RMV, priten ditë shumë të nxehta – autoritetet bëjnë thirrje që të respektohen masat për mbrojtje nga vala e të nxehtit

Ministria e Shëndetësisë informon se gjatë dy ditëve të ardhshme i gjithë territori i vendit do të preket nga temperaturat nga faza (alerte) e portokalltë. Ata bëjnë thirrje, që në përputhje me Planin Aksional për parandalimin e pasojave të valëve të të nxehtit në shëndetin e popullatës, të respektojnë masat e përgjithshme për mbrojtjen e shëndetit, njofton Portalb.mk.

Në saje të kësaj situate, nga Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë:

  • Lirim nga puna e grupeve më të rrezikuara të popullatës, siç janë – gratë shtatzëna edhe personat mbi 60 vjeç.
  • Në institucionet për kujdesin ndaj fëmijëve (kopshtet) të mos praktikohet aktiviteti fizik dhe të mos i nxjerrin fëmijët në ambient të jashtëm në periudhën nga ora 11 deri në orën 17.
  • Njësitë e vetëqeverisjes lokale, Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Qendrat për punë sociale në rajonet e prekura nga vala e të nxehtit duhet të kenë qasje më aktive dhe të ofrojnë ndihmë për personat e moshuar, të vetmuar, të dobët dhe të pastrehët.
  • Duke pasur parasysh faktin se disa prodhime të rrezikshme dhe procese teknologjike mund të përbëjnë rrezik shtesë për shëndetin e punëtorëve të ekspozuar, punëdhënësve u kujtohet detyrimi për veprim në përputhje me rregulloret ligjore në këtë fushë.

Nga Ministria e Shëndetësisë kujtojnë popullatën se gjatë gjithë periudhës së verës duhet t’i respektojë masat e përgjithshme për mbrojtjen e shëndetit, siç janë:

  • Gjatë ditëve jashtëzakonisht të nxehta, të qëndrojnë më shumë brenda (sidomos me ajër të kondicionuar), ndërsa gjatë nevojës për të qëndruar jashtë gjatë kësaj periudhe, të gjenden mundësi për pushim më të shpeshtë nën hije.
  • Të vishen rroba me ngjyra të hapura dhe të lehta, kurse gjatë ekspozimit të drejtpërdrejtë në diell, të vendosen syze dhe kapelë dhe të përdoret krem ​​mbrojtës nga dielli me faktor të lartë mbrojtjeje.
  • Të hahet më pak ushqim, kryesisht fruta dhe perime, dhe më pak ushqime yndyrore.
  • Të puhen më shumë lëngje, mundësisht ujë të pijshëm të thjeshtë, ndërsa të shmangen pijet alkoolike.
  • Gjatë hyrjes në automjet, i njëjti të ventilohet për një periudhë të caktuar.
  • Të sëmurët kronikë të marrin rregullisht terapinë e përshkruar, në konsultim me mjekët amë.

Për shkak të temperaturave të larta dhe rritjes së mundësisë së helmimit nga ushqimi dhe sëmundjeve infektive të zorrëve, rekomandohet larja e produkteve bujqësore dhe kopshtarisë para përdorimit të tyre, përgatitja termike e ushqimit dhe konsumimi i tij menjëherë pas përgatitjes.

“Komisioni për monitorimin e efekteve të temperaturave të larta në Ministrinë e Shëndetësisë po monitoron në mënyrë të vazhdueshme situatën dhe, nëse është e nevojshme, do të propozojë masa dhe aktivitete për të minimizuar efektet e mundshme të dëmshme të temperaturave të larta”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Përndryshe, sipas parashikimit të EPH -së, të enjten mbrëma dhe të premte do të ketë kushte për shi të rrëmbyeshëm lokal, bubullimë dhe erë të fortë dhe temperatura do të bjerë për 3 deri në 5 gradë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button