Tetova me më pak të vaksinuar ka më shumë raste aktive me Kovid-19 (Infografik)

Tetova aktualisht ka më së shumti raste aktive me Kovid-19, ndërsa ka më pak të vaksinuar. Në Tetovë ka 177 pacientë aktivë në Tetovë, ndërsa 184 në Shkup. Duke marrë parasysh që numri i banorëve në Shkup është shumë më i lartë, në Tetovë numri mesatar i qytetarëve të infektuar është më i lartë. Pas Shkupit dhe Tetovës, numër i lartë i personave të infektuar është në Kumanovë 67 dhe Gostivar 47, transmeton Portalb.mk.

Dje, sipas statistikave të Ministrisë së Shëndetësisë, Tetova ishte në krye me raste të reja, 32 nga 54 teste të kryera. Të dielën kishte 10 raste, 25 të shtunën, 15 të premten, përkatësisht Tetova është vazhdimisht në krye të listës sipas numrit të pacientëve të rinj pasi numrat filluan të rriten.

Përkundër numrit të madh të të infektuarve, Tetova është një nga qytetet me shkallën më të ulët të vaksinimit të popullsisë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë të publikuara më 20 korrik, Tetova ka vaksinuar 17.1 përqind të popullsisë dhe është qyteti i dytë me vaksinimin më të ulët pas Kërçovës me 15.8 përqind.

Dje, Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se numri i shtuar i pacientëve të sapo infektuar është për shkak të udhëtimeve të shpeshta dhe pushimeve vjetore dhe nga vjeshta njoftoi kufizime të mundshme për të pavaksinuarit.

“Sistemi është plotësisht i përgatitur për t’u marrë me valën e re të mundshme, por të gjithë duhet ta dimë se nuk mund të jetojmë me kufizime. Të gjithë duhet të vaksinohemi për të rikthyer funksionimin normal të të gjitha proceseve të jetës, të subjekteve ekonomike, objekteve hotelierike, vendeve të tubimeve masive. Qytetarët duhet ta dinë se në vende të tilla mund t’u kërkohet certifikatë imunizimi ose test negativ PCR, pasi ne duhet të mbrojmë popullatën, ndërsa institucionet dhe ekonomia funksionojnë normalisht”, tha Filipçe.

Deri më tani, me dozën e parë janë vaksinuar 514.021 qytetarë, ndërsa 390.562 janë rivaksinuar. Vaksinimi bëhet pa termin në poliklinikat në të gjithë vendin, kurse zhvillohet edhe vaksinimi në terren në fshatra dhe vendbanime më të vogla.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button