Pas publikimit të audio-incizimeve në Kosovë, u shkarkua Nuhiu nga pozita e drejtorit të Njësisë për Inteligjencë Financiare

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se është shkarkuar drejtori i Njësisë për Inteligjencë Financiare, Dardan Nuhiu, raporton Kallxo. Shkarkimi i Nuhiut ndodh pas publikimit të audio-incizimeve gjatë ditës së djeshme dhe sot.

“Pas shqyrtimit të audio incizimeve të publikuara në media dje e sot, të cilat implikojnë Drejtorin e Njësisë për Inteligjencë Financiare, Bordi Mbikëqyrës, në mbledhjen e mbajtur sot, mori vendim që të njëjtin ta shkarkojë me efekt të menjëhershëm”, ka bërë të ditur Murati.

Dy audio-inicizme të reja janë publikuar nga “Shqip.com” gjatë ditës së djeshme dhe të sotme në të cilat pretendohet se i përfshirë është drejtori i Agjencisë së Inteligjencës Financiare, Dardan Nuhiu, deri sa me një telefonues flet se si po planifikon të kapë mediat e fuqishme në Kosovë e më pas t’i përdorë për shantazhe në raste të ndryshme.

“Unë besoj që për nja, krye 2 vjete unë i kapi krejt qeto ma t’fortat që jonë, jom n’krye unë. A po kupton? E tani zgjedh. Zgjedh ku don me shku. Ose çiftin tondë për shembull. Ty po t’ngucin? Po. Ja lëshoj mediat pse po e ngucni njerin”, dëgjohet deri sa thotë Nuhiu në këto incizime që janë publikuar nga “Shqip.com”.

Me kapjen e mediave në Kosovë, Nuhiu sipas “Shqip.com”, pretendon të shantazhojë zyrtarët publikë në rast se nuk i përshtaten në punën e tij. Nuhiu e ka parë, siç thotë ai, se si të tjerë që kontrollojnë media i “plaçkisin” politikanët, prandaj përse të mos e bëjë vetë.

“Çiftin e atij katolikut (Aleksandër Lumezin) për shembull, qata unë sa t’i kapi, kur t’i kapi ia lëshoj gjinën atina. Veç i thom po ……. po, ani preke qeto e une t’kallxoj knena”, thuhet në njërën nga deklaratat që jep Nuhiu gjatë bisedës me telefonuesin raportoi “Shqip.com”.

Edhe për këto publikime, KALLXO.com gjatë ditës së sotme ka kërkuar sqarime nga ana e vetë Nuhiut, Ministrisë së Financave, Agjencisë së Inteligjencës Financiare por të njëjtit deri në publikim të këtij shkrimi nuk kanë kthyer përgjigje si dhe nuk kanë treguar nëse të njëjtit kanë filluar që të trajtojnë vërtetësinë e këtyre bisedave apo përgjimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button