ASH: jemi në pandemi dhe Tetova s’ka ujë dhe mbytet në mbeturina

Partia Aleanca për Shqiptarët (ASH) sot doli me reagim për mungesën e ujit në Tetovë. Ky qytet përballet me mungesë të ujit të pijshëm në temperatura shumë të larta, aq më keq, në pandemi. Partia opozitare sot në një pres konferencë “ua përkujtoi” autoriteteve lokale se vazhdojmë të jemi në kushte pandemie dhe se uji është njëri prej elementeve kryesore për mbrojtje nga ky virus, njofton Portalb.mk.

“Jetë në pandemi, me mbeturina në çdo cep dhe pa ujë të pastër. Kështu zhvillohet jeta sot në qytetin e Tetovës. Kjo është duke ndodhur jo për shkak të kushteve natyrore, por për arsye të keq-menaxhimit dhe korrupsionit që mbizotëron në komunën tonë. Për autoritetet komunale, të cilët ka një kohë të gjatë që nuk ndërmarrin asnjë veprim, ndoshta edhe është normale që qyteti të ngulfatet dhe të mbulohet nga mbeturinat.  Për këta ndoshta është normale që qytetarët të mbeten për ditë të tëra pa ujë, pa mos përmendur kaosin urbanistik e shumë probleme të tjera të kësaj natyre.  Por, për ne qytetarët, kjo gjendje nuk është aspak normale”, tha Adhurim Luta, kryetar i FRASH, Tetovë.

Ata shtojnë se të  jetosh në shekullin XXI dhe vazhdimisht të përballesh me probleme jetike mesjetare është diçka e paperceptueshme.

“Mungesa e ujit është një problem i pazgjidhur vite me radhë dhe është një zgjidhje e problemit e premtuar nga BDI në çdo cikël zgjedhor. Ka disa ditë radhazi që nëpër çezmat e amvisërive të qytetarëve nuk rrjedh as edhe një pikë ujë”, tha Adhurim Luta. 

Nga kjo parti theksuan se autoriteteve lokale duhet t’ua përkujtojnë se ende vazhdojmë të jemi në kushte pandemie dhe se uji është njëri prej elementeve kryesore për mbrojtje nga ky virus.

Në Tetovë nuk ka ujë, Komuna e paaftë për të zgjidhur problemin, qytetatët përgatisin padi

Ndryshe, Portalb raportoi se qendra e Tetovës dhe disa lagje në të, disa ditë po përballen me mungesë dhe ndërprerje të ujit kohë pas kohe. Kjo mungesë e ujit i ka frustruar qytetarët sepse jemi në mes të verës ku temperaturat ditëve të fundit arrijnë mbi dyzet gradë.

Sipas qytetarëve, Komuna e Tetovës në krye me Teuta Arifin nuk ka punuar mjaftueshëm për të gjetur zgjidhje permanente të problemit si dhe Ndërmarrja Publike Komunale me drejtorin Tushi Dervishi dhe ish drejtorin Xhelal Ceka asnjëherë nuk mbajnë përgjegjësi për këtë katastrofë ekologjike që po i ndodh qytetit afër Malit Sharr. Madje, një grup qytetarësh thonë se përgatisin padi ndaj disa ndërmarrjeve publike dhe funksionarë të komunës për mospërgjegjësi insitutcionale.

Mungesa e ujit në Tetovë nuk është diçka e re as për këtë verë. Qytetarët e Tetovës përballen vazhdimisht me mungesë të ujit edhe gjatë periudhave tjera të vitit, por gjendja vazhdon të jetë alarmante gjatë stinës së verës.

Rikujtojmë se Teuta Arifi kur kërkonte mandatin e dytë në #Debatpërnime në tetor 2017 premtoi se do të zgjidhë problemin me mungesën e ujit. Më pas në intervistë për Portalb në vitin 2018 ajo tha se do të ndryshojnë gypat e ujësjellësit për dy vite, por kjo gjë nuk ka ndodhur.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button