Drejtuesit e trenave kërkojnë rroga, trafiku hekurudhor në Maqedoninë e Veriut është ndërprerë

Trafiku hekurudhor i udhëtarëve dhe mallrave në vend është ndërprerë prej dje në orën 16, për shkak të bojkotit të drejtuesve të trenave. Stafi punues i Hekurudhave të RMV-Transporti që i drejton trenat në vend, po kërkon pjesën e dytë të pagës për qershorin. Drejtuesit e trenave njoftuan se do t’i dërgojnë një letër bordit të drejtorëve të kompanisë hekurudhore dhe Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve me të cilën do të kërkojnë pagesën e kompensimit për cilësi për punën e tyre, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Sot, drejtuesit e trenit duhet të takohen me menaxhmentin e Hekurudhave të RMV-Transporti për të gjetur zgjidhje për kërkesat e tyre. Për shkak të bojkotit, trenat e udhëtarëve dhe të mallrave në vend nuk qarkullojnë.

Kompania e transportit hekurudhor është përballur me probleme dhe borxhe serioze financiare për shumë vite. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, në fund të qershorit të këtij viti, Hekurudhat e RMV-Transporti kishin borxh 60,5 milionë euro dhe janë borxhliu më i madh shtetëror. Kompania arriti të zvogëlojë borxhin për 3,3 milion euro në tremujorin e dytë në krahasim me tre muajt e parë të këtij viti.

Ndryshe, për gjendjen e Hekurudhave të RMV-Transporti, sot reagoi partia opozitare VMRO-DPMNE. Ata kritikojnë se vendi është në prag të mbylljes së plotë të trafikut hekurudhor dhe se kështu Maqedonia do të bëhet vendi i vetëm në Evropë pa trafik hekurudhor.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së Bojan Stojanovski, në konferencën e sotme për shtyp, tha se derisa punonjësit e kompanisë janë duke pritur rrogë, vazhdimisht shpallen njoftime për punësime të reja. Ai pohon se personat e punësuar rishtazi marrin paga, ndërsa nuk kontribuojnë fare në punë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button