fbpx

Njihuni me dy skuadrat rivale të skuadrave shqiptare në Evropë

Ekipi i Lacit përfaqëson klubin me ecurinë më të mirë në edicionin e ri të Kupave të Evropës përsa i përket skuadrave shqiptare, megjithatë formacioni i Shpëtim Duros bëhet gati për misionin më të vështirë, përballë një kundërshtari siç është Anderlecht-i, transmeton SS.

Ekipi i famshëm nga Brukseli po tenton të ringrihet, por sidoqoftë klubi më i suksesshëm në historinë e futbollit belg ka humbur shumë nga shkëlqimi i dikurshëm. Në “Kontinentin e Vjetër” shumë gjëra kanë ndryshuar dhe natyrisht edhe forca e klubeve që vijnë nga kampionati belg nuk është më e njëjtë. Tani liga elitare e këtij vendi Jupiler Pro League ka rrëshqitur me sa kuptohet edhe poshtë kampionateve në vende si Rusia, Skocia, Austria, Ukraina apo qoftë edhe Serbia dhe kjo është dicka lehtësisht e kuptueshme, duke i hedhur një sy tabelës së koeficientëve, ku Belgjika pozicionohet aktualisht në vendin e 13 në renditjen e UEFA-s dhe përfaqësohet në Kupat e Evropës me 5 klube gjithsej.

Klubi i famshëm kryeqytetas ka fituar 34 herë ligën vendase, ekzaktësisht dyfishin e titujve krahasuar me Club Brugge, që përfaqëson ekipin e dytë më të suksesshëm në vend, megjithatë është fakt që Anderlecht-i nuk e fiton kampionatin që nga sezoni 2016-17, madje edhe ai titull është i vetmi për ekipin nga Brukseli në shtatë sezonet e fundit.

Pra gjatë kësaj periudhe Jupiler League është dominuar nga Club Brugge dhe Genk, që kanë fituar respektivisht nga 4 dhe 2 kampionate, për më tepër në këto 6 nga 7 edicionet e fundit Anderlecht-i ka dështuar për t’u pozicionuar në vendin e dytë, e për rrjedhojë kuptohet qartë që klubi i mirënjohur kryeqytetas ka munguar sistematikisht në Champions League. Edicioni i ri në Belgjikë ka startuar që në javën e fundit të muajit korrik por Anderlecht-i është ende në kërkim të fitores së parë. Skuadra drejtohet aktualisht nga ish-kapiteni i Manchester City-t dhe përfaqësueses së “djajve të kuq” Vincent Kompany, gjithsesi rekordmenët e futbollit belg u mundën në shtëpi, në javën hapëse 3-1 nga Union Saint–Gilloise, klub i sapongjitur në elitën e futbollit belg dhe që edicionin e shkuar u kurorëzua si kampion në ligën inferiore të këtij vendi, ndërsa në javën e dytë Anderlecht-i nuk shkoi dot përtej barazimit 1-1 në Kehrëegstadion ndaj Eupen-it, ndonëse miqtë kaluan të parët në epërsi dhe qëndruan vetëm për shtatë minuta gjithsej në avantazh. Skuadra i zhvillon ndeshjet në kryeqytet, në Stadiumin Lotto Park. Ky është emri i ri që mban impianti i klubit më të lavdishëm në vend që nga viti 2019 për shkak të sponsorit, ndërsa më parë Stadiumi quhej Constant Vanden Stock. Për herë të fundit në shtëpinë e klubit kryeqytetas është ndërhyrë në vitin e largët 1983, kur edhe u reduktua kapaciteti në thjesht 22.500 vende, që është pra edhe maksimumi i spektatorëve që mund të mbajë mbi shpatulla edhe ditëve të sotshme. Edicionin e kaluar Anderlecht-i e mbylli sezonin e rregullt në vendin e tretë, pas ekipeve si Club Brugge dhe Antëerp, ndërsa në championshi raund, pra fazën përmbyllëse të kampionatit klubi kryeqytetas u kalua gjithashtu edhe nga ekipi i Genk-ut, duke përfunduar kështu pikërisht në UEFA Conference League. Tifozët e klubit vazhdojnë të krenohen me sukseset e arritura shekullin e kaluar, pra Kupën UEFA që Anderlecht-i fitoi ndaj Benfica-s në dy takime në sezonin e largët 1982-83, ndërkohë klubi më i sukseshëm ka fituar gjithashtu edhe Kupën e Kupave në vitet 1976 e 1978, respektivisht ndaj Ëest Ham-it dhe Austrisë së Vjenës, ndërsa në vitet 1977 e 1990 klubi më i lavdishëm belg shkoi deri në finale në këtë kompeticion. Anderlecht-i ka fituar dy herë gjithashtu edhe Superkupën Evropiane në vitet 1976 e 1978, sidoqoftë tani përballja me Lacin përfaqëson edhe sfidën e parë për klubin nga Brukseli në edicionin e ri të Kupave të Evropës.

Natyrisht më e lehtë paraqitet situata për skuadrën e Teutës, që do të masë forcat me në Ligën e Konferencës me një klub si Shamrock Rovers, duke patur parasysh që bardhjeshilët përfaqësojnë një vend si Irlanda, që renditet në vendin e 42 në klasifikimin e përgjithshëm të UEFA-s për nga fortësia dhe koeficienti, pra pesë pozicione më poshtë krahasuar me Shqipërinë. Bëhet fjalë për klubin më të suksesshëm të futbollit në Republikën e Irlandës, që është kurorëzuar 18 herë me trofeun e ligës vendase, ndërsa ekipe si Dundalk dhe Shelbourne ndjekin të distancuar, përkatësisht me nga 14 dhe 13 tituj. Rovers kishin plot 9 vjet pa fituar ligën irlandeze, gjithsesi vitin e kaluar “hoops” triumfuan në kampionat me plot 11 pikë më shumë se sa klubi tjetër kryeqytetas i Bohemians-it, në një edicion të shkurtuar dhe me vetëm dy faza gjithsej, natyrisht për shkak të pandemisë së koronavirusit. Shamrock Rovers i luan ndeshjet në Tallaght Stadium, impiant me kapacitet prej vetëm 8.000 spektatorësh, që mban emrin e zonës ku pozicionohet, në pjesën jugore të Dublinit. Ekipi drejtohet prej 5 vjetësh nga 36-vjecari Stephen Bradley, që është aktivizuar thjesht për një sezon si mesfushor në radhët e Rovers. Ekipi i Shamrock-ut sigurisht që është më përpara se Teuta me përgatitjet, duke patur parasysh që në ligën vendase me vetëm 10 skuadra gjithsej ka edhe klube që kanë zhvilluar nga 22 takime.

Bardhjeshilët kryesojnë kampionatin me 44 pikë pas 21 ndeshjeve, ndërsa në vendin e dytë pozicionohet ekipi i St Patrick’s Athletic me 41 pikë pas 22 takimeve, ndërkohë klubi i Sligo Rovers ndjek në vendin e tretë me 38 pikë pas 20 sfidave. Shamrock-u do të paraqitet në duelin me skuadrën durrsake pas katër fitoreve radhazi në të gjithë kompeticionet. Ndryshe nga Anderlecht-i Rovers e kanë nisur më herët aventurën e tyre në edicionin e ri të Kupave të Evropës dhe pas humbjes 2-0 në Champions në Bratislavë me Sllovanin që u shpall kampion në Sllovaki, në sfidën e kthimit tre javë më parë Shamrock-u ia doli për të barazuar përkohësisht shifrat, falë suksesit 2-0 në Dublin, sidoqoftë një gol i pësuar afërsisht cerek ore para fundit shkaktoi eliminimin dhe për pasojë i zbriti kampionët në fuqi të Republikës së Irlandës pikërisht në UEFA Conference League.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button