Dita kur para 20 vitesh në Ohër u parafua Marrëveshja Kornizë

Autor: Vasko Popetrevski

Sikur të ishte dje… Për lidhjen në lajme në televizionin „А1“ prita 15-20 minuta, edhe pse duhej të paraqitem për punë të rëndësishme nga Ohri. Pas disa muajsh negociata ishte parafuar (nënshkruar me iniciale) marrëveshja politike, me të cilën avancohen të drejtat e bashkësisë etnike shqiptare dhe e cila ngjallte shpresë se do të ndalen gjakderdhjet në pjesën perëndimore dhe veriperëndimore të vendit. Në rrethana normale ky do të ishte lajmi i parë, por …

„Suhoi“ në plazh

Si raportues i ri në TV „А1″, nga fundi i korrikut të vitit 2001, shfrytëzoja pushimin vjetor. Atmosfera në vend nuk ishte për relaksim, por, megjithatë disa ditë i kalova në bregun e liqenit të Ohrit. Asnjëherë nuk do të më zbehen fotografitë nga “suhoit” në fluturim të ulët mbi plazhet e Ohrit. Supozoj se duhej të demonstronin se shteti ka kontroll mbi të gjithë territorin e tij. Ndoshta ashtu ishte nga qielli por jo edhe në tokë.

Asnjëherë nuk do i harrojë paraqitjet e kolegut nga „А1“, Aleksandar Çomovski, ato ditë nga Ohri. Atje, në vilat qeveritare, ishin izoluar presidenti Boris Trajkovski, liderët e katër partive më të mëdha politike – Ljupço Georgivski (OBDRM-PDUKM – VMRO DPMNE), Branko Crvenkovski (LSDM – SSDM), Arbën Xhaferi (PDSH), Imer  Imeri (PPD), lehtësuesit Xhejms Perdju (SHBA), dhe Fransoa Leotar (BE), me ekipet e tyre në përpjekje që të arrijnë deri te një zgjidhje politike për konfliktin ushtarak.

Çdo mbrëmje në ora 19 me padurim i prisnim lajmet e Çomovskit që të dëgjojmë se si rrjedhin negociatat dhe nëse ka shpresë për paqe. Mes gjërave që do i mbaj mend gjithmonë është edhe një sentencë e paraqitjes të tij të parë nga Ohri. Duke përkujtuar se në vilën e njëjtë „Biljana “, në të cilin zhvilloheshin negociatat, në vitin 1991 është mbajtur takimi i presidentëve të atëhershëm të gjashtë republikave të atëhershme, Çomovski theksoi – „ata atëherë u morën vesh që të mos merren vesh”. Porosia indirekte ishte – Jugosllavia u shpërbë, a do të ndodh e njëjta edhe me Maqedoninë?!

TV A1
TV A1

„Ahmetovizioni (Ahmetovizija)

„А1“ ishte një shtëpi mediatike e ndjekur dhe e fuqishme në atë kohë. Kishte ndikim shumë të madh në krijimin e mendimit publik edhe te Мaqedonasit edhe te Shqiptarët. Kishte imazhin e redaksisë që angazhohet për zgjidhje paqësore të krizës. Ndoshta për shkak të kësaj Shkupi ishte mbushur me grafite „А1 = Ahmetovizion“. Nuk e di nëse do të ishte ashtu nëse qarqet nacionaliste maqedonase e dinin atmosferën e vërtetë në redaksi.

Me distancim të plotë se ky është këndvështrimi im personal për punët brenda, por mendoj se kam të drejtë kur theksoj se ata që patën sukses që në fillim të jenë gazetar, e më tutje Maqedonas dhe të krishterë (që në kushte të tilla është jashtëzakonisht e vështirë), ishin pakicë, kurse meritа më e madhe për përshtypjen se „А1“ është në anën e paqes ishte e redaktorit kryesor Aco Kabranov. Ja vetëm disa ilustrime. Për një artikull në lajme në temën „amnisti për anëtarët e UÇK“ mora vërejtje nga kolegu i redaksisë se nuk jam „albanofil “, por „shqiptarofil “. Ai mendonte se nuk mundej aq „ftohtë dhe me distancë “ të raportohet për temë të tillë.

Apo më shumë përshtypje jep shembulli për fazën kur Ali Ahmeti e kishte ndërruar uniformën ushtarake me kostum civil dhe kravatë, dhe redaktori Kabranov njoftoi se ai (Ahmeti) vjen në intervistë në „А1“. Pothuajse u zbraz redaksia e „Ahmetovizionit“, kurse Kabranov të nesërmen, me një buzëqeshje të madhe, ka njoftuar se ka bërë vetëm shaka dhe se ka dëshiruar të shoh se kush do të mbes që të përshëndetet me Ahmetin, dhe kush do të largohet.

Intermeco e Ilindenit

Raportin e Çomovskit në 1 gusht të vitit 2001 nga Ohri se shefi i shtetit dhe liderët e katër partive, me ndihmën e lehtësuesve ndërkombëtarë, kanë arritur deri te një zgjidhje për përdorimin e gjuhës shqipe, e kam pritur në vendlindjen time në Strumicë. Atje shkova pas ditëve të kaluara në plazh në Ohër. Dhe përderisa planifikoja se kur të kthehem në Shkup, pranova një thirrje telefonike nga Kabranov.

Pasiqë publikuan se u morën vesh për gjuhën, liderët politik morën pauzë për Ilinden dhe u morën vesh që të takohen sërish në Ohër në 3 gusht. Kabranov kërkoi nga unë që të shkojë në Ohër dhe të raportojë për vazhdimësinë e negociatave politike. Nuk mund të thoja – jo. Sfida e gazetarisë ishte shumë e madhe. Kur nga distanca e sotme e analizojë këtë vendim, nuk mund të mos them se ishte i guximshëm, dhe madje i rrezikshëm. Sepse kisha vetëm 25 vjet, dhe çdo fjalë e shqiptuar publikisht në televizionin e fuqishëm „А1“ mund të zhvendoste proceset në një drejtim apo tjetër. Në terren zhvillohej luftë dhe vdisnin njerëz.

Trajkovski dhe Solana, foto arkiv

Solana në Ohër

Pas gjuhës, tema e ardhshme (e fundit) e nxehtë e negociatave të Ohrit ishte policia. A do të ketë të ashtuquajtura polici lokale, që do të ishte në kontroll të tërësishëm të pushteteve lokale, cilat do të ishin kompetencat e saj; a do të ketë pranim më masiv të shqiptarëve në polici që të fillojnë që ta ndjejnë si të tyre; sa persona, sa herë dhe nën cilat rrethana do të punësoheshin? Këto ishin një pjesë e dilemave në tavolinën e negociatave në vilën „Biljana “.

Liderët dhe lehtësuesit nuk patën sukses që vetë të arrijnë marrëveshje për këtë çështje. Prandaj, në 5 gusht të vitit 2001 në aeroportin e Ohrit ka ateruar shefi i atëhershëm i diplomacisë të BE-së, Havier Solana. BE, NATO dhe SHBA, të cilët tashmë ishin angazhuar në mënyrë të konsideruar që të parandalojnë gjakderdhjen e re të përmasave të luftërave jugosllave nga fillimi i viteve të 90-ta, e dinin se marrëveshja është pranë arritjes, por edhe se negociatat mund të rrëshqasin lehtë në humnerë nëse nuk ndihmojnë që të vazhdohet në metrat e fundit të procesit. Duke dashur që të dërgojë porosinë se zgjidhja ushtarake nuk është e mundur, Solana atë ditë erdhi në Ohër me Anatolij Zlenko, shefin e atëhershëm të diplomacisë në Ukrainë, shteti që ndihmoi më së shumti ushtarakisht Maqedoninë.

Pas negociatave që zgjasnin gjithë ditën, në konferencën për shtyp të mbrëmjes në hotelin „Ineks Gorica “, Solana shpalli: „Kemi mbyllur edhe një çështje problematike dhe mendoj se jemi shumë afër marrëveshjes përfundimtare“. Solana ishte dhe nuk ishte në të drejtë.

Havier Solana ne Ohër, foto nga Reuters

Nervozë para marrëveshjes

Ashtu siç rriteshin mundësitë për zgjidhje politike, ashtu rritej edhe nervoza në terren. Në të dy anët. Presidenti Trajkovski, i cili mbante mbi kurriz një barrë shumë të madhe nga konflikti, dhe që realisht, është një nga më meritorët për zgjidhjen politike në fund, ato ditë ishte nën trysni (nga një këshilltar i tij i jashtëm) që të demonstrojë edhe guxim ushtarak dhe, për shembull, t’i urdhërojë Armatës të pastrojë (nga anëtarët e UÇK) rrugën nga Tetova deri në Jazhincë. Ligji i atëhershëm parashihte se komandanti suprem, në këtë rast Boris Trajkovski, komandon me ushtrinë përmes ministrit të mbrojtjes, në atë rast Vllado Buçkovksi. Buçkovski që kishte të njëjta vlera me presidentin Trajkovski, kishte vendosur urdhrin në sirtar, sepse, ndoshta, mendonte se zbatimi i tij mund të komplikonte punët.

„А1“ publikoi për këtë, kurse Trajkovski thirri urgjentisht seancën e Këshillit të sigurimit në vilën „Biljana “. Më kujtohet se Buçkovski erdhi në seancë me helikopter. Sapo ateroi helikopteri, redaktori Kabranov kërkoi nga unë që t’i paraqitem ministrit të mbrojtës dhe ta ftojë që të jetë i ftuar „drejtpërdrejtë “ në lajmet e „А1“ nga pozita jonë e linjës në hotelin „Park “. E kërkova Buçkovskin, ai u përgjigj, e dëgjoi me kulturë kërkesën time dhe më dha këtë përgjigje: „Unë nuk vij, kurse të rekomandojë që në vendin tim në lajme të ftosh Ljubomir Fërçkovskin “. Aluzioni ishte se edhe pas urdhrit të Trajkovskit edhe pas rrjedhjes të tij në publik qëndron Fërçkovski. Nëse ishte kështu, e di Kabranov.

„Likuidimi“ i Telit

Komandant Teli
Komandant Teli

Pasi që ishin mbyllur temat për gjuhën dhe policinë, kishte mbetur për harmonizim dinamika e ndryshimeve të dakorduara kushtetuese dhe ligjore me çarmatosjen e parashikuar të UÇK-së. A do të dorëzojë në fillim UÇK armët, e pastaj Kuvendi të fillojë procedurën për miratimin e amendamenteve kushtetuese apo anasjelltas.

Dhe përderisa në „Biljana“ negocioheshin këto „finesa“ (përdor thonjëza sepse kronikët sigurisht se do të kujtohen për rolin që më vonë në procedurë parlamentare e kishte Stojan Andov, në vendimin e tij që të incizojë me magnetofon me “kaseta” takimet me Xhorxh Robertson…), në 7 gusht të vitit 2001, arriti lajmi se policia, nën komandën e ministrit të atëhershëm Lube Boshkovski, ka vrarë katër anëtarë të UÇK-së në Çair, në krye me komandant Telin. Rrethanat e aksionit edhe në ditët e sotme janë misterioze, por ajo që është tërësisht e qartë është se vrasja e Telit mund të rrënonte procesin politik në Ohër. Sidomos ishte indikative mënyra në të cilën mbrëmjen e 7 gushtit TVM informonte për këtë ngjarje – në mënyrë euforike, triumfaliste, duke shfrytëzuar nocionin “likuidim”, dhe për këtë temë ishin ndarë 15 nga gjithsej 30 minuta, aq sa zakonisht zgjat  „Ditari“ qendror. Ljupço Georgievski ishte ulur në tavolinën e negociatave në Ohër, por të gjithë e dinin se atë e bën pa vullnet.

Karpallak-u

Hakmarrja për Telin ka arritur mëngjesin e nesërm në 8 gusht të vitit 2001. UÇK, në pritë në Karpallak, ka sulmuar autokolonën ushtarake dhe ka vrarë dhjetëra rezervistë të armatës. Një goditje  tjetër serioze për negociatat në Ohër.

Rileximin e artikullit për rrjedhën e negociatave të Ohrit që në vitin 2004 e nënshkruam bashkërisht me Veton Latifin, që është pjesë e librit për konfliktin në Maqedoni në botim të Institutit për raportimin ushtarak dhe paqësor, më ka freskuar kujtesën për atmosferën në Ohër atë ditë. Një pjesë të gjërave i dëshmova personalisht, kurse një pjesë i përcollën pjesëmarrësit në proces. Teksti i marrëveshjes është harmonizuar, por askush nuk mendon për nënshkrimin e tij. Trajkovski madje refuzon që të takohet me lehtësuesit ndërkombëtarë edhe pse të gjithë janë në objektin e njëjtë. OBRM-PDUKM (VMRO-DPMNE) shpall se e ngrijnë pjesëmarrjen në negociata. Përfaqësuesit e PDSH-së dhe PPD-së frikësohen se si do të kthehen – disa për në Strugë, disa për në Tetovë sepse në rrugë i presin kontrollet e pikave të sigurisë.

François Léotard (Fransoa Leotar) dhe James Pardew (Xhejms Perdju) në Ohër, foto arkiv

Inicializimi                        

Edhe në rrethana të tilla, lehtësuesit Perdju dhe Leotar mendojnë se procesi politik është pa alternativë dhe vendosin që t’u japin stilolapsin përfaqësuesve të PDSH-së dhe PPD-së për të parafuar në marrëveshje. Ata fillimisht refuzojnë, por pas konsultimeve me qendrën e UÇK-së në Shipkovicë, megjithatë, kanë vendosur inicialet e tyre në dokument. „Rojters “ (Ana Petruesheva) i pari informon se në Ohër ka filluar inicializimi i Marrëveshjes kornizë. Më pas marrëveshja është parafuar (nënshkruar me iniciale) edhe nga LSDM (SDSM). Përkundër shpalljes se e ngrijnë pjesëmarrjen, është parafuar edhe nga OBRM-PDUKM (VMRO-DPMNE).

Më kujtohet se përderisa nga hoteli „Ineks Gorica “ po shpejtoja që të arrijë në vendin e raportimit te hoteli „Park “ rrugës u takova me delegacionin e OBRM-PDUKM (VMRO-DPMNE). Mohuan se kanë parafuar, edhe pse më vonë u bë e qartë se, në fakt, ishin kthyer drejtpërdrejtë nga vila „Biljana“ pasiqë kishin vendosur inicialet e tyre në Marrëveshjen kornizë.

Për lidhjen në lajmet e „А1“ prita 15-20 minuta, edhe pse duhej të paraqitem për një punë të rëndësishme – pas disa muajsh negociata ishte nënshkruar marrëveshja politike, me të cilin avancohen të drejtat e bashkësisë etnike shqiptare dhe që ngjallte shpresën se do të ndalen gjakderdhjet në pjesën perëndimore dhe veriperëndimore të vendit. Në rrethana normale ky do të ishte lajmi i parë, por ishte e kuptueshme se ngjarja në Karpallak e kishte përparësinë.

Në atë çast asnjë nuk ishte i vetëdijshëm për historinë që ishte shkruar atë ditë në Ohër.

Për autorin: Vasko Popetrevski është redaktor i emisionit „360 shkallë “ që emitohet në TV Alsat dhe në internet-portalin www.360stepeni.mk. Para krijimit të emisionit televiziv „360 shkallë “ në vitin 2014, nga prilli i vitit 2013 punon si redaktor-drejtues lajmeve në TV „Аlsat “. Më parë ka punuar si raportues dhe redaktor në javoren „Gragjanski “ (v. 2012), gazetën ditore „Dnevnik “ (v. 2009-2011) dhe televizionet „Kanal 5“ (v. 2003-2009 dhe v. 2000) dhe „А1“ (v. 2001-2003). Ka diplomuar në studimet e gazetarisë në Fakultetin juridik „Justiniani i parë “ në Shkup si studenti më i mirë i gjeneratës v.1996-2000.  Është anëtar i Këshillit drejtues të Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button