Ministria e Ekologjisë thotë se punon për zgjidhjen e çështjes së mbeturinave në Tetovë

Ministra e Ekologjisë pretendon se po punon në zgjidhjen e çështjes së deponive të egra dhe menaxhimit të mbeturinave në rajonin e Pollogut, ku bën pjesë edhe Komuna e Tetovës. Në një përgjigje për Portalb.mk nga kjo ministri thanë se ministria dhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut “punojnë në mënyrë intensive” për mbështetje të komunave nga rajoni për vendosjen e sistemit rajonal për menaxhim me mbeturina. Ministria përmend sanimin e deponisë jostandarde të Rusinos, për çka u siguruan grant mjete në vlerë prej 1,9 milionë franga zviceran përmes sekretariatit shtetëror për çështje ekonomike.

“Në rrjedhë është realizimi i masave të shpejta për sanimin e deponisë Rusino, që tërësisht e ndjekin planin dinamik. Deri më tani janë realizuar të gjitha çështjet përgatitore, është vendosur peshë makinash për matjen e sasive të mbeturinave, në rrjedhë është ndërtimi i argjinaturave dhe vendosja e sistemit për menaxhim të rrjedhës së shkarkimit. Punët ndërtimore, përkatësisht plani dinamik pritet të përfundojë deri në fund të gushtit të vitit 2021. Ka filluar edhe asfaltimi i rrugës deri në deponi si dhe ndërtimi i rrugës alternative deri në Rusino nga rruga Gostivar – Mavrovë.  Në ndërkohë, është formuar ndërmarrje publike e përbashkët rajonale Rusino/Pollog dhe në pajtueshmëri me marrëveshjen mes të gjitha komunave një person nga komuna e Gostivarit është zgjedhur drejtor”, thanë nga Ministria e Ekologjisë.

Ata më tej kanë shtuar se, në rrjedhë është procedura për pagesë të detyrimeve të nëntë komunave nga rajoni i Pollogut në bazë të investimit fillestar që është parakusht që ndërmarrja të fillojë me kompletimin e stafit dhe vendosjen e sistemit për punë dhe kontrolle të deponisë.

“Në pajtueshmëri me konkludimin e seancës së 43 të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ka filluar procedura për sigurimin e huas nga BERZH-i në vlerë prej 55 milionë euro, që momentalisht është në proces të miratimit nga banka. Mjetet janë të dedikuara për vendosjen e sistemit për menaxhim me mbeturina në pesë rajonet në shtet – juglindor, e Vardarit, jugperëndimor, e Pellagonisë dhe Pollogut. Nga këto mjete në rajonin e Pollogut do të investohet 17,7 milionë euro në rehabilitimin e deponisë, ndërtimit të transfer stacionit për rajonin dhe furnizim të kamionëve dhe kontejnerë dhe mjete shtesë në vlerë prej 6 milionë franga zvicerane, që do të sigurohen nga SECO”, tha nga kjo ministri.

Në rajonin e Pollogut për momentin ka vetëm një deponi në Gostivar, ajo është deponia “Rusino” e cila nuk plotëson asnjë standard. Për këtë problem kanë protestuar disa herë banorët lokal dhe e kishin bllokuar hedhjen e mbeturinave. Qeveria e Maqedonisë së Veriut në vitin 2018 siguroi 1.5 milionë franga zvicerane, për modernizimin e deponisë “Rusino”. Në fund të vitit 2020 nga 9 kryetarët e komunave dhe Qeverisë u vendos që deponia “Rusino” të mbyllet deri sa të modernizohet, komunat të japin dhe para për ko-financim si dhe u themelua ndërmarrja publike rajonale “Rusino-Pollog”.

Mbeturinat kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten një ndër problemet kryesore për qytetin e Tetovës për shumë vite me radhë. Përgjegjës për menaxhimin e këtyre mbeturinave është Ndërmarrja Publike Komunale (NPK), e cila ndër vite akoma nuk ka gjetur një zgjidhje për këtë problem. Duke pasur parasysh se mbeturinat në koshat e plehrave nuk mblidhen dhe orari i mbledhjes së tyre nuk është i mjaftueshëm, dhe përderisa autoritetet kompetente nuk janë serioze dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë problem, qytetarët po vazhdojnë të ngulfaten në erë të keqe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button