Inspektorati Shtetëror: Komuna e Tetovës nuk mund të sanksionohet për mospastrimin e deponive, por mund t’i merren kompetencat (VIDEO)

Komuna e Tetovës nuk mund të sanksionohet për mos pastrimin e deponive të panumërta të egra që janë krijuar në territorin e kësaj komune dhe rrethinë, pasi një gjë e tillë nuk është e përcaktuar ligjërisht. Drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror për Mjedis Jetësor, Ana Petrovska deklaroi për Portalb.mk se, një gjë e tillë nuk është e paraparë me ligj, megjithatë sipas saj, ekziston mundësia që t’i merren kompetencat komunës, nëse nuk i zbaton kompetencat që ka, shkruan Portalb.mk.

“Në ligj nuk ekziston ndonjë shkelje që mund të shqiptohet si sanksion ndaj komunës. Do të thotë ligji i obligon, Ministria e Mjedisit Jetësor kryen monitoring mbi zbatimin e kompetencave lokale në lidhje me mjedisin jetësor nga ana e komunës dhe inspektorët komunalë megjithatë nuk ekzistojnë sanksione. Mundësi e vetme është që të t’i merren kompetencat komunës. Megjithatë, diçka e tillë nuk ka ndodhur deri më tani. Ajo do të ishte si zgjidhje, t’i merren kompetencat komunës e cila nuk e kryen punën e saj në raport me veprimin ndaj mbeturinave”, deklaroi Petreska.

Ajo tha se, në bazë të kompetencave të përcaktuara me ligj, ato mund të kryejnë mbikëqyrje të deponive lokale dhe rajonale, por edhe të atyre që janë të egra, pasi për atë kompetencat janë të komunës që t’i pastrojë ato.

“Ne bëjmë mbikëqyrje ndaj deponive komunale të cilat që i menaxhojnë ndërmarrjet publike komunale. Në rajonin e Pollogut bëjmë mbikëqyrje të punës së ndërmarrjes publike komunale të Tetovës dhe ndërmarrjes publike rajonale që e menaxhon deponinë Rusino, sepse ato dy deponitë janë të vetme që kanë status të “parregullt”, megjithatë në të vërtetë janë komunale apo rajonale. Gjithçka tjetër që hedhin si mbetje, mbeturina nga amvisëritë apo industriale, kompetencat për mbikëqyrjen i kanë inspektorët komunal dhe kompetenca gjithashtu ta pastrojë kryetari i komunës. Tetova nuk ka deponi të saj, ato duhet t’i dërgojnë në Drislla, ne mbajmë llogari dhe kontrollojmë së bashku me ndërmarrjen Drislla nëse në të vërtetë të gjitha mbeturinat e mbledhura në Tetovë dërgohet në deponi. Para pak kohe kishim një mbikëqyrje në deponinë rajonale Rusino ku vërtetuam se deponia pjesërisht sanohet me donacion dhe sanimi është pothuajse gati. Në këtë deponi po pastrohet mbeturina industriale të parrezikshme, për të cilën Ministria e Mjedisit Jetësor kërkoi që të bëhet karakterizim që të shihet nëse ai lloj i mbeturinave mund të largohet në të ardhmen”, tha Petreska.

Ajo gjatë konferencës së sotme për media, tha se gjatë periudhës janar – qershor 2021, janë realizuar 1,132 mbikëqyrje inspektuese, apo është realizuar 30 përqind më shumë nga ajo që është planifikuar. Në vitin 2021, janë realizuar 185 mbikëqyrje më shumë nga viti 2020, përkatësisht është shënuar rritje prej 20 përqind.  Gjatë kësaj, Inspektorati Shtetëror i Punës ka detektuar 363 parregullësi/ shkelje ligjore, për të cilat janë dhënë vendime për heqjen e tyre.

Mbeturinat kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten një ndër problemet kryesore për qytetin e Tetovës për shumë vite me radhë. Përgjegjës për menaxhimin e këtyre mbeturinave është Ndërmarrja Publike Komunale (NPK), e cila ndër vite akoma nuk ka gjetur një zgjidhje për këtë problem. Duke pasur parasysh se mbeturinat në koshat e plehrave nuk mblidhen dhe orari i mbledhjes së tyre nuk është i mjaftueshëm, dhe përderisa autoritetet kompetente nuk janë serioze dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë problem, qytetarët po vazhdojnë të ngulfaten në erë të keqe.

Portalb.mkparaprakisht shkruajti se në Tetovë janë krijuar mbi dhjetë deponi të vogla, duke bllokuar edhe disa trotuare për kalimin e këmbësorëve. Banorët u shprehen të frustruar nga era e keqe që vjen rrugëve, e cila ju hyn edhe në shtëpi.

Për Portalb.mk nga Ndërmarrja Publike Komunale (NPK) Tetova, para gjashtë ditëve (26 korrik) thanë se gjendja do të rregullohet ditën e nesërme (27 korrik), por gjendja në teren vazhdon të ngel e njëjte edhe pas gjashtë ditëve, kurse ashtu siç thamë më lartë, autoritetet nuk përgjigjen se pse këto mbeturina nuk janë pastruar.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button