Ligjvënësit do të marrin deklaratat tatimore të ish-presidentit Trump

Ish-presidenti Donald Trump pësoi një humbje të dyfishtë të premten, pasi Departamenti i Drejtësisë i hapi rrugën publikimit të deklarimit të taksave si dhe zbuloi se ai iu kishte kërkuar zyrtarëve të këtij departamenti t’i shpallnin zgjedhjet si të korruptuara, raporton VOA.

Ky është një ndryshim kursi i Departamentit të Drejtësisë, që nga koha kur zoti Trump ishte në drejtimin e Shtëpisë së Bardhë. Sipas dokumentit të publikuar nga Komisioni Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve, tani zyra e Shërbimit të Brendshëm të të Ardhurave duhet të sigurojë deklarimet tatimore të biznesmenit republikan.

Trump ishte presidenti i parë në 40 vjet, që nuk publikoi deklarimet e tij tatimore, si dhe dokumentet e tjera, pasi ai synonte të mbante sekret hollësitë mbi pasurinë e tij dhe aktivitetet e kompanisë së tij, “Organizata Trump”.

Komisioni Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve i udhëhequr nga demokratët ka thënë se dëshiron që të kontrollojë pjesërisht deklarimet tatimore për të parë nëse zoti Trump ka përfituar nga ligjet e taksave.

Po ashtu emailet e publikuara tregojnë se zoti Trump dhe aleatët e tij në javët e fundit të presidencës së tij i bënë presion Departamentit të Drejtësisë për të hetuar pretendimet e pabazuara për mashtrime të përhapura në zgjedhjet e vitit 2020. Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Drejtësisë po heton nëse zyrtarët e departamentit u përpoqën të përmbysnin rezultatet.

“Vetëm thoni se zgjedhjet ishin të korruptuara dhe pjesën tjetër ma lini mua dhe përfaqësuesve republikanë”, i ka thënë zoti Trump në një moment Prokurorit të Përgjithshëm në detyrë Jeffrey Rosen, sipas shënimeve të marra nga Richard Donoghue, i cili në atë kohë ishte zëvendës Prokuror i Përgjithshëm dhe ishte pjesë e bisedës telefonike mes ish presidentit dhe zyrtarit të Departamentit të Drejtësisë.

Përfaqësuesit e zotit Trump nuk iu përgjigjën një kërkese për koment.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi, një demokrate, përshëndeti vendimin e Departamentit të Drejtësisë, duke thënë se qasja në këto dokumenta është “një çështje e sigurisë kombëtare”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button