KOHA PËR NDRYSHIM: MINIMALIZMI SI MËNYRË JETESE (1)

“Jeta konsiston në të kuptuarit e ca të vërtetave të vjetra dhe të thjeshta që kur thuhen tingëllojnë si fjalë boshe.”

 S. Lewis

“Budallai i vërtetë paska qenë konsumatori brenda meje”. anonime, rreth veprës Simplify

 

Shtëpia me katër banjo, me pishinë, oborri me 270 lloje drurësh, në dollap 24 palë këpucë, 3 makina fshirëse, në oborr 4 vetura, në krah Rolex, pushimet në hotel ultra-all-inclusive. Një shtëpi ordinere amerikane përbëhet mesatarisht 300.000 njësi (Los Angeles Times), ndërsa çdo i rritur i atjeshëm hedh brenda vitit 30 kg tesha. (EPA Office of Solid Waste) Para ca ditësh lexuam se Bill Gates ka paguar një darkë 8000$-she në Bodrum. Të mos flasim për VIP-at shqiptarë, që sapo kanë parë “gjizën mbi bukë”, po tranohen krejt në harxhime marramendëse. Sekuenca nga një qendër tregtare: blihen gjëra për të cilat njerëzit kanë nevojë, por edhe të tilla për argëtim, kot së koti. Konsum i zdërhalljes dhe dukjes. Edhe qytetari më i thjeshtë mbush 30 qeska në 30 ditë, me gjithsej 5000 gjëra brenda vitit, prej të cilave një pjesë nuk shfrytëzohet fare ose përfundon në shportën e hedhurinave. Gota dhe pjata për një përdorim. Qeska për pak e për shumë, ujin, nga shishet e plastmasës. Shoqëri konsumocentriste i thonë kësaj. Dhe rezultati: njerëz të azdisur, të stresuar, planet i shndërruar në deponi. Fushata për reciklim të mbetjeve që i prodhojmë vetë, duke përdorur edhe gjëra të panevojshme. Futuristët, me skenarë te zeza.

Epoka në të cilën jetojmë është kohë e njeriut në ngutje, të pangopur, të orekseve të pafundme, të kulturës “kafsho e hidh”, është periudhë e njeriut që tenton të zotërojë gjithçka. Njeriu i kohës tonë është maksimalist. Maksimalizmi përjetoi kulmin e vet në kohën kur lulëzoi konsumerizmi si mënyrë jetese. Nga ana tjetër qëndron antipodi i tij, minimalizmi, i cili sipas shumicës së ekspertëve zyrtarisht ka lindur në Nju-Jork (rreth viteve 1960); atëbotë është quajtur ABC art, art literalist, art objekt ose Cool art. Minimalizmi zakonisht ndërlidhet me lëvizje të artit, muzikës dhe dizajnit, dhe kohëve të fundit me një lifestyle të veçantë.

Qysh në vitin 1915 piktori rus Kasimir Malevich pati krijuar një kompozicion të një katrori të zi mbi një sfond të bardhë, as më pak e as më shumë. Me kalimin e kohës profesionistë me ndikim preferuan një formë arti që i referohej vetëvetes dhe asgjëje tjetër, duke qenë të drejtpëdrejtë dhe duke reduktuar gjithçka që është e tepërt. (Larsen & Eriksen, 2021)

Koncepti minimalist, që gjithnjë e më tepër po aktualizohet në një botë në krizë, me padrejtësi të mëdha, varfëri, kataklizma natyrore, nënkupton të jetuarit vetëm me gjërat për të cilat kemi nevojë, me ato që mbështesin qëllimin tonë, shmangien e zbavitjes dhe hutimit me zotërime tepricë. Është fokusim te gjërat që janë më të vlefshmet.

Në fakt, minimalizmi si ide apo filozofi rrënjët i ka në fetë e mëdha botërore që sugjerojnë mjaftimin me pak, modestinë, eremitërinë, thjeshtësinë. Në krishterim, i cili ka mesazhe të fuqishme asketike, me rëndësi është besimi dhe jo gjërat jashtë tij; “Dhe i shisnin pronat e pasuritë dhe ua ndanin të gjithëve, sipas nevojës së çdonjërit.” (Bibla, Aktet, 2:45); islami, ndonëse është kundër monasticizmit, kritikon të dhënit e tepërt pas botës dhe mallit (Kur’ani 16:97); profeti Muhamed ka thënë se pasuri e vërtetë nuk është ajo e pronës materiale por pasuria e zemrës.” (Buhariu) Edhe judaizmi mëson që t’i ikim vetëpëlqimt dhe luksit. (Levi, 2005) Në ideologjinë hinduiste, Sannyasa shenjon një jetë të thjeshtë, me pasuri materiale minimale ose pa të, jetën e kaluar në kërkim, meditim, një jetë etike. Në budizëm Madhyamaka ose Rruga e Mesme plotëson nevojat e trupit pa kaluar në luks dhe kënaqësi.

Pra ideja minimaliste është arkaike, kurse emanacionet e tij moderne. Pra është një botëvështrim dhe kulturë e riaktualizuar që thyen mitin dhe kultin e kapitalit si objektiv jete. Sot është rariret por me mundësi masovizimi, në veçanti në shoqëritë që kanë përjetuar ekstazën e zotërimeve materiale. Joshua Becker, një nga autorët më të shitur të “Wall Street Journal”, që mban firmën e veprave The More of Less dhe The Minimalist Home, një eksponent i fuqishëm simplicitetit dhe minimalizmit, tregon se si ka zbuluar këtë koncept të ri të jetës, një ditë të shtune pranverore kur po rirendiste vatrën e makinës (garazhën):

“Jetët tona janë tipike: puno zellshëm, bëj para, harxhoji ato në pagesa të mortgage-it, në rroba të modës, në vetura të bukura, në teknologji të avancuar dhe në më shumë lojëra për fëmijët. Por një ditë kur djali im qëndronte në bahçe ndërsa unë gjithçka nga garazha kisha vendosur mbi rrugën e veturës, ndodhi një bisedë me fqinjen 80-vjeçare që ma hapi mendjen drejt një mënyrë të re të mendimit. “Ndofta s’ke nevojë për gjithë këto gjëra?” – më pati thënë ajo. Dhe minimalisti kishte lindur tanimë. Në atë çast, kuptova një gjë që më ndyshoi jetën: Çdo gjë që zotëroja nuk kishte kuptim, qëllim, plotësim, ose kënaqësi të gjatë në jetë. Në fakt, jo vetëm që zotërimet nuk më lumturuan, ato më shkëputën nga lumturiae vërtetë. Fillova të ndjek një mënyrë minimaliste të jetës duke i hequr gjërat e panevojshme nga shtëpia dhe jeta në përgjithësi.” (becomingminimalist.com) [vijon]

 

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button