RMV, Qeveria shpalli gjendje krize për shkak të zjarreve

Qeveria miratoi vendimin për shpalljen e gjendjes së krizës në 30 ditët e ardhshme për shkak të situatës me zjarret, tha zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi, në një deklaratë me rastin e 20 vjetorit të Marrëveshjes konizë, transmeton Portalb.mk.

Grubi tha se mëngjesin e sotëm ai drejtoi seancën e Qeverisë, në të cilën u pranua propozimi i Komitetit Drejtues për shpalljen e një gjendje krize në të gjithë vendin.

Ai theksoi se edhe vendet e tjera në Evropë në këtë periudhë po përballen me zjarre për shkak të temperaturave të larta, dhe shprehu shpresën se shpallja e gjendjes së krizës, së bashku me ndalimin e lëvizjes në pyje, do të kontribuojë në tejkalimin e situatës me zjarret në vend.

“Përpiqemi të merremi me zjarret duke mobilizuar plotësisht kapacitetet tona. Konsiderojmë se ky vendim, së bashku me ndalimin e lëvizjes në pyje, do të ndihmojë në ndalimin e zjarreve. Pothuajse 80 përqind e zjarreve janë shkaktuar nga faktori njeri”, tha Grubi.

Për shkak të situatës alarmante me zjarret, Komiteti Drejtues pranoi propozimin e Grupit të Vlerësimit dhe i propozoi Qeverisë të marrë vendim mbi shpalljen e gjendjes së krizës në të gjithë vendin për 30 ditë.

“Grupi për Vlerësim pasdite ka mbajtur seancë, ku për shkak rrezikut nga zjarret, rritjes së rrezikut për qytetarët dhe për disa arsye, njëzëri i rekomandoi Komiteti Drejtues të propozojë deri te Qeveria të vendosë për gjendjen e krizës në territorin e RMV-së për shkak rritjes së paraqitjes së zjarreve dhe parandalimin e zgjerimit të tyre në afat prej 30 ditëve”, njoftoi dje Stojançe Angellov, drejtori i Qendrës për Menaxhimin me Kriza.

Në kuadër të Komitetit Drejtues bëjnë pjesë edhe ministrat për punë të brendshme dhe të jashtme, mbrojtjes, shëndetësisë, transportit dhe udhëheqësit e grupit për vlerësim.

Komiteti Drejtues pranoi propozimin e Grupit për Vlerësim, duke i propozuar Qeverisë 30 ditë gjendje krize.

Sipas të dhënave të fundit të shpallura dje nga drejtori i QMK -së, Stojançe Angellov, në vend janë 10 zjarre aktive, ndërsa situata më serioze është në Komunën e Makedonski Brodit, si dhe në rajonin e Pehçevës dhe Dellçevës.

Në shuarjen e zjarreve janë angazhuar të gjitha kapacitetet në dispozicion – vetëqeverisjet lokale, Qendra për Menaxhimin e Krizave (QMK), ushtria, policia dhe qytetarët. Ndihmë mbërriti edhe nga fqinjët, Serbia dhe Bullgaria, kurse sot priten përforcime nga Sllovenia – 16 kamionë zjarrfikës dhe 46 zjarrfikës.

“Përkujtojmë se nisja e zjarreve qëllimisht apo pa vetëdije, llogaritet vepër penale e cila dënohet me parashtresa të caktuara, për çka planifikohet edhe burg prej 8 vjetëve, në bazë të nenit 227 nga Kodi Penal, varësisht nga lloji i zjarrit, rrethanat tjera dhe pasojat”, paralajmëruan sot nga Policia.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button