SPB Tetovë: për 6 muaj vetëm dy vepra penale për ndotjen e ambientit, NPK dhe Komuna heshtin për mbeturinat

Sektori për Punë të Brendshme (SPB) në Tetovë për Potralb.mk njofton se në gjysmën e parë të vitit 2021 ka regjistruar vetëm dy vepra penale në lidhje me ndotjen e mjedisit jetësor nga hedhja e mbeturinave. Pavarësisht se qyteti i Tetovës periudhën e fundit po ngulfatet nga mbeturinat e shumta dhe qytetarët janë të detyruar të durojnë erën e keqe nga mbeturinat, Komuna e Tetovës dhe Ndërmarrja Publike Komunale (NPK) refuzojnë të përgjigjen në pyetjet e Portalb.mk.

Nga SPB Tetovë për Portalb.mk thanë se gjatë 6 muajve të parë të vitit 2021, janë regjistruar dy vepra penale në lidhje me ndotjen e mjedisit jetësor, nga hedhje e mbeturinave, mbeturinat e ndërtimit dhe materialet e tjera ndotëse.

“Në lidhje me këtë në Prokurorinë Themelore Publike Tetovës janë ngritë dy kallëzime penale kundër 4 autorëve në përputhje me nenin 218 të Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe krahasuar me vitin 2020, ku janë regjistruar 2 vepra penale të kryera nga autorë të panjohur”, thanë nga SPB Tetovë.

SPB Tetovë, nëpërmjet Portalb.mk apelon deri te qytetarët e Tetovës dhe të Gostivarit që të kenë kujdes ku i hedhin mbeturinat inerte, gjegjësisht ato ti hedhin vetëm në vende të caktuar për një gjë të tillë, sepse në të kundërtën sipas SPB-së do të ballafaqohen me sanksionet e parapara ligjore.

Komuna e Tetovës dhe NPK nuk përgjigjen në pyetjet e Portalb.mk

Tre ditë radhazi, gazetari i Portalb.mk me dhjetëra herë nëpërmjet telefonit, porosive, por edhe maileve, tentoi të marrë përgjigje nga NPK Tetova, në lidhje me papastërtinë në qytet, pas ankesave të shumë qytetarëve se të njëjtat kanë vërshuar qytetin dhe nuk po pastrohen me ditë të tëra. Megjithatë, përgjegjësit të cilët paguhen po nga këto qytetarë që t’i pastrojnë mbeturinat, nuk e shohin të arsyeshme të japin përgjigje ndaj disa pyetjeve të cilat kanë të bëjnë me mirëmbajtjen e pastërtisë në qytet.

“I kemi lajmëruar personat kompetent dhe do t’u përgjigjen pasi janë të zënë me mbledhje”, ishte përgjigja e vetme nga Zyra për Informacion e NPK-Tetova.

Portalb.mk, kontaktoi me Komunën e Tetovës, por ata na thanë që NPK Tetova është përgjegjës për këtë çështje.

Në pamundësi për të marrë deklaratë nga përgjegjësit, u munduam që të kontaktojmë me autoritetet nëpërmjet kanaleve publike të komunikimit.

Portalb.mk dërgoi pyetje edhe tek Inspektorati Komunal, se përse nuk i inspektojnë këta persona që hedhin materiale të rënda, mbetje inerte dhe mobilje, por nga Inspektorati Komunal deri më tani nuk morëm përgjigje.

Ueb-faqja e NPK-së nuk është transparente

Vizituam ueb-faqen e NPK-Tetova e cila është gjysmë-funksionale dhe këtu ekziston një opsioni për të kontaktuar me ndërmarrjen drejtpërdrejtë. Gazetari i Portalb.mk dërgoi pyetje edhe nëpërmjet kësaj platforme, por përgjigje përsëri nuk morëm.

Përgjigje nuk morën as nga numri zyrtar për informim, i cili gjithashtu është publik në ueb-faqe.

Nga ajo që pamë, ueb-faqja e NPK-së nuk përditësohet rregullisht. Aty mungojnë raporte, kontaktet deri te personat përgjegjës për sektorë të caktuar, kontaktet e drejtorit të ndërmarrjes dhe kabinetit të tij, dhe informacione të tjera shtesë.

Kjo ndërmarrje, shumicën e njoftimeve i bën nëpërmjet faqes së Facebook-ut, të cilat pastaj shfaqen te një hapësirë edhe në ueb-faqe.

Rikujtojmë që NPK për Portalb.mk premtoi se gjendja me mbeturinat do të rregullohet, por e njëjta nuk u bë. 

Portalb.mkparaprakisht shkruajti se në Tetovë janë krijuar mbi dhjetë deponi të vogla tani e disa ditë, duke bllokuar edhe disa trotuare për kalimin e këmbësorëve. Banorët u shprehen të frustruar nga era e keqe që vjen rrugëve, e cila ju hyn edhe në shtëpi.

Për Portalb.mk nga Ndërmarrja Publike Komunale (NPK) Tetova, para gjashtë ditëve (26 korrik) thanë se gjendja do të rregullohet ditën e nesërme (27 korrik), por gjendja në teren vazhdon të ngel e njëjte edhe pas gjashtë ditëve, kurse ashtu siç thamë më lartë, autoritetet nuk përgjigjen se pse këto mbeturina nuk janë pastruar.

LEXO: Mbyllni hundët edhe sot, NPK premtoi se nesër do t’i pastrojë mbeturinat në Tetovë (VIDEO)

Se si ka qenë situata me mbeturinat në ditët e fundit në Tetovë më mirë flasin pamjet e mëposhtme: 

This slideshow requires JavaScript.

Ndërmarrja nën hetime për keqpërdorime të mundshme 

Gjatë muajit qershor, për Portalb.mk drejtori i Policisë Financiare të RMV-së, Arafat Muharemi konfirmoi se Policia Financiare po kryen hetim për keqpërdorime të mundshme në dy ndërmarrje publike të themeluara nga Komuna e Tetovës. Ndër të cilat ishte edhe ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” (NPK).

Nga ky inspektim u shkarkua drejtori paraprak i NPK-së Xhelal Ceka dhe në krye të ndërmarrjes erdhi Ajetali Dervishi, emrin e të cilit e konfirmoi kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi.

Por Arifi mohoi inspektimin nga ana e policisë financiare në këto ndërmarrje dhe dorëheqjen e Cekës.

“Atij i ka mbaruar mandati dhe bëhet fjalë për plane shtesë në angazhimin e tij të mëtejshëm, kështu ne kemi bërë përzgjedhje të cilat vijnë si rezultat i përfundimit të mandatit”, tha Teuta Arifi

Çfarë thotë ligji për pastërti publike?

 Çdo qytetar që ka ankesa për papastërtinë në Tetovë, mund të paraqet në numrin fiks të telefonit 044 331 167. Rikujtojmë qytetarët gjithashtu se sipas ligjit për pastërti publike, çdo person fizik nëse kapet duke hedhur, leckë, shpuzë cigaresh, apo të ngjashme do të gjobitet me 50 euro, ndërkaq nëse kapet duke hedhur materiale ndërtimore, parashihet gjobë prej 150 deri në 200 euro.

Inspektorati ekologjik vazhdon të mbetet i padobishëm

Ne aplikacionin  “E-report”  qytetarët mund të raportojnë për sjelljet e pandërgjegjshme të personave fizik dhe juridik të cilët me veprimet e tyre ndotin ambientin jetësor, por në këtë aplikacion numri është jofunksional.

Autoritetet nuk bëjnë inspektime dhe kontrolle të shpeshta në terren si masë parandaluese ndaj hedhjes së materialeve të renda.

LEXO: Me vite injorohet “xhungla” me deponinë as 750 metra larg objektit të Komunës së Tetovës (VIDEO)

Mbeturinat kanë qenë dhe vazhdojnë të mbeten një ndër problemet kryesore për qytetin e Tetovës për shumë vite me radhë. Përgjegjës për menaxhimin e këtyre mbeturinave është Ndërmarrja Publike Komunale (NPK), e cila ndër vite akoma nuk ka gjetur një zgjidhje për këtë problem. Duke pasur parasysh se mbeturinat në koshat e plehrave nuk mblidhen dhe orari i mbledhjes së tyre nuk është i mjaftueshëm, dhe përderisa autoritetet kompetente nuk janë serioze dhe të gjejnë një zgjidhje për këtë problem, qytetarët po vazhdojnë të ngulfaten në erë të keqe.

 

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button