RMV, deri të enjten qytetarët mund të aplikojnë për regjistrues dhe instruktor rajonal në procesin e regjistrimit të popullsisë

Qytetarët që duan të jenë regjistrues dhe instruktor rajonal në procesin e regjistrimit të popullsisë, mund të aplikojnë deri më 5 gusht në formë elektronike në Konkursin e hapur nga Enti Shtetëror i Statistikave në Maqedoninë e Veriut, transmeton Portalb.mk.

“I ftojmë të gjithë të interesuarit, si dhe të gjithë ata që aplikuan për thirrjen e parë në mars të këtij viti, të plotësojnë aplikacionin dhe të bëhen pjesë e ekipit të madh të regjistrimit që në shtator do të zhvillojë Regjistrimin e shumëpritur të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, deklarojnë nga Enti.

Aplikimi elektronik mund të bëhet përmes adresës popis2021.stat.gov.mk, për të vazhduar pastaj me procedurat tjera deri në trajnimin e kandidatëve të përzgjedhur.

Në konkurs pritet të zgjedhen 5.055 regjistrues të rajoneve dhe 508 instruktorë rajonalë për 50 rajonet e regjistrimit”, informojnë nga ESSH.

Afati i zbatimit të këtij procesi të rëndësishëm pritej të jetë prilli i këtij viti. Megjithatë, përmes pazareve politike, Zaev dhe Mickoski, pa konsultim edhe të partive shqiptare opozitare, vendosën që ta shtyjnë këtë proces dhe të zhvillohet nga 5 deri më 30 shtator. Partitë shqiptare nga ana tjetër, nuk ishin aspak faktor për shtyrjen ose mos-shtyrjen e këtij procesi. Zaevi, përmes një bisede telefonike e informoi Ahmetin për vendimin që kishin marrë me Mickovski, kurse kreu i BDI-së vetëm i shtoi “aminin”.

Regjistrimi i fundit në Maqedoninë e Veriut është realizuar në vitin 2002. Dhjetë vjet më vonë apo në vitin 2011, ai nuk u mbajt për shkak të përplasjeve mes partive politike shqiptare dhe maqedonase, mbi mënyrën e realizimit, përkatësisht për përfshirjen ose jo të qytetarëve që janë jetojnë përkohësisht jashtë vendin, e që shumica prej tyre janë shqiptarë. Ishin shpenzuar dy milionë euro, ndërsa pati edhe një procedurë parahetimore kundër dy drejtuesve të koalicionit të atëhershëm qeveritar, Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit për ndërprerjen e regjistrimit, por kjo procedurë ka përfunduar pa epilog gjyqësor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button