RMV, Panovski: Numrat po rriten, është tepër vonë për masa – tetori do të jetë muaj kritik

Numri i personave të infektuar me kovid-19 po rritet gradualisht, ndërsa shteti duhet të kishte marrë masa shumë më herët për ta zvogëluar atë numër, konsideron prof. Dr. Nikolla Panovski nga Fakulteti i Mjekësisë. Sipas tij, duhet të kishte më shumë kontroll në pikat kufitare, kurse autoritetet duhet të kishin marrë masa në lidhje me organizimin e dasmave në ambient të hapur. Panovski parashikon që kulmi pritet në tetor, ndërsa deri atëherë numrat do të rriten gradualisht, transmeton Portalb.mk.

“Numrat do të rriten akoma. Presim, si në vendet e tjera, të mos ketë kaq shumë raste vdekjesh, si dhe raste të rënda. Ajo që shteti duhet të kishte bërë deri tani është të merrte masa kur nuk kishim raste, atëherë duhet të kishte më shumë kontroll kufitar, veçanërisht të emigrantëve që hynin në vend, me theks në ato ku kishte raste. Të gjitha dasmat e planifikuara, si dhe ato që kanë kaluar janë faktor i madh rreziku për përhapjen e numrave. Autoritetet duhet t’i shpjegojnë publikut pse kanë pritur deri më tani”, thotë prof. Panovski.

Ai thotë se në Greqi me 4.000 raste, autoritetet kontrolluan hyrjen e turistëve tanë, kurse autoritetet tona nuk kontrollojnë hyrjen në vend.

“Emigrantët vijnë veçanërisht për dasma në ambiente të mbyllura, ndërsa ky është një rrezik i madh. Tani do të vijnë akoma mysafirë edhe nga Italia, por edhe nga Zvicra dhe vende të tjera evropiane. Vaksinat mbrojnë kundër infeksionit, edhe pse unë di disa raste që janë pozitiv, por kaluan me simptoma më të buta”, shtoi Panovski.

Ai theksoi se qytetarët duhet të vazhdojnë të mbrojnë veten duke mbajtur maska ​​në ambiente të mbyllura, por edhe të vaksinohen pasi kjo është mënyra e vetme për t’u mbrojtur nga virusi.

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut dje informoi se në 24 orët e fundit ishin regjistruar 164 raste të reja me Covid – 19 nga 5.276 testime të realizuara, 18 pacientë ishin shëruar ndërsa 3 kishin ndërruar jetë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button