për tetanus, duhet të “rinovohen” çdo 10 vjet.

OBSh-ja nuk është totalisht “për” dozën e tretë, thotë se shtetet e varfra nuk kanë as dozat e para

Tedros Adhanom Ghebreyesus

Udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) Tedros Adhanom Ghebreyesus, ka paralajmëruar kundër sigurimit të dozave përforcuese të vaksinave kundër koronavirusit për ata që tashmë janë vaksinuar, teksa varianti Delta “përhapet në botë” dhe vendet e varfra nuk kanë pranuar vaksina ende.

Shefi i OBSH-së ka thënë më 12 korrik se disa punëtorë shëndetësorë në vijën e parë të frontit, ende janë të pavaksinuar.

Thirrja e tij vjen ndërkohë që shumë qeveri po përballen me hezitim për vaksinim dhe shqetësime për variante më të transmetueshme të koronavirusit.

“Dallimi në furnizime me vaksina kundër COVID-19 në botë është shumë i madh dhe jo i barabartë”, ka thënë Tedros.

“Disa shtete dhe rajone janë duke porositur miliona doza përforcuese, para se shtetet tjera të vaksinojnë punëtorët shëndetësorë dhe grupet më të rrezikuara”.

Ai ka përmendur prodhueset amerikane të vaksinave, kompanitë Pfizer dhe Moderna, që po planifikojnë të ofrojnë doza përforcuese për të siguruar imunitet afatgjatë.

Mirëpo ai ka sugjeruar që këto doza duhet të dërgohen te skema COVAX, e OBSH-së, e cila synon të ndajë vaksina për vendet e varfra.

“Varianti Delta po përhapet në botë, duke nxitur shpërthime të reja, të infektuar dhe të vdekur”, ka thënë Tedros.

Disa shtete të Bashkimit Evropian kanë filluar aplikimin e dozes së tretë, RMV-ja nuk ka qëndrim ende

Ministri i Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut, Venko Filipçe, nuk ka përjashtuar mundësinë e aplikimit të dozës së tretë, megjithatë, ende nuk ka ndonjë plan konkret se kur mund të realizohet kjo.

“Një nga skenaret e mundshme është vendosja e dozës së tretë, është e mundur që doza të bëhet edhe sezonale. Sëmundja nuk do të zhduket përnjëherë dhe varianti delta nuk do të jetë i fundit” deklaruan nga Ministria e Shëndetësisë.

Megjithatë, kryetarja e Komitetit për Imunizim, Aleksandra Grozdanova, tha se komiteti ende nuk ka qëndrim në lidhje me këtë çështje.

“Në momentin që komiteti do të ketë qëndrim të caktuar për këtë pyetje, do të ju informojnë nga Ministria e Shëndetësisë” tha Aleksandra Grozdanova.

Si veprojnë shtetet tjera?

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, tha se vendi i tij do të ofrojë opsionin e marrjes së dozës së tretë të vaksinës kundër koronavirusit.

Duke folur për radion shtetërore, Orban tha se mjekët do të vendosin se cila vaksinë do të jepet me dozën e tretë.

Ai tha se doza përforcuese do të duhej të jepej së paku katër muaj pas dozës së dytë, përveç nëse mjekët këshillojnë ndryshe.

Gjermania

Autoritetet shëndetësore në Gjermani janë marrë vesh për ofrimin e dozës së tretë të vaksinës për grupet e rrezikuara, d.m.th. më të moshuarit, me sëmundje tjera. “Për ata rreziku i uljes së nivelit të mbrojtjes nga vaksinimi është më i rrezikshëm” thanë autoritetet shëndetësore në Gjermani.

Aplikimi i dozës së tretë në Gjermani duhet të fillojë në fillim të muajit shtator. Sipas rregullit, kjo dozë do të jepet gjashtë muaj pas marrjes së dozës së dytë. Vaksinat Pfizer dhe Moderna shihen si potenciale për dozën e tretë.

Qëndrime të njëjta kanë edhe Izraeli, Serbia dhe disa shtete tjera të Bashkimit Evropian të cilat tashmë kanë filluar me përpilimin e planit për fillim të vaksinimit të popullatës, kryesisht të grupeve më të rrezikuara nga varianti “delta” i virusit korona, me dozën e tretë të vaksinës, e cila sipas disa studimeve krijon mbrojtje më të fortë.

Disklejmer Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button