Nuk është e vërtetë që vaksina Sputnik përmban oksid të grafenit dhe se me atë implantohet një çip

Po analizojmë një postim në Facebook, një nga një mori teorish konspirative sipas të cilave në vaksinat kundër Kovid-19 ka një çip, i cili futet në trupin e atyre që do të vaksinohen. Nëse deri më tani pretendime të tilla kishte për vaksinat e mARN, në këtë postim në shënjestër është vaksina ruse Sputnik, raporton Vërtetmatësi.

26.07.2021 Info Rusia Çipi i hequr nga dora. Vaksina Sputnik. Thuhet se bëhet fjalë për vaksinën Sputnik. Në video mund të shihni se si grimca e zezë reagon magnetikisht dhe ata arritën ta heqin këtë pjesë. Ne dyshojmë se oksidi i lëngshëm i grafenit në trup është përfshirë për shkak të fushës elektrike të njeriut. Kjo mbase ndodh në të gjithë trupin.

Nën postimin ka një video në të cilën një person me doreza në duar pret lëkurën e një personi tjetër në zonën e shpatullave me një copë metali dhe përpiqet të nxjerrë diçka me një magnet. Në fund të videos, një pjesë e zezë prej metali nxirret nga krahu i personit për të cilin pretendohet se ishte vaksinuar. Themi pretendohet, sepse askund nuk vërtetohet se personi ka marrë vaksinën Sputnik dhe sepse në fund është e paqartë se si copa e zezë e metalit del nga krahu.

Kushdo që do e shikojë videon do e kuptojë se kjo është joreale, sepse vaksinat kundër Kovid-19 janë pa ngjyrë dhe në formë të lëngët, dhe ato aplikohen me një gjilpërë shumë të hollë dhe të thjeshtë. Kjo do të thotë se është e pamundur që një copë metali kaq e madhe të kalojnë nëpër gjilpërën e vaksinës dhe të futet në trupin e njeriut.

Vërtetmatësi deri më tani disa herë  i ka hedhur poshtë informacionet se vaksinat kundër Kovid-19 përmbajnë një çip. Është fakt se vaksinat nuk përmbajnë mikroçipa. E gjithë drama me mikroçipa të supozuar, përmes së cilëve pretendohet se do të monitorohet popullata, nuk ka asnjë lidhje me realitetin. Në fakt, kompania amerikane ApiJekt po konsideron një “mikroçip opsional”, por do të ishte në etiketën e shiringës dhe nuk do të injektohej gjatë imunizimit. Është e rëndësishme të thuhet se ky mikroçip do aplikohet vetëm në Shtetet e Bashkuara, jo në Maqedoni. Kjo teknologji është plotësisht opsionale dhe qeveria amerikane ende nuk ka vendosur nëse do ta përdorë atë apo jo. Gjithashtu, asnjë nga vaksinat nuk përmban metale. Doza e vaksinës është më pak se një mililitër. Doza standarde e Sputnik është 0.5 mililitra. Ky nuk është vëllim i mjaftueshëm për të vendosur një mikroçip, edhe sikur dikush të donte ta bënte një gjë të tillë.

Në vazhdim, në postim thuhet se vaksina përmban oksig të grafenit në formë të lëngët i cili është krijuar për shkak të fushës elektrike të njëriut. Edhe këtë informacion Vërtetmatësi disa herë deri më tani e ka hedhur poshtë. Ekzistojnë prova shkencore se vaksinat kundër Kovid-19 në përbërjen e tyre nuk kanë oksid të grafenit.

Përbërja e vaksinave është publike dhe mund ta gjeni në kovid19vakcinacija,mk. Vaksina Sputnik përmban substancë aktive: grimca adenovirusale të rekombinuara serotip 26, që përmbajnë protein C të virusit SARS-CoV-2 dhe përbërës të tjerë ndihmës: tris (hidroksimetil) aminometan, klorur natriumi; sakarozë; polisorbat; heksahidrat të klorurit të magnezit; kripë natriumi dihidrat etilenediaminetetraacetik; etanol; ujë për injeksione. Pra askund në përbërjen e vaksinës nuk përmendet oksidi i lëngshëm i grafenit.

Nga e gjithë kjo mund të konkludojmë se postimi që po analizojmë përhap informacion të rremë se vaksina Sputnik përmban një çip dhe se përmban oksid të grafenit. Nuk ka dëshmi shkencore për pretendime të tilla dhe ato përhapen nga njerëz që njihen për përhapjen e teorive të ndryshme të konspiracionit në lidhje me vaksinimin kundër Kovid-19.

Disklejmer Fact Check COVID19, verifikimi i fakteve, vertetematës, koronavirus, coronavirus, COVID, vertetematesi

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button